Studimi i ri shuan shpresën për mundësinë e ekzistencës së ndonjë planeti të ngjashëm me Tokën
Shumica e planetëve nuk arrijnë të sigurojnë një jetë bimore.
Një studim i ri shqyrton mundësinë nëse ekzoplanetët marrin rrezatim yjor të mjaftueshëm për të mundësuar kryerjen e procesit të fotosintezës. Shumica e planetëve në rrethinën e të cilëve ka yje, nuk arrijnë ta marrin energjinë e mjaftueshme për të zhvilluar një jetë bimore. Me shumë gjasë, planetët e ngjashëm me Tokën janë shumë të rrallë.
Që nga viti 1961, astrobiologë dhe të tjerë të interesuar për të gjetur ‘jetë jashtëtokësore’ kanë përdorur ekuacionin e Drake-s, për të spekuluar mbi numrin e mundshëm të qytetërimeve aliene teknologjikisht të avancuara në Rrugën e Qumështit. Duke shumëzuar faktorët si: numri i yjeve të rinj që i shtohen një galaktike brenda një viti, numrin e planetëve që ata yje kanë, numrin e planetëve të përshtatshëm për jetë dhe kohën që qytetërimet inteligjente lëshojnë radiovalë, mund të merret një vlerësim i përafërt se sa specie të tjera inteligjente mund të gjenden jashtë Tokës tani.
Problemi është se ekuacioni është pothuajse tërësisht spekulativ sepse shumë nga faktorët kanë vlera të panjohura. Por herë pas here, informacioni i ri ndihmon për të ngushtuar gamën e vlerave të arsyeshme për t'u futur. Lajm i keq për entuziastët e jetës jashtëtokësore vjen nga një studim i ri i botuar në "Njoftimet Mujore të Shoqërisë Mbretërore Astronomike", që ofron një ngushtim të mëtejshëm të këtyre vlerave. Duke ekzaminuar kushtet e nevojshme për fotosintezë, autorët sugjerojnë që biosferat e përshtatshme për jetën mund të jenë më të rralla nga sa mendonim.
Le të ketë (pak më shumë) dritë
Autorët e studimit shikuan se cilat kushte nevojiten për procesin biokimik që bën të mundur jetën në Tokë – fotosintezën oksigjenike. Duke kombinuar dioksidin e karbonit me ujë dhe dritë, speciet e afta për fotosintezë – prodhojnë sheqer dhe oksigjen. Ky i fundit lirohet si mbetje. Autorët, si shumë para tyre, hamendësojnë se fotosinteza është e zakonshme në të gjithë galaktikën, për shkak të sasisë së rrezatimit yjor, thjeshtësisë së procesit dhe bollëkut të elementëve tjera hyrëse.
Ndryshe nga të tjerët para tyre, ata u nisën për të parë nëse ndonjë ekzoplanet i njohur në zonat e me yjësi kishte vërtet rrezatim të mjaftueshëm fotosintetikisht aktiv (PAR) – një term për rrezatimin diellor në intervalin e gjatësisë valore mes 400 dhe 700 nm, që shumica e bimëve mund ta përdorin për ta siguruar jetën. Duke analizuar se sa PAR marrin nga yjet e tyre ekzoplanetët më të njohur, studiuesit ishin në gjendje të vlerësonin se cilët prej tyre po marrin energji të mjaftueshme yjore për të pasur një biosferë të ngjashme me Tokën, të mbushur me bimë fotosintezuese.
Siç rezulton, kjo është shumë e vërshtirë për tu arritur në Rrugën e Qumështit. Yjet që digjen në gjysmën e nxehtësisë së Diellit nuk ofrojnë energji të mjaftueshme që të lindë ndonjëherë një biosferë e përshtatëshme. Yjet xhuxhë të kuq, të cilët janë të vegjël, të shumtë dhe digjen në rreth një të tretën e temperaturës së Diellit, ishin edhe më keq. Ata nuk mund ta siguronin fare energjinë e nevojshme për të kryer fotosintezën. Ky është një element bazik për kërkimin e jetës aliene. Siç shpjegoi autori kryesor i studimit, Prof. Giovanni Covone i Universitetit të Napolit:
“Meqenëse xhuxhët e kuq janë lloji më i zakonshëm i yjeve në galaktikën tonë, ky rezultat tregon se kushtet e ngjashme me Tokën në planetët e tjerë mund të jenë shumë më pak të zakonshme sesa mund të shpresojmë. Ky studim vendos kufizime të forta në hapësirën e parametrave për jetën komplekse, kështu që për fat të keq duket se "pika e ëmbël" për të pritur një biosferë të pasur si Toka nuk është aq e gjerë."
Në anën tjetër, yjet shumë të mëdhenj dhe të shndritshëm prodhojnë dritë të mjaftueshme për të nxitur fotosintezën. Megjithatë, këtyre yjeve u mbaron karburanti dhe ose digjen dhe shpërthejnë përpara se jeta e avancuar të ketë një shans për të evoluar.
Hipoteza e Tokës së rrallë
Kjo nuk do të thotë se ne jemi vetëm në univers. Ndonëse studimi sugjeron se numri i planetëve të përshtatshëm për jetë është më i ulët nga sa mendonim, megjithatë prapë numri nuk është aq i vogël. Autorët përmendin ekzistencën e disa planetëve, si Kepler-442b, të cilët marrin mjaft rrezatim diellor për të mbajtur një biosferë të ngjashme me Tokën.
Studimi mbështet argumentin e njohur si "hipoteza e Tokës së rrallë". Siç sugjeron emri, ideja që planetët si Toka – domethënë planetët që kanë kombinimin e duhur të faktorëve për evoluimin e jetës komplekse, janë relativisht të rrallë në kozmos. (Ata që kundërshtojnë pretendojnë se jeta mund të evoluojë në mënyra të panjohura në Tokë.) ‘Gjuetia’ për jetën aliene do të vazhdojë. Thjesht mos i humbni shpresat tuaja!