“Shkrimtari që ndriçoi rrugën e popullit shqiptar”: Liderët në Kosovë e Shqipëri vlerësojnë kontributin e Kadaresë
Kombi shqiptar është në zi. Vdekja e shkrimtarit të madh Ismail Kadare është humbje e madhe për gjithë shqiptarët.
Kështu të paktën po vlerësojnë udhëheqësit e shtetit në Kosovë e Shqipëri.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shkruar për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Begaj ka thënë se Shqipëria dhe shqiptarët humbën gjeniun e letrave.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.”
“Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!” – ka shkruar ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptarë, reagoi përmes një postimi në faqen zyrtare.
Rama tha për Kadarenë se është monumenti më i madh i kulturës shqiptare.
“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit”, ka shkruar Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Kurti ka thënë se shqiptarët humbën shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave.
“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, ka shkruar Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar se Kadare do të mbetet përjetësisht në zemrën e çdo shqiptari.
“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin "Hasan Prishtina". Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Ngushëllime mbarë kombit shqiptar, ka shkruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, për çka Konjufca tha se shqiptarët “mbetën pa ambasadorin më të shquar të tyre”.
“Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç'gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe. Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve”, ka shkruar Glauk Konjufca.
Vdekja e Kadaresë
Ka ndërruar jetë Ismail Kadare, romancieri, poeti, eseisti, skenaristi dhe dramaturgu shqiptar, e një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm ndërkombëtarisht.
Ai u lind më 28 janar 1936. A ishte figurë letrare dhe intelektuale kryesore ndërkombëtare. Romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, e bëri të famshëm ndërkombëtarisht.
Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.
Në vitin 1992, Kadare u nderua me çmimin “Cino Del Duca”; në vitin 1998, Çmimin Herder; në vitin 2005, përurimi i Çmimit Ndërkombëtar Man Booker; në vitin 2009, Çmimi i Arteve Princi i Asturias; dhe në vitin 2015, Çmimin Jerusalem. Atij iu dha Çmimi Park Kyong-ni në 2019, dhe Çmimi Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë në 2020.
Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
Në vitin 1996, Franca e bëri atë një bashkëpunëtor të huaj të Académie des Sciences Morales et Politiques të Francës, dhe në vitin 2016, ai ishte një marrës i Commandeur de la Légion d’Honneur. Ai është nominuar për Çmimin Nobel në Letërsi 15 herë. Që prej viteve 1990, Kadaresë i është kërkuar nga të dyja partitë kryesore politike në Shqipëri që të bëhet President konsensual i Shqipërisë, por ka refuzuar.
Duke jetuar në Shqipëri gjatë një kohe censure të rreptë, Kadare sajoi manovra dinake për të mposhtur censuruesit komunistë që kishin ndaluar tre nga librat e tij, duke përdorur mjete të tilla si shëmbëlltyra, miti, fabula, përralla popullore, alegoria dhe legjenda, të spërkatura me dyfishime, aludim, insinuatë, satirë dhe mesazhe të koduara.
Në vitin 1990, për t’i shpëtuar regjimit komunist dhe policisë së tij sekrete Sigurimi, ai dezertoi në Paris. Veprat e tij janë botuar në mbi 50 gjuhë. Neë York Times shkruante se ai ishte një figurë kombëtare në Shqipëri, e krahasueshme për nga popullariteti ndoshta me Mark Twain në Shtetet e Bashkuara dhe se “vështirë se ka një familje shqiptare pa një libër Kadare”.
Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekujve 20 dhe 21, dhe si një zë universal kundër totalitarizmit.