Për ata që pushojnë të hënën: Ja një film erotik/horror i sapodalë që ia vlen të shikohet
X – IMDB: 6.9
Është viti 1979 dhe gjashtë të rinj shpërngulen në një fermë në mes të ledinave e larg urbanizmit.
Arsyeja e udhëtimit të tyre drejt lokacionit, është krijimi i një materiali pornografik, me elemente të jetës në fshat, saktësisht fermës. Në film përfshihen karaktere interesante, nga iniciatori i cili është i fiksuar pas materialit dhe të mirave që vijnë qoftë edhe nga ushtrimi i aktiviteteve jo të pranueshme dhe socialisht të dënueshme.
Në xhiron udhëtuese me furgon pjesëmarrës janë edhe regjisori 'RJ', i cili dëshiron të bindë botën se në fakt mund të bëhet një film i mirë erotik, i përcjellë nga e dashura e tij hezituese 'Lorraine'.
'Bobby' dhe 'Jackson' janë dy aktorët që do ta jetësojnë projektin, me pjesëmarrjen e tyre në atë që feja e etiketon si mëkat të rëndë.
Gjithçka përcillet me një atmosferë brilante të vendosur nga regjisori, po flasim për regjisorin e vërtetë të filmit 'X', Ti West, i cili me ngulm vendos disponimin e viteve të 70-ta me fotografinë dhe veshjet karakterizuese për atë periudhë.
Personalisht, nuk do të thoja se entuziazmin e kisha konsistent përgjatë tërë filmit, i cili nganjëherë më jepte një mpirje, që përcillej me ndonjë humbje fokusi. Herë pas here, nuk është se brengosesha shumë që nuk po i shihja ca momente nga skena të ndryshme, të cilat kalonin derisa unë shikoja në telefon kot. Për ca ekspertë të filmit, kjo nuk është e këndshme të dëgjohet e lexohet, por unë dhe njerëzit si unë përfaqësojnë një shumicë në shoqëri.
Llogarit këtu se jam person që shikoj filma rregullisht, në baza ditore, legjitimiteti i asaj që thashë pak më lart forcohet edhe më shumë tek ata që nuk e kanë filmin profesion, por kanë njëfarë intuite të dallojnë filmin e mirë nga mediokri dhe i keqi... përveç nëse jeni ai lloj i tipit që gjerësisht në shoqëri quhet 'bajat njeri' dhe konteston gjithçka dhe çdo gjë, e që fokusohet më shumë t'ia dëshmojë të kundërtën tjetrit se sa ta shijojë jetën për atë që është dhe si është.
Andaj, konsideroj se 'kritikët' si unë duhet të jenë pikë referente nëse dëshironi të dini nëse ndonjë film ia vlen apo jo. Përndryshe, shumë thjesht mund të përfundoni duke shikuar diçka që zgjatë 3 orë e 30 minuta, e që është i ngadaltë, pa dinamika, por të cilin 'ekspertët prestigjiozë' të filmit e konsiderojnë si 'madhështor'.
Sa i përket filmit në fjalë që isha duke e elaboruar... ku mbetëm?! Ah, po, ekuipazhi shkon në fermë me qëllimin për të krijuar projektin pornografik që supozohej të bënte bujë në industrinë e filmit. Ferma në fjalë është pronësi e një çifti të vjetër, me burrin që fillimisht dyshon në pretendimet e ekuipazhit por beson se ata thjesht po pushojnë në shtëpinë e mysafirëve, të cilën e morën me qera.
Është një miks i gothit amerikan dhe filmit si ai i njohuri te kosovarët 'Wrong Turn', me disa skena ekstremisht të dhunshme.
Plaku, i cili ia lëshon me qera shtëpinë grupit, del se nuk është seksualisht aktiv dhe nuk mund t'i kryejë obligimet e tij ndaj bashkëshortes, e cila është e fiksuar pas intimitetit dhe epshit që shkakton seksi.
Mirëpo, plaku ka një problem me zemër dhe gjatë filmit bëhet e ditur disa herë se ai nuk bën seks me gruan e tij, për shkak se frikësohet se mund ta lëshojë zemra dhe të vdesë. Po, edhe komedia e zezë futet në miks të horrorit, erotikës dhe misterit.
Plaka, qartazi e dëshpëruar për vëmendje seksuale, një ditë shkon dhe vështron nga afër atë që po ndodh te qiraxhinjtë në shtëpinë tjetër dhe... çfarë të shohë? Seks i zhurmshëm dhe kamerë duke xhiruar.
Gjithçka fillon të eskalojë kur njëri prej të rinjve të grupit refuzon intimitetin e plakës, e kjo pastaj e vret brutalisht, në skena drithëruese të shpërlarjes në gjak, teksa ngul thikën mbi trupin e viktimës disa herë.
Gjeneralisht, nuk është filmi juaj i zakonshëm nëse jeni duke kërkuar atë dinamikën e zhvillimeve ortodokse, që mund ta shikoni pa siklet me familje.
Në fakt, përkundër që isha vetë në dhomë, u desh të ndaloja tërësisht zërin në skenat eksplicite, derisa në film po xhirohej klipi pornografik... të bërtiturat e rënkimet gjejnë përfaqësim dinjitoz në ato skena.
Është prodhim i kompanisë 'A24', e cila ka fituar reputacion kredibil në vitet e fundit duke krijuar filma të veçantë dhe tema jo fort të dëgjuara e të para më herët.
Sa jemi te 'A24', një përmendje që ia vlen për këtë kontekst është edhe "The Death of Dick Long". Nuk është film për çdokë, por është një prej storieve më interesante që kam parë ndër vite.
Për ju pushuesit e pesë të hënave rresht, janë opsione të rekomandueshme, jo shumë të zakonshme, që t'i përcillni së bashku me partnerin/en, pasi t'i keni vënë fëmijët në gjumë.