Refleksioni socio-politik në "Metamorfozën" e Kafkës
Shkruan: Dardan Beqiri
Turbulencat në të cilat ishte përfshirë Evropa në dekadat e fundit të shekullit XIX dhe gjysmën e parë të shekullit XX të shprehura përmes procesesh e fenomenesh të papara deri atëherë, pa dyshim do të zinin vend qendror në shkrimet e Franz Kafkës (1883-1924). Fillimisht thumbit kritikues të tij do t'i nënshtrohej burokracia, gjegjësisht burokratizimi parazitar - i cili ishte shndërruar në shënjuesin dallues të shteteve evropiane të asaj kohe - për t'i hapur rrugën një kritike të gjithanshme të shpalosur në veprën "Metamorfoza" të shkurtër për nga vëllimi, por jashtëzakonisht domethënëse për nga aspekti përmbajtjesor.
“Metamorfoza" e Kafkës gërsheton kritikën 'Marksiane' me traditën letrare ekzistencialiste, llupa kritike e të cilit do të marrë nën shqyrtim fenomenet dominante me të cilat po përballej Evropa. Kësisoj, shpërfytyrimi fizik i Gregor Zamzës paraqet degradimin sistemor në të cilin ishte përfshirë Evropa kapitaliste. Degdisja vlerore dhe morale, si dhe shërbesa institucionale kundrejt ekspasionizmit, e hedhin individin në shtratin e njëdimensionalitetit, duke e shpërfytyruar dhe shndërruar në një makineri prodhuese, vlera e të cilit matet për aq sa i shërben fitimit. Antagonisti njëdimensional i G. Zamzës është kapitalisti meskin, i cili përherë është në ndjekje të fitimit, jo për t'i shërbyer shëmbëlltyrës së Zotit, por për t’u shndërruar vetë në një të tillë. Pra, Kafka, këtu thekson ndryshueshmërinë e përhershme të natyrës njerëzore përkitazi me gjendjen e njerëzimit.
Kthimi i G. Zamzës në një insekt përbën një nga alegoritë më të fuqishme dhe goditëse të letërsisë, që shpërfaq monstrumizitetin përjashtues në të cilin ishte përfshirë Evropa. Koha në të cilën ka jetuar F. Kafka përkon me shfaqjen e një fenomeni të ri evropian, atë të përjashtimit nëpërmjet marrjes/heqjes së shtetësisë. Kjo alegori përbën një klithmë shurdhuese për lehtësinë e padurueshme me të cilin individi humbiste pozicionin e tij shoqëror e bashkë me të edhe fatin e tij e të qenit njeri. Por, gjithashtu, po aq shurdhuese është kritika për indiferencën apatike në të cilën ishte zhytur shoqëria. Kësisoj, F. Kafka, kritikuesi i institucioneve tiranike e autoritetit shtypës paraqet kushtet e mjerueshme në të cilat ishte zhytur njeriu, duke na ofruar kështu si pak të tjerë kontekstin e përgjithshëm socio-politik në të cilin do të ngriheshin totalitarizmat. Për rrjedhojë, "Metamorfoza" mund të konsiderohet si analiza e parë përmbajtjesore e karakteristikave themelore të totalitarizmave. Por, megjithatë, monumentaliteti i "Metamorfozës" nuk duhet kërkuar te përmbajtja, as te stili apo vlera artistike, por te kompozicioni mjeshtëror i të triave. Fenomen i rrallë ky në letërsinë botërore.
Autori: Dardan Beqiri është pjesëmarrës në disa konferenca shkencore të shkencave politike, nga të cilat kanë dalë hulumtimet "Shoqëritë shqiptare pas-komuniste: Ngritja e kultit të Ibrahim Rugovës në Kosovë dhe Sali Berishës në Shqipëri, 1990-1996", dhe "Praktika neopatrimonialiste si strategji e butë për kapjen e shtetit: rasti i Ballkanit Perëndimor".