Ramazan e raki: Myslimani me alkool në sherr me hoxhallarët, e sheh Shejtanin si Dopaminë - NACIONALE

Ramazan e raki: Myslimani me alkool në sherr me hoxhallarët, e sheh Shejtanin si Dopaminë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

"Respekti ndaj Ramazanit osht respekti ndaj vetes. Çka kanë bo pejgamberët është goxha e mençur" - V.D. (dizajner, mysliman që e konsumon alkoolin).

Ishte e vështirë të gjeja qasjen e duhur për të elaboruar ndikimin e Ramazanit në kulturën popullore në Kosovë, dhe në të njejtën kohë të mbaja balancin mes objektivitetit gjithëpërfshirës: të mbaja anën e atyre që janë myslimanë por që nuk agjërojnë e konsumojnë substanca të palejuara në islam siç është alkooli apo bari, por duke i mbrojtur edhe myslimanët që respektojnë shtyllat e islamit, përfshirë Ramazanin.

Propagandat anti-islamiste gjithmonë kanë qenë irrituese... dorën në zemër.

Prej pasluftës e këndej ka qenë një tendencë problematike për të marrë të drejtën të gjykohet një komunitet shumicë, i cili ndër vite ka përqafuar – sipas mundësisë – ndryshimet dhe kahjen e mendësisë perëndimore.

Rrallë e përmall ndodh të ketë solidaritet dhe mirëkuptim në një vend me mbi 90% të popullatës islame, e cila qëndron duarkryq (në kuptimin pozitiv) derisa komunitete si ai i LGBTIQ+ ushtrojnë aktivitetet e veta lirshëm, ashtu edhe siç duhet të ndodhë.

Mirëpo, V.D., që foli më lart, është vetëm një prej atyre që gjejnë përfaqësim të madh në kulturën kosovare të islamit. Pavarësisht se një hoxhë apo një komunitet i gjërë i religjionit praktikues nuk do të pajtohej, një përqindje e madhe që identifikon veten si myslimane, nuk e ka problem të ngrejë një gotë birrë/verë apo çfarëdo lloj pije tjetër ku përfshihet alkooli, në ndonjë të premte/shtune mbrëma, apo edhe më shpesh, duke injoruar ato që thotë feja, sipas Hoxhë Jusuf Hajrullahut.

"Ai që konsumon alkool, nuk i pranohet namazi 40 ditë dhe, nëse vdes, shkon në zjerm. Por, nëse pendohet, i pranohet pendimi", thotë Hajrullahu.

Dhe e njëjta ndodh deri në tri herë (kur myslimani konsumon alkool dhe pendohet), por nëse i njëjti konsumon alkool, ta zëmë, për herë të katërt dhe më shumë, e pret një dënim i rëndë dhe neveritës – siç është larja në ujin e zi, me të jashtëqiturat e banorëve të xhehnemit (ferrit), gjithnjë sipas hoxhës në fjalë.

"Pas herës së tretë (të konsumimit të alkoolit), besimtari edhe nëse pendohet, nuk i pranohet pendimi", thotë tutje Hajrullahu.

"Atëherë ka të drejtë Allahu ta hedhë në ujërat e fëlliqura të xhehnemit, që janë qelbësirat e banorëve të zjarrit."

Pavarësisht sa "jo-ortodokse" dhe frustruese që mund të tingëllojë për Hajrullahun dhe subjektet tjera të përfshira në islamin praktikues, njerëz që identifikojnë veten si myslimanë, por konsumojnë alkoolin, ka me bollëk në kulturën kosovare dhe me plot të drejtë meritojnë të kenë zërin dhe përfaqësimin e tyre, pa iu frikësuar stigmatizimit nga ata që po i quaj "myslimanë të devotshëm".

Një këndvështrim ndryshe prej atij të hoxhës më lart, e ofron V.D. rreth komplet narrativës në fjalë, pasi e pyeta "a nihesh keq kur konsumon alkool në Ramazan?”, siç duhet të ndodhë me çdo mysliman.

Pyetje e cila erdhi pas një eksperience të gjatë jetësore në pop-kulturë me subjekte të ndryshme myslimane që konsumojnë alkoolin (por, jo vetëm). Një pjesë e këtyre subjekteve preferojnë ta, siç e quajnë, "respektojnë" muajin e shenjtë, duke mos konsumuar alkool gjatë këtyre 30 ditëve, ani pse nuk agjërojnë.

Përgjigja që mora ishte: "Jo, nuk ndihem keq kur pi alkool në Ramazan. Se alkooli është gjithë i keq me u pi dhe s'lun rol najsen. Alkooli është full toksina, s'është aspak i mirë. Edhe ta godet serotoninën, hormonin e lumturisë ta ulë. Por jom i vetëdijshëm çka jom t'u bo, kështu që s'nihna keq."

I ndjerë se nuk mora përgjigjen në harmoni me pyetjen, shtova edhe pjesën "por unë po e mendoj në aspektin fetar", për të marrë një replikë edhe më interesante, e që nënvizon për mrekulli atë përqindjen që e përmenda më lart të popullatës "myslimane, konsumuese të alkoolit".

"Po aspekti fetar është aspekti njerëzor", tha fillimisht V.D..

"Respekti ndaj Ramazanit është në fakt respekti ndaj vetes. Unë 27 ditë niherë s'pata hongër bukë, e kom respektu veten, jom pastru. Imagjino, kanë dalë fakte shkencore që tregojnë pse s'është mirë me pi alkool. E njerëzit thonë 'hajt se s'o haram', se nuk e kuptojnë as termin 'haram' çka osht'.

Pica osht' haram se të bën keq në organe. Namazi është joga, Muhamedi ka thonë duhet me hongër shëndetshëm. Jezusi ka meditu. Për mu, esenca e Ramazanit është me i ikë shejtanit. Por shejtani është hormoni i dopaminës që të krijon varësi."

Më e pakta që mund të bëjmë në këtë rast, është të respektojmë qëndrimet e tilla. Me pak fjalë, V.D. dhe shumë të tjerë që nuk agjërojnë e konsumojnë alkool, janë shumë të vetëdijshëm për rregullat religjioze që po thyhen, por thjesht kanë vendosur të bëjnë atë lloj jete, që jo domosdoshmërisht i bën njerëz të këqinj.

Sa i përket atyre që pretendojnë ta “respektojnë” Ramazanin duke e kursyer veten nga harami më i madh, duke mos konsumuar alkool gjatë këtij muaji, unë kam lajme jo fort të mira.

Në bazë të asaj që më tha në një bisedë private hoxhë Halil Ahmeti, po del se konsumimi i alkoolit ka peshën e njejtë të mëkatit, si para, si gjatë, ashtu edhe pas tij.

“Përveç veprave të mira të cilat shumëfishohen për nga sevapi në Ramazan, ato çka jane të ndaluara (haram) janë të peshës së njejtë”, u shpreh ai.

Por çka për njerëzit që agjërojnë dhe nuk konsumojnë alkool? Sa e marrin mesazhin e plotë të asaj që vërtetë përfaqëson agjërimi?

Sipas hoxhë Qëndrim Jasharit, agjërim nuk është nëse nuk e bën "nijetin" (planifikim) një natë më herët. Andaj, për disa nga ju që mund t'ju "bjerë rruga" ashtu dhe të mos hani deri në kohën e iftarit, por që nuk e keni planifikuar më herët agjërimin, është e kotë, pasi ajo në aspektin religjioz nuk llogaritet si agjërim.

As 'parada' që iu bëhet sofrave glamuroze në kohë iftari, nuk duket të jetë korrekte me atë që pretendohet të jetë muaj i solidarizimit dhe mishërimit me të pangopurit.

Nga këndvështrimi i joagjëruesit, as kjo që do shihni në foton e mëposhtme nuk është shumë në rregull.

Lokali është mbyllur në "kohë iftari" për 30 minuta. Për ty mysliman joagjërues do të jetë e vështirë të shërbeheni në kohë iftari te ky dyqan, pavarësisht emergjencave që mund të keni.

Por, ej, është koha e iftarit apo jo... të gjithë e kemi parasysh dhe mirë bëjmë me mirëkuptimin që tregojmë.

Derisa myslimanët agjërues me përkushtim dhe devotshmëri kryejnë “obligimin e tyre”, myslimanët alkool-pirës sigurisht se mezi do të presin të përfundojë ky muaj, në mënyrë që të konsumojnë pa u ndjerë fajtorë dhe të stigmatizuar.

Mos harroni, fajët nuk i ka personi, por dopamina (shejtani), i cili i bën njerëzit të varur, siç thotë V.D. më poshtë:

“Na jena tu pasë punë me dopaminën, që është dreqi.”

Lajme të ngjashme