18 vjet nga tragjedia e maturantëve të Malishevës
Sot bëhen 18 vjet nga dita kur 15 maturantë të Shkollës së Mesme “Abdyl Frashëri” në Malishevë e humbën jetën gjatë një ekskursioni që po e bënin në Shqipëri.
Autobusi që po i bartte 15 maturantët që s’janë më dhe 34 shokë të tyre, që u lënduan rëndë, ishte rrokullisur dhe kishte rënë në humnerë. Aksidenti u shënua rreth orës 14:00 të datës 14 tetor 2004 në Fushë-Arrëz të Pukës.
Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK-ja ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës.
Në njëvjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor te vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse për përkujtimin e dyvjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytezën e Malishevës.
Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor të mos mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve.