2025-ta sfiduese për gazetarët, presion ekonomik e politik - NACIONALE

2025-ta sfiduese për gazetarët, presion ekonomik e politik

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Gazetarët gjatë vitit 2025 kanë punuar në një ambient armiqësor, nën presion ekonomik, e në përballje me gjuhë denigruese nga zyrtarët në pushtet.

69 raste të sulmeve ndaj gazetarëve janë regjistruar deri në dhjetor, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës duke e bërë këtë vit një nga më sfiduesit për lirinë e medias.

Nënkryetarja e Asociacionit të Gazetarëve, Naile Demaj thekson situatën në transmetuesin publik këtë vit dhe vonesën e pagave të cilën e quan presion ekonomik ose financiar ndaj stafit të RTK-së.

“Gazetarët kanë vazhduar me kry punën e tyre në mënyrë shumë profesionale dhe të dedikuar le të themi ashtu siç bëjnë zakonisht. Por në mënyrë absolute mund të themi që ka qenë një vit shumë i vështirë për gazetarët dhe punonjësit medial në përgjithësi, ka pasë sfida të ndryshme, ka vazhdu gjuha denigruese ndaj tyre sidomos kur vjen zyrtarëve institucional, shtetëror. Kanë vazhduar të përballen me refuzime në kuptimin e qasjes në informacione, në intervista të ndryshëm, insitutcionet kanë vazhduar me qenë të mbyllura edhe këtë vit duke mos iu lejuar qasje të lehtë gazetarëve në informata dhe duke i detyruar, shkurtimisht po them që të gjejnë alternativa tjera të marrjes së informatave. Natyrisht vlen me u përmend si një prej rasteve më le të themi të keqe të këtij viti ka qenë situata me RTK-në. E dimë çka ndodhi, buxheti, mungesa e pagave për muaj të tërë. njëfar le ta quajmë presioni ekonomik ose financiar ndaj stafit të RTK-së dhe krejt këto e kanë bërë një ambient aspak të favorshëm për punë e gazetarëve”, tha Demaj për EO.

Profesori universitar i medias, Alban Zeneli, thotë se katër procese zgjedhore që u mbajtën gjatë vitit 2025 i kanë ekspozuar gazetarët ndaj sulmeve, fyerjeve dhe kërcënimeve nga politikanët.

“Nëse e shohim vitin që po e lëmë pas, vitin 2025 është vit në të cilin gazetarët kanë qenë të sfiduar në disa nivele, në disa fronte. Së pari kanë qenë të sfiduar për shkak se kemi pasur një vit në të cilin janë mbajtur katër palë zgjedhje, duke qenë kështu gazetarët janë bërë target i politikanëve për t’i sulmuar dhe kjo ka bërë që ata të jenë vazhdimisht të ekspozuar ndaj gjuhës kundër medias, ndaj fyerjes, ndaj sharjeve dhe shpeshherë ndaj kërcënimeve që janë bërë. Një sfidë tjetër ka qenë ngarkesa e madhe në punë për shkak se, siç e dimë, mediat tona kanë numër të vogël të gazetarëve, që mund t’i ndërrojnë gjatë punës. Ndërkohë që kemi pasur katër palë zgjedhje të cilat gazetarët është dashur t’i përcjellin secili në aktivitet të fushatës, po edhe përtej tyre. Kjo ka bërë një ngarkesë shumë të madhe në punën e gazetarëve gjatë këtij viti”, tha Zeneli.

Lajme të ngjashme