Protesta në Beograd kundër festivalit "Mirëdita, Dober dan" - NACIONALE

Protesta në Beograd kundër festivalit "Mirëdita, Dober dan"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është planifikuar të fillojë festivali “Mirëdita, Dobar dan” në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Megjithatë, para hapjes së festivalit që synon të përbashkojë dy shoqëritë e hasmuara, ka pasur protesta.

Protestat shpërthyen këtë mesditë, ndërsa protestuesit po kundërshtojnë mbajtjen e këtij festivali, që mbahet rregullisht dhe pa ndonjë telashe në Kosovë.

Siç raporton medium opozitar serb “N1”, pesëdhjetë persona janë mbledhur në një shesh të Beogradit, duke penguar të tjerët për t’u futur në vendin ku pritej të organizohej hapja e festivalit.

Ata në duar kanë mbajtur disa flamuj të Serbisë dhe kanë brohoritur parulla. Protestuesit kanë kundërshtuar mbajtjen e festivalit, duke akuzuar se ai promovon Kosovën e pavarur.

Ndërsa sipas mediumit tjetër serb “Novosti”, protestuesit janë nga grupet e fansave të Crvena Zvedzës, një nga klubet më të mëdha të Serbisë.

Në një grup në Telegram, tifozët e këtij klubi, që njihet për traditë nacionaliste, ka ftuar për protestë, duke përdorur edhe propagandë.

“Përderisa fëmijtë serbë po vuajnë në Kosovë, a duhet kryeqyteti serb të promovojë një Kosovë të pavarur? Nuk do të mund ta bëjë këtë” – thuhet në mesazhin e këtyre fansave.

Festivali “Mirëdita, Dobar dan” mbahet që nga viti 2014 dhe është festival që përbashkon artin, kulturën, avokimin dhe debatin publik.

Ky festival synon të mbledh artistët, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe aktivistët e paqes nga Kosova dhe Serbia, duke nxitur perspektivën regjionale dhe forcuar bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes.

Lajme të ngjashme