10-vjeçari plagoset nga AK-47 në Podujevë, dyshohet se vëllai i mitur e ka shkrepur armën
Një 10-vjeçar është plagosur nga një predhë e armës së zjarrit në Podujevë, pasi dyshohet se vëllai i tij i mitur ka marrë një AK-47 dhe, gjatë manipulimit me të, ka shkrepur një fishek.
Rasti ka ndodhur më 21 gusht rreth orës 12:00. I mituri i plagosur është dërguar për trajtim në QKUK dhe, sipas Policisë, është jashtë rrezikut për jetë.
Gjatë kontrollit në shtëpi, policia ka konfiskuar armën AK-47 dhe një karikator me 20 fishekë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.