Një histori pikëllimi dhe ripërtëritjeje në një botë padrejtësie - NACIONALE

Një histori pikëllimi dhe ripërtëritjeje në një botë padrejtësie

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kur Chinonye Chukwu-t iu kërkua të drejtonte Till, filmin e ri për aktivisten e të drejtave civile Mamie Till-Mobley dhe linçimin e djalit të saj Emmett Till në vitet 1950, regjisorja sapo kishte prezantuar filmin e saj artistik Clemency në “Sundance Film Festival” (ku u bë gruaja e parë me ngjyrë që fitoi çmimin e madh prestigjioz të jurisë).

Për Clemency, i cili tregon historinë e një rojeje burgu të luajtur nga Alfre Woodard, Chukwu kishte rrëmuar shumë nëpër botën e sistemit të burgjeve. Pas vlerësimit publik që mori, ajo nuk ishte e sigurt nëse kishte kapacitetin të trajtonte historinë brutale të vrasjes së Till-it dhe, rrjedhimisht, pikëllimin dhe aktivizmin e nënës së tij.

“Ishte për shkak të asaj zhvendosjeje sizmike në jetën time, si dhe nevoja ime për t’u rikalibruar emocionalisht pas atij udhëtimi thellësisht rrëmbyes, që më bëri të mendoj: ‘A jam gati të drejtoj filmin Till?’’’ – thotë ajo.

Kur u takua me producentët, ajo paraqiti një sërë kërkesash që nuk mendonte se do t’i kishin pranuar. Asaj i duhej të shkruante skenarin dhe ta bënte në një mënyrë që do ta vinte Mamie, të luajtur nga Danielle Deadwyler, në qendër të vëmendjes.

Ajo refuzoi të shfaqte “dhunë fizike të ushtruar mbi trupat e njerëzve me ngjyrë”, dhe donte “që historia të kishte një fillim dhe fund të gëzuar”.

Kërkesat e saj u plotësuan dhe vepra rezultoi të ishte edhe rrënuese edhe edukative në mënyrën e saktë që trajton një nga ngjarjet më të tmerrshme të historisë amerikane.

Akti i dëshmimit zë vend qendror në historinë e Emmett Till, një djali 14-vjeçar i cili u vra në vitin 1955 në Misisipi pasi akuzohej se kishte fyer një grua të bardhë në një dyqan ushqimor. Mamie kërkoi që trupi i djalit të saj të dërgohej në Çikago, në vendlindjen e tij, dhe që shtypi dhe publiku të shihnin se sa mizorisht e kishin trajtuar.

Në skenën ku Mamie sheh kufomën e Emmett-it për herë të parë, Chukwu ka zgjedhur ta fshehë trupin pas një tavoline në morg, ndërsa Mamie e vështron thellë para se kamera të zhvendoset, për të zbuluar atë që ajo po shikon.

Është për nder të atij momenti të sajin”, thotë Chukwu, duke shtuar, “U sigurova që skena të shfaqte një pamje njerëzore të trupit të Emmett-it dhe të mos e objektivizonte atë. Ne nuk nxitohemi dhe nuk e shohim trupin e Emmett-it, ashtu siç e sheh Mamie”.

Në fund të fundit, përshkrimi që i bëhet nënës së tij është arsyeja pse Chukwu donte të tregonte këtë histori të fuqishme.

Ajo që më tërhoqi tek Till ishin negociatat vërtet njerëzore që Mamie duhej të bënte, qëllimi pas strategjive dhe vendimit të saj, kompleksiteti i të qenit një grua 33-vjeçare me ngjyrë e klasës së mesme dhe dimensionet e ndryshme të komunitetit dhe botës së saj”, thotë ajo. “Kush është ky person që kaq shpesh nuk vihet në qendër të kësaj historie?”.

Ishte ai kuriozitet që e shtyu regjisoren të tregonte mekanizmat e brendshëm të dënimit me vdekje dhe të prezantonte një aktiviste me rëndësi të madhe te një brez i ri në një mënyrë që ndihej reale.

Vizitat në vendet ku ndodhën ngjarjet dhe bisedat me njerëzit që e njihnin Mamie vetëm sa e forcuan misionin e Chukwu. “Ai i heq këto figura të rëndësishme historike nga piedestalet e tyre, duke më kujtuar se këto janë në të vërtetë qenie njerëzore”, thotë ajo. “Kjo e nxiti edhe më shumë qëllimin tim për t’i humanizuar të gjithë”.
“Till” po shfaqet tani në kinematë amerikane dhe nga janari 2023 do të shfaqet në mbarë botën por nuk dihet nëse do të shfaqet në Kosovë.

Esther Zuckerman është gazetare e industrisë së argëtimit, artikujt e së cilës janë botuar në Thrillist, Entertainment Weekly, Vanity Fair dhe Refinery29

Lajme të ngjashme