Shuplakë për Chris Rock, për lirinë e shprehjes, apo shuplakë për gratë: debati për reagimin e Will Smith na bën të rimendojmë - NACIONALE

Shuplakë për Chris Rock, për lirinë e shprehjes, apo shuplakë për gratë: debati për reagimin e Will Smith na bën të rimendojmë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Jo rrallëherë, në skenën publike ndodhin çaste që lënë shenjë, provokojnë debat, apo riafirmojnë qëndrime të njohura. Një çast i tillë ishte edhe shuplaka e Will Smith për prezentuesin Chris Rock. Ju sjellim një vrojtim të reagimeve, si edhe një analizë sa më specifikuese që të mundemi për to.

Çfarë ndodhi?

Në natën e ndarjes së çmimeve Oscar, prezentuesi Chris Rock lëshoi një shaka ‘’të pakujdeshme’’ për gruan e Will Smith, Jada Pinkett Smith, duke thumbuar rënien e flokëve të saj, ndonëse kjo e fundit ka ndodhur si pasojë e telasheve shëndetësore të zonjës Smith. Në mes të skenës, me pothuajse gjysmën e botës duke e parë në televizion, Will Smith iu afrua dhe i ra shuplakë, duke e shoqëruar sulmin me britmën “Mbaje emrin e gruas sime larg gojës tënde të fëlliqur!”

Natyrisht, si për çdo gjë tjetër kaq virale, njerëzit u ndanë në dysh. Grupi “Mirë ia bëri” dhe grupi “Sa i ligë”.

Grupi “Mirë ia bëri”

“Familja është e shenjtë dhe është obligimi i burrit ta mbrojë atë. Ai i ka dhënë një shuplakë jo vetëm Chris Rockut, por edhe idesë që mund të bësh humor me dhimbjet e tjetrit.” Këto janë, pak a shumë, reagimet e atyre që e arsyetojnë gjestin e Smith. Natyrisht, ka diçka për t’u mirëkuptuar në dhimbjen e dikujt për bashkëshortin/en që po kalon nëpër një fazë jo të lehtë, por a duhet ta arsyetojë kjo edhe dhunën fizike, për më tepër në publik? Përvijimi i këtyre argumenteve, në të vërtetë derivon nga tradita. Por, ne nuk vendosim për traditën. G.K. Chesterton e quan traditën “Demokracia e të vdekurve”. Vendimet për të ndërtuar një set tradicional rregullash janë, parimisht, vendime të njerëzve që nuk jetojnë më mes nesh dhe nuk i ndajnë as shqetësimet e kohës sonë, as modelet e zgjidhjes së këtyre problemeve. Dhe kjo nuk domethënë që tradita, apriori, është diçka e keqe. Por, ngarendja te konstatimi “kështu ka qenë gjithmonë”, nuk përbën në vetvete argument për asgjë.

Grupi “Sa i ligë”

Edhe këta ndahen në dy grupe. I pari është grupi që presupozon lirinë e pakufishme të shprehjes, edhe kur ajo është ofenduese. Kjo liri, sipas këtij argumenti, do të duhej të mirëkuptohej, sidomos nga Will Smith i cili vetë është komedian. Grupi i dytë, është ai i artikulimit të çështjeve gjinore që presupozon se, me gjestin e Smith, në të vërtetë i është dhënë shuplakë grave dhe të drejtës së tyre për ta mbrojtur veten, duke e riafirmuar idenë që janë burrat ata që duhet ta mbrojnë gruan “e tyre” nga burrat e tjerë.

“Civilizimi lindi kur njeriu e hodhi sharjen në vend të gurit” – Sigmund Freud

Kur thamë që tradita nuk është në vetvete e keqe, e patëm fjalën pikërisht për qëndrime të tilla, të cilat parimisht kanë ndërtuar vlerat të cilat i ndajmë sot. Njeriu është i lirë të flasë, bërtasë, fyejë e shajë, por jo të godasë fizikisht. Sepse, hyrja në terrenin e dhunës, është një incident i cili komentohet vazhdimisht si i papranueshëm. E, atëherë, pse të jetë i pranueshëm për Will Smith?

Pse e komentojmë të papranueshme dhunën e një personi anonim, ndjenjat e të cilit janë fyer, por nuk e përdorim të njëjtin argument për një aktor të njohur e të pasur, me status ekonomik e shoqëror, si Will Smith?
Jemi selektivë, apo shkëlqimi i yjeve të kinemasë dhe ngarendja pas tyre na bën të harrojmë gjithçka? Kushedi. Por, pse të mos na shërbejë ky moment si rimendim i këtyre pozicioneve?

Liria e shprehjes është e tillë, pavarësisht kush goditet. Nuk mund të jetë e drejtë kur goditet dikush që nuk na pëlqen, dhe e padrejtë kur goditet Will Smith apo Jada Pinkett Smith.

Shuplakë për gratë

Këtu hyn edhe grupi i dytë, i cili shqetësimin e artikulon si çështje e raporteve ndër-gjinore. Pse Will Smith ta mbrojë gruan e tij? A nuk është ajo e aftë ta mbrojë veten? A nuk po e paraqet z.Smith, me reagimin e tij, një riafirmim të “stereotipit” sipas të cilit “burri e mbron gruan dhe gruaja është e pafuqishme të mbrohet”?

Jo rrallëherë edhe këto reagime janë produkt i një mendimi skematik, që i shohin gjinitë në një raport lehtë të shpjegueshëm “e shtypur-shtypës”, dhe që, pavarësisht rrethanave, e gjejnë elementin gjinor për ta goditur. Por, këtë herë, kjo goditje nuk është pa arsye. A ishte reagimi i z.Smith sepse ishte Jada është grua? Sepse është gruaja “e tij”? Apo sepse nuk e duroi dot thumbimin për periudhën e vështirë emocionale e shëndetësore nëpër të cilën ka kaluar çifti?

Dhe fare në fund

Çfarë domethënë ajo që ndodhi dje? Patjetër, me gjithë konsideratën për dhimbjen e tij, Will Smith nuk e ka bërë gjënë e duhur. Jo pse Jada Pinkett Smith është grua, jo pse është bashkëshortja e tij, e as pse ajo po kalon fazë shumë të vështirë, por sepse ideja që dikush mund ta marrë drejtësinë në duart e veta dhe të sulmojë fizikisht kur ndihet i fyer, duhet të jetë jashtë çdo përllogaritjeje, pavarësisht sa i pasur, i suksesshëm, apo edhe sa i fyer është ndjerë.

Lajme të ngjashme