25 vjet nga protestat studentore, Kurti e nderon Statovcin: Ishte figurë e jashtëzakonshme në kohën e duhur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i profesorit Ejup Statovci në 25-vjetorin e protestave studentore.
Gjatë këtyre homazheve, Kurti tha se ish-rektori i Universitetit të Prishtinës që u priu studentëve në këto protesta ishte gjithmonë me ta dhe në ballë të ndryshimeve.
“Profesori në këtë tetor do të bëhej 82 vjeç, dekadat e jetës së tij ja kanë vlejtur për të gjithë. Ai ishte edhe trim edhe i urtë, edhe akademik edhe intelektual, figurë e jashtëzakonshme në kohën e duhur. Ishte gjithmonë me studentët dhe në ballë të ndryshimeve. E kujtojmë me shumë mall dhe i përkulemi me shumë krenari se ishim me shumë fat që e patëm”, ka thënë ai.
Ndërsa, Drita Halimi-Statovci, bashkëshortja e ish-rektorit, ka deklaruar se e ka të vështirë të flas por e njëjta ka treguar se profesori i kishte thënë se do t’i mbrojë studentët.
“Në këto raste e kam të vështirë të flas, faleminderit veç mundem me thënë për respektin që i bëni. Pa të protesta do të ishin ndryshe, ai ditë që ka dalë në demonstrata më tha jam aty e di ku jam do t’i mbrojë studentët”, ka deklaruar ajo.
Sinonim i lirisë e pavarësisë është quajtur Statovci nga Bujar Dugolli, të cilët në atë kohë prinin së bashku në protesta.
“Njeriu që ushte pranë studentëve, njeriun që ishte rektor. Dhimbja është e madhe për të gjithë ne që punuam me të. Ai ishte sinonim i lirisë dhe pavarësisë”.