Për herë të parë arrihet të fotografohet vrima e zezë supermasive në qendër të Rrugës së Qumështit - NACIONALE

Për herë të parë arrihet të fotografohet vrima e zezë supermasive në qendër të Rrugës së Qumështit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një imazh i vrimës së zezë supermasive në ‘zemër’ të Rrugës së Qumështit është kapur, duke dhënë pamjen e parë të drejtpërdrejtë të "gjigantit të butë" në qendër të galaktikës sonë.

Vetë vrima e zezë, e njohur si Shigjetari A *, nuk mund të shihet sepse asnjë rreze drite apo materie nuk mund t'i depërtojë ‘ngjeshjes’ së saj gravitacionale.

Por hija e saj gjurmohet nga një unazë e ndezur dhe e turbullt drite dhe materies që rrotullohet me një shpejtës të afërt me atë të dritës.

Imazhi u kap nga teleskopi Event Horizon (EHT), një rrjet prej tetë radioteleskopësh që përfshin vendndodhje nga Antarktida në Spanjë dhe Kili, që prodhoi imazhin e parë të një vrime të zezë në një galaktikë të quajtur Messier 87 në vitin 2019.

Prof. Sera Markoff, një astrofizikane në Universitetin e Amsterdamit dhe bashkë-kryetare e Këshillit Shkencës EHT, tha: "Vrima e zezë e Rrugës së Qumështit ishte objektivi ynë kryesor, është vrima e zezë supermasive më e afërt që kemi, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja pse ne vendosëm ta bëjmë këtë gjë në radhë të parë. Ka qenë një kërkim 100-vjeçar për këto gjëra dhe kështu, shkencërisht, është një punë e madhe.”

Imazhi ofron prova bindëse se ekziston një vrimë e zezë në qendër të Rrugës së Qumështit, e cila kishte qenë supozimi kryesor astronomëve. Një pakicë shkencëtarësh kishin vazhduar të spekulonin në lidhje me mundësinë ekzistencës së objekteve të tjera ‘ekzotike’, të tilla si yjet e bozonit apo grumbullime të materies së errët.

“Personalisht jam i lumtur për faktin se kjo nxjerr në pah faktin që padiskutim ka një vrimë të zezë në qendër të galaktikës sonë”, tha Dr. Ziri Younsi, një anëtar i bashkëpunimit EHT me bazë në University College London.

Për syrin ‘e pastërvitur’, imazhi i fundit mund të duket afërsisht i ngjashëm me atë të vrimës së zezë, M87*, por të dy objektet janë jashtëzakonisht të ndryshme, sipas ekipit të EHT.


M87*, që u fotografua në vitin 2019. Photograph: EHT/Zuma/Rex/Shutterstock

Shigjetari A* ‘konsumon’ vetëm ‘një pjesë’ të materies, në kontrast me përshkrimin tipik për vrimat e zeza: përbindëshe e grabitqare të kozmosit.

"Nëse SgrA* do të ishte një person, do të konsumonte vetëm një kokërr oriz çdo një milion vjet", tha Michael Johnson i Qendrës Harvard-Smithsonian për Astrofizikë.

M87*, përkundrazi, është një nga vrimat e zeza më të mëdha në univers dhe përmban “motorë” të mëdhenj e të fuqishëm që lëshojnë dritën dhe materien nga polet e tij në hapësirën ndërgalaktikore.

"Sgr A* po na jep një pamje në gjendjen shumë më standarde të vrimave të zeza: qetë e qetë", tha Johnson.

"Është emocionuese sepse është e zakonshme."

Vëzhgimet më të fundit duket se tregojnë gjithashtu se këndi i rrotullimit të vrimës sonë të zezë nuk është i lidhur mirë me rrafshin galaktik, por është i larguar me rreth 30 gradë dhe lë të kuptohet për një aktivitet magnetik spektakolar, të ngjashëm me atë që shihet në atmosferën e Diellit.

Përtej shkencës, astronomët përjetuan një lidhje emocionale me përfundimin e shikimit të objektit enigmatik rreth të cilit rrotullohet galaktika Rruga e Qumështit, konceptualisht ‘shtëpia jonë’.

"Është një tjetër ‘tortë’, por është ‘torta’ jonë", tha Younsi.

Pavarësisht se ishte lokal në terma astronomikë – rreth 26000 vite-dritë larg, vëzhgimi i SgrA* doli të ishte më sfidues nga sa pritej.

Ekipi kaloi pesë vjet duke analizuar të dhënat e marra gjatë ‘qiejve të kthjelltë’ nëpër disa kontinente, që nga prilli i vitit 2017.

Shigjetari A* është relativisht i vogël, që do të thotë se pluhuri dhe gazi në diskun e tij të grumbullimit, orbitojnë në pak minuta dhe jo në javë, duke krijuar një objektiv lëvizës nga një vëzhgim në tjetrin.

Markoff i krahasoi vëzhgimet me përpjekjen për të fotografuar një qenush duke lëvizur bishtin e tij duke përdorur një aparat fotografik me një shpejtësi të vogël të diafragmës.

Shkencëtarët gjithashtu duhej të shikonin përmes rrafshit galaktik dhe të filtronin yjet ndërhyrës dhe retë e pluhurit nga imazhet e tyre. Disa kombinime të këtyre faktorëve – dhe ndoshta një fenomen ekstrem i vrimës së zezë – shpjegojnë njollat e ndritshme në imazh. "Ne nuk e kishim parashikuar se sa evazive dhe e pakapshme do të ishte", tha Younsi. “Ishte vërtet një foto e vështirë për t'u bërë.”

EHT merr rrezatimin e emetuar nga grimcat brenda diskut të grumbullimit që arrijnë temperaturë në miliarda gradë, ndërsa orbitojnë vrimën e zezë përpara se të zhyten në vorbullën qendrore.

Njollat në imazh tregojnë dritën e përkulur nga graviteti i fuqishëm i vrimës së zezë, e cila është 4 milion herë më masive se ajo e Diellit tonë.

Në fund të fundit, shkencëtarët shpresojnë se vëzhgimi i një sërë vrimash të zeza – mund të ndihmojë në përgjigjen e një pyetjeje të tipit ‘pula apo veza’ rreth evolucionit të galaktikave.

“Është ende një pyetje e hapur rreth formimit dhe evolucionit galaktikor. Ne nuk e dimë se cila erdhi e para, galaktika apo vrima e zezë”, tha Prof. Carole Mundell, një astrofizikane në Universitetin e Bath, e cila nuk është pjesë e bashkëpunimit EHT.

"Nga këndvështrimi i teknologjisë është befasuese që ne mund ta bëjmë këtë", tha ajo për imazhet e fundit.

Lajme të ngjashme