Raportohet se Dua Lipa po ndërton rezidencë multimilionëshe në Sarandë të Shqipërisë - NACIONALE

Raportohet se Dua Lipa po ndërton rezidencë multimilionëshe në Sarandë të Shqipërisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këngëtarja britanike me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, por me pasaportë shqiptare po ndërton një rezidencë shumëmilionëshe në Sarandë, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Lipa befasoi së fundi opinionin në Kosovë kur mori pasaportën e Republikës së Shqipërisë. Shumë media ndërkombëtare, përfshirë edhe BBC-në, prej atëherë i janë referuar asaj si këngëtarja britanike me origjinë nga Shqipëria.

Por, duket se lidhjet e saj me Shqipërinë vetëm sa do të rriten.

Dua do të ndërtojë rezidencën në një rajon të minoritetit grek në jug të Shqipërisë.

Një burim i kishte thënë Page Six-it se shtëpia e saj e re – përballë ishullit grek të Korfuzit – do të ketë pamje mahnitëse nga deti Jon.

Dua dhe Shqipëria

Për shkak të telasheve të ndryshme për të cilat kishte raportuar gazeta Nacionale, për herë të parë festivali “Sunny Hill” që organizohet nga babai i Duas, Dukagjini, është mbajtur këtë vit edhe në Tiranë të Shqipërisë.

Madje, fillimisht ishte raportuar se “Sunny Hilli” që kishte vënë Prishtinën në hartën e industrisë së muzikës pop në Evropë, s’do të mbahej fare në Prishtinë. Problemi kishin qenë 17 hektarë tokë në Gërmi të Prishtinës.

Gazetari i pop-kulturës në Nacionale do ta shkruante një opinion të titulluar Reagimi për 17 hektarët e Sunny Hill ekspozoi një ‘sëmundje’ të rëndë në Prishtinë”.

Por, në muajin dhjetor, Dua Lipa do të merrte pasaportën e Shqipërisë nga presidenti Bajram Begaj duke e zbehur edhe më shumë raportin e saj me Kosovën.

Prestigjiozja BBC duke e kumtuar lajmin në fjalë do ta hiqte krejtësisht Kosovën nga jeta e Duas.

“Familja iu rikthye në Shqipëri kur Dua ishte 11 vjeçare.” – shkruan BBC. Në fakt, familja e Dua Lipës as nuk ka jetuar e as nuk është rikthyer për të jetuar ndonjëherë në Shqipëri.

BBC është furnizuar me anë të një interviste të Dua Lipës dhënë për kohën e kaluar në Kosovë, por duke nënkuptuar se ajo ishte kohë e kaluar në Shqipëri.

“Është interesante se kam kaluar nëpër ato gjëra në moshën 11 vjeçare, por s’do ta ndryshoja për asgjë në botë sepse më ndihmoi të bëhesha ajo që jam.” – kishte thënë Dua.

Audienca globale e BBC-së e ka kuptuar një gjë të tillë sikur ajo po fliste për Republikën e Shqipërisë, dhe jo për Kosovën.

Duhet thënë se Nacionale deri tash nuk ka arritur që ta konfirmojë informacionin në mënyrë të pavarur se znj. Lipa po ndërtonte rezidencën milionëshe në Sarandë të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme