Rimarrja e metodave opozitare të VV-së nga PDK-ja - NACIONALE

Rimarrja e metodave opozitare të VV-së nga PDK-ja

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Veprimet e opozitës brenda parlamentit të Kosovës, edhe një herë sollën në diskutim formën dhe mënyrën e duhur të shprehurit opozitarizmit. Shprehur ndryshe, ngjarjet e ditës së enjte, rikthyen në kujtesë opozitarizmin e modelit të kaluar, atë kundërshtimin tipik të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila tanimë ka arritur të kalojë në pushtet.

Në mes mbështetësish të dy blloqeve shpërthyen akuzat, ngjarje normale për një vend me kulturë të paarsyeshme e kakofonike të politikës, siç është kjo e Kosovës. Afërmendsh, kujtesa jonë i mbanë të freskëta rrethanat kur këto dy blloqe po mbronin veprat të cilat sot i kritikojmë si të papranueshme.

Fillimisht, aktiviteti i ngjashëm i Vetëvendosjes është i shtresuar gjatë në kohë, për t’u harruar për një periudhë aq të shkurtër. Aktiviteti i asaj natyre i organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, është aq i ngulitur, ashtu që, në kujtesën tonë akoma qëndron Albini, në një skenë rrugë, ballë një turme, duke zhvlerësuar debatet e proceset e politikës brenda-institucionale dhe duke demaskuar komplote që po ngjanin prapa shpinës tonë.

Po ashtu, mbajmë mend deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, përgjatë çfarëdo legjislature, duke ndërmarrë kinse veprime anti-sistemike, qoftë duke hedhur gazin lotsjellës, qoftë duke nisur në drejtim të ulëseve të ekzekutivit vezë ose ujë, ose duke tërhequr dhunshëm mikrofonin e krye-parlamentarit.

Këto imazhe aq gjatë janë përsëritur, saqë përfytyrimi ynë i politikës ka brendësuar këto forma si mënyra krejt normale të veprimtarisë opozitare. Mirëpo normalizimi i kësaj mënyre të opozitarizmit paraqet një horizont të rrezikshëm për të ardhmen.

Në të njëjtën formë, mbahet mend veprimtaria e PDK-së dhe LDK-së, e cila në të kaluarën kishte ndërtuar një fetish rreth politikës të manifestuar brenda institucioneve, të mbështetur mbi kompromisin e në një formë paqësore. Kështu që, çdo akt që nuk i takonte kësaj logjike veprimi përligjej si jo i denjë për t’u vepruar.

Në këtë pikturë të skenës politike, shfaqen ndryshime në agjenda dhe mënyrë të politikë-bërjes, të shkaktuara nga ndryshimi i roleve brenda sistemit politik, do të thotë, kalimin e njërit bllok në opozitë, ndërsa tjetrit në qeveri. Por në këtë rast, theksi duhet të bie mbi varfërinë e gjithmbarshme të veprimit politik opozitar?

Duke filluar nga periudha e Vetëvendosjes, modeli i veprimit opozitar, përgjithësisht përkthehet në kundërshtimin e vazhdueshëm, mungesën e bashkëpunimit dhe përpjekje për të krijuar së më tepër kauza – ndonëse të paqëndrueshme – që mundësojnë formalisht ekspozimin si një parti opozitare, që kinse organizon kundërshtimin e pushtetit.

Karshi kësaj forme virusale të veprimit opozitar edhe partitë e tanishme, nuk po tregohen imune – ato tashmë, kanë filluar adaptimin e një qasjeje krejt të ngjashme të veprimit. Thënë ndryshe, ato tanimë veprimtarinë opozitare të tyre po e mbështesin mbi një manual të gatshëm, jo shumë kreativ, atë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Kësisoj, partitë e sotme opozitare, në mungesë të ndofarë plani opozitar të hartuar nga debati i brendshëm dhe të ndikuar në rrethanat e tanishme, kanë përfunduar në një gjendje imitimi të skenave të së kaluarës, të realizuara nga Vetëvendosje.

Rrjedhshëm, kjo gjë i shfaq në pamje të jashtme si subjekte jo-organike, meqë qartazi, strategjia e tyre e deritanishme kishte jo vetëm kritikuar këtë formë veprimi, por edhe përjashtuar nga agjendat e tyre e veprimit.

Përfundimisht, opozitës, më tepër se adaptim i praktikës së krijimit të dramave politike, i duhet reflektim për ngjarjet dhe zhvillimet për të arritur deri tek zgjidhjet autentike të tyre, të cilat përballë problemeve dinë të ofrojnë kritika e alternativa. Në të kundërtën, këto subjekte do të përfundojnë në një opozitarizëm të modelit të kaluar, që atyre nuk është se u bie tamam, për vlerat dhe ideologjitë që përfaqësojnë.

Lajme të ngjashme