Studim: Numri i insekteve po përgjysmohet, kjo paralajmëron fundin fatal të ekosistemeve
Sipas një studimi të ri, numri i insekteve kanë rënë përgjysmë, posaçërisht në vendet ku ndihen më shumë ndikmet klimatike, të cilat kombinuar me zhvillimin e hovshëm të bujqësisë – po ndikojnë në ‘popullsinë’ e insekteve.
Ky është një shqetësim i madh si për njerëzit ashtu edhe për natyrën. Insektet ndihmojnë në formimin e themelit të ekosistemeve natyrore - ato pjalmojnë bimët, duke përfshirë kulturat bujqësore, dhe gjithashtu ofrojnë një burim të rëndësishëm ushqimi për kafshët e tjera.
"Gjetjet tona theksojnë urgjencën e veprimeve për të ruajtur habitatet natyrore, për të ngadalësuar zgjerimin e bujqësisë me intensitet të lartë, për të ulur emetimet dhe për të zbutur ndryshimet klimatike," tha autorja kryesore e studimit Charlotte Outhëaite, një shkencëtare në University College London, në një deklaratë.
Në fakt, një numër studimesh të fundit që paralajmërojnë se insektet po pakësohen me ritme alarmante në mbarë botën. Shpyllëzimi dhe zgjerimi i përdorimit të tokës bujqësore po degradojnë habitatet e insekteve, ndërsa ngrohja globale po ndryshon kushtet klimatike që shumë specie i kërkojnë për të mbijetuar. Kjo është në krye të kërcënimeve të tjera, të tilla si ndotja dhe përhapja e specieve pushtuese.
Studimi i ri analizoi të dhënat nga qindra studime që hetonin rreth 18000 lloje të ndryshme insektesh në mijëra zona në të gjithë planetin. Studiuesit krahasuan vendet e ndryshme të studimit për të përcaktuar se sa rëndë janë prekur nga zgjerimi i bujqësisë, se si temperaturat kanë ndryshuar në përgjigje të ngrohjes globale dhe se si popullatat e insekteve ka rënë – si kundërpërgjigje.
Ata zbuluan se efektet e kombinuara të bujqësisë dhe ndryshimeve klimatike çuan në rezultate më të këqija për insektet.
Zonat me bujqësi më intensive - të cilat zakonisht përfshijnë më shumë degradim të tokës, më shumë kimikate, më shumë bagëti dhe më pak diversitet bimor – kishin rënie më të madhe të insekteve sesa zonat e kultivuara më pak intensivisht. Në të njëjtën kohë, ngrohja shkaktoi rënie më të mëdha në të gjitha zonat.
Vendet me ngrohje të konsiderueshme dhe bujqësi intensive pësuan humbjet më të mëdha. Numri i përgjithshëm i insekteve ishte deri në 49% më i ulët në disa vende, ndërsa numri i përgjithshëm i specieve të ndryshme ishte 27% më i ulët, krahasuar me vende të tjera relativisht të paprekura.
Efektet nuk ishin të njëjta në mbarë botën. Me një vështrim më të afërt, studiuesit zbuluan se rajonet tropikale ishin në rrezikun më të madh për rënien e insekteve. Kjo ka të ngjarë pjesërisht sepse speciet tropikale priren të jenë më të specializuara, kanë diapazon më të vogël dhe një tolerancë më të ngushtë të temperaturës sesa insektet në pjesë të tjera të botës.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se insektet në disa rajone të buta të globit në fakt panë një ndikim pozitiv nga ndryshimet klimatike. Por edhe ky nuk është domosdoshmërisht një lajm i mirë.
Ndërsa efekti ka nevojë për më shumë hetim për të përcaktuar saktësisht se çfarë po ndodhë, studiuesit sugjerojnë se speciet në pjesët më të ngrohta të botës mund të migrojnë në këto zona. Në të njëjtën kohë, disa nga speciet më tolerante ndaj të ftohtit që jetonin atje mund të jenë zhdukur tashmë në kohën kur u kryen studimet.
Është e rëndësishme të theksohet se studimi i ri ofron vetëm një pamje në kohë, duke krahasuar popullatat e insekteve në zonat shumë të trazuara me popullatat në vendet më pak të shqetësuara. Shumica e të dhënave në çdo vend u mblodhën gjatë periudhave të shkurtra dhe nuk tregojnë se si popullatat e insekteve po zvogëlohen me kalimin e kohës. Kjo është një pyetje që kërkon më shumë hetim.
Por studimi vërteton se insektet në vendet e prekura nga bujqësia intensive dhe ngrohja e konsiderueshme priren të shkojnë më keq, veçanërisht në tropikët e pambrojtur të botës. Dhe, më e rëndësishmja, ai thekson mënyrat se si këta dy faktorë mund ta përkeqësojnë njëri-tjetrin kur kombinohen.
Studimi pasqyron një "njohje në rritje" të efekteve të kombinuara të përdorimit të tokës dhe ndryshimeve klimatike në biodiversitet, tha Tom Oliver, një ekolog në Universitetin e Reading, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, por komentoi studimin e ri, në një deklaratë.
Pasojat ekologjike afatgjata të këtyre efekteve, shtoi ai, janë ende të paqarta. Ekspertët kanë paralajmëruar se rënia e vazhdueshme e insekteve mund të shkaktojë që disa ekosisteme të shemben në mënyrë katastrofike. Por si do të dukej dhe sa shpejt mund të ndodhë, është ende një çështje debati.
“Për sa i përket një pike të mundshme kthese ku humbja e insekteve shkakton kolapsin e ekosistemeve të tëra, përgjigja e sinqertë është që ne thjesht nuk e dimë se ku është pika pa kthim,” tha Oliver. "Ne e dimë se nuk mund të vazhdoni të humbni specie pa shkaktuar përfundimisht një rezultat katastrofik."