‘Top Gun’ i pandalshëm: Fundjavë e dytë masive
“Top Gun: Maverick” po bën çudira sa i përket shitjes së biletave... përsëri.
Në fundjavën e dytë pas publikimit, filmi me protagonist Tom Cruise grumbulloi plot 86 milionë dollarë, nga 4,751 kinema të Amerikës së Veriut. Këta numra e fusin atë në top-dhjetëshen e filmave që kanë fituar më së shumti në fundjavën e dytë, në histori. Përfitimet e çojnë në 291 milionë dollarë në total numrin e të ardhurave nga Amerika e Veriut, mjaftueshëm sa për ta kaluar ‘War of the Worlds’ ($243 milionë) si filmi më fitimprurës i Cruise vendas ndonjëherë.
Falë fjalëve pozitive gojë më gojë në audiencë, siç e përshkruan ‘Variety’ dhe kritikave rrëmbyese, shitja e biletave për ‘Top Gun: Maverick’ ra vetëm 32% në fundjavën e dytë, pas debutimit 160 milionë dollarësh në fundjavën e parë. Është rënia më e vogël në fundjavën e dytë për një film që debutoi me 100 milionë ose më shumë, sipas ‘Comscore’. Ky është një numër njëmend impresiv – edhe për një film me kritika kaq të mira – sepse filmat e buxhetit të lartë, si ‘Maverick’, kanë një tendencë të bien 50% ose më shumë në shitje pas fundjavës hapëse. Për ta nënvizuar, filmat e fundit me buxhet të lart si ‘Doctor Strange in the Multiverse of Madness’ dhe ‘Spider Man: No Way Home’, secili ra për 67% në shitje, derisa “The Batman” me protagonist në rol kryesor Robert Pattinson, ra për 50% në fundjavën e dytë pas debutimit.
Ndërkombëtarisht, materiali i ‘Paramount’ dhe ‘Skydance’ eklipsoi shifrën prej 257 milionë dollarëve, duke çuar në total të ardhurat globale prej 548 milionë dollarëve. Edhe për standardet para-pandemike, ‘Maverick’ po fluturon në listën e të ardhurave.
“Kurrë nuk ka qenë më e përshtatshme të thuhet se ‘qielli është limiti’ për ‘Top Gun: Maverick’,” ka thënë presidenti i ‘Paramount’, Chris Aronson.
Pak filma deshën të konkurrojnë me ‘Maverick’, derisa studio e mëdha filmike nuk publikuan gjatë këtyre javëve. Dhe këtë e shfrytëzoi më së miri ‘Top Gun’, i cili pati krejt paratë e botës në dispozicion për t’i arkëtuar. Filmat si ai i ‘Doctor Strange’, ‘The Bob’s Burgers Movie’, ‘The Bad Guys’ dhe ‘Downton Abby: A New Era’ zunë vendet nga dy te pesë.
Në vendin e dytë, ‘Doctor Strange in the Multiverse of Madness’ shtoi 9.3 milionë dollarë nga 2,430 kinema mes të premtes dhe të dielës. Pas pesë javëve në kinema, filmi i ‘Marvel’ ka arkëtuar plot 388.7 milionë dollarë në ShBA, dhe plot 909.4 milionë globalisht. Pa u transmetuar në Rusi dhe Kinë, që janë dy vende të rëndësisë kyçe në treg, ‘Doctor Strange 2’ është filmi i nëntë i ‘Marvel’ që ka grumbulluar më së shumti të ardhura.
Filmi i ‘Disney’ dhe ‘20th Century’, ‘The Bob’s Burgers Movie’ mbeti në vendin e tretë. Shitja e biletave ra për 64% në 4.5 milionë dollarë nga transmetimi në 3,425 kinema, duke e çuar totalin në Amerikën e Veriut në 22.2 milionë dollarë.