19 persona në paraburgim për skema piramidale dhe bixhoz të paligjshëm në Mitrovicë
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 19 të pandehurve, të dyshuar për përfshirje në organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marigona Lajqi, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Sipas aktvendimit, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të paraparë me nenin 294, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Masa e paraburgimit për ta ka hyrë në fuqi më 18 prill 2026 dhe do të zgjasë deri më 18 maj 2026.
Të pandehurit janë identifikuar me inicialet: A.B., D.S., N.M., B.M., R.S., A.I., B.I., B.S., F.M., M.S., B.B., A.R., A.M., N.H., D.M., A.M., Sh.A., Xh.S. dhe F.D.