Stilistja që po sfidon industrinë e modës: Pse duhet krijuar rroba për të gjithë - NACIONALE

Stilistja që po sfidon industrinë e modës: Pse duhet krijuar rroba për të gjithë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ndoshta mendoni se një parashikim i tregut global me vlerë 350 miliardë dollarë deri në vitin 2024, do të gjeneronte investime të mëdha nga industria e modës. Fatkeqësisht nuk ndodh që një treg të ofrojë veshje specifike të krijuara për t’u përdorur nga njerëzit me aftësi të kufizuara. “Është e pafalshme që [industria e modës] është treguar tepër e ngadaltë”, thotë stilistja Victoria Jenkins, themeluesja e brendit të veshjeve përshtatëse Unhidden.

E diplomuar si stiliste e modës, e cila ka punuar si teknologe veshjesh me marka të tilla si Victoria Beckham dhe që gëzon një përvoje 14-vjeçare në industri, ajo thotë se gjatë asaj kohe nuk kishte vënë re ose nuk kishte dëgjuar asgjë lidhur me njerëzit me aftësi të kufizuara [dhe se si kjo lidhej me modën]. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale kritike për jetën për shkak të një ulcerë të çarë në stomak, Jenkins pësoi probleme me aftësitë për të lëvizur dhe kishte dhimbje kronike. Megjithatë, ajo kurrë nuk u ndie e gatshme të ishte e hapur për kufizimet e saj. “E përshkruaja veten si një person me ‘probleme shëndetësore kronike’, sepse nëse do të thosha ‘Me aftësi të kufizuara’, nuk do të më merrnin në punë”.

Gjatë një vizite në spital në vitin 2016, ajo takoi një paciente me kancer, e cila kishte dy stoma: një vijë në krah dhe një në gjoks, ndaj i duhej të hiqte të gjitha rrobat sa herë që duhej të kurohej nga mjekët. Më pas lindi ideja e “Unhidden”. “Sa më shumë përqendrohesha në këtë, aq më shumë mendoja se si mund të përdorja gjithçka që kisha mësuar për një kauzë më të mirë. Të punoja për Victoria Beckham ishte një ëndërr, por doja të isha në gjendje të ndihmoja njerëzit”.

Unhidden u bë marka e parë e veshjeve të specializuara – që krijon rroba të dizajnuara posaçërisht për njerëzit me aftësi të kufizuara – që iu bashkua Këshillit Britanik të Modës. “Kjo më bën shumë krenare, por është gjithashtu e tmerrshme që isha e para – në vitin 2022”. Jenkins beson fort se përparimi nuk ndodh nëse nuk është i domosdoshëm. “Diversiteti duhet të përfshijë personat me aftësi të kufizuara, prandaj, një në pesë modele që punojnë, duhet të jetë me aftësi të kufizuara”. Ka edhe çështje të tjera. “Shumë marka përdorin një model/e me aftësi të kufizuara për fushatat e tyre, por nuk i hedhin këto foto në faqen e tyre të internetit dhe shpesh e shmangin fjalën ‘Aftësi të kufizuara’, që të mos ofendohet dikush. Të jesh me aftësi të kufizuara nuk është fyese, është vetëm një përshkrim”.

Jenkins ka gjithashtu në plan të nisë një projekt jofitimprurës për trajtimin e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe probleme shëndetësore kronike për të thurur ndryshime përshtatëse. Kjo do të thotë që njerëzit mund të përcaktojnë tarifat e tyre dhe të vendosin se sa mund të punojnë, gjë që është në dobi të 80% të personave me aftësi të kufizuara, të cilët nuk kanë lindur të tillë dhe tani duhet të ndryshojnë veshjen e tyre për të punuar për ta. “Ka shumë njerëz – duke përfshirë edhe veten time – të cilët befas nuk mund t’i veshin rrobat e tyre – rroba që na kujtojnë të kaluarën tonë. Kështu që, për të shmangur stresin që shkakton pastrimi i një gardërobe të tërë, rrobat mund të përshtaten nga dikush që i kupton nevojat tona”. Në fund të këtij viti ajo do të prezantojë linjën e veshjeve në “Java e Modës” në Londër, dhe gjithashtu po punon për të krijuar edhe linjën e veshjeve për fëmijë.

Ashtu si me të drejtën e strehimit, edhe mundësia për t’u veshur është një e drejtë themelore e njeriut. “Të dalësh nga shtëpia lakuriq dhe të shkosh në punë ashtu, është diçka e ndaluar”, thotë Jenkins, “kështu që është krim që ka njerëz që ende nuk mund të vishen siç duhet”. Për fat të mirë, ajo po bën të pamundurën për të siguruar që kjo të mos ndodhë.

Laura Potter është gazetare artikujt e së cilës janë botuar në revistën “The Observer”, “The Guardian’s Saturday”, “Men’s Health”, “Time Out” e shumë të tjera

Lajme të ngjashme