Në Novobërdën e shkruesve dhe përkthyesve - NACIONALE

Në Novobërdën e shkruesve dhe përkthyesve

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Kalaja e vetmuar e Novobërdës, që naltohet mbi një sukë të Gollakut afër lumthit Krivë, ka plot histori të panjohura. Ato nuk gjejnë vend as në përshkrime guidash, as në njësi enciklopedike, e hiç-se-hiç në historishkrimin gati inekzistent shqiptar. Njohuria e përgjithshme mbi Novobërdën është ajo për një qytet mesjetar që bëri emër për pasuritë e tij gati absurde në argjend e ar. Një udhëtim për qejfi i bërë të dielën ishte një mundësi për ta përjetuar tjetrazi Novobërdën. Sikur ta marrim vitin 1440 si kuadër të lirë imagjinate, në rrugët e këtij qyteti shkelën njerëz të mëdhenj të letrave…

Col MEHMETI

8 shtator 2025 – Citadela e rindërtuar e Novobërdës dhe mbijetojat e mureve janë ngulitur si pjesë e peizazhit modest turistik të Kosovës.

Udhëtimi drejt saj është një përzierje ndjesish.

Ai pak gëzim që të galdon kur e sheh nga larg Novobërdën e naltësuar mbi fshatin Bostan soset kur sheh anash rruge.

Është një dhimbje therrëse që vjen nga një iluzion ekologjik me të cilën po furet Kosova. Kudo në kurrize kodrash vargisen villa druri. Por ndalesat ligjore për ndërtime të betonta nuk i bëjnë të pranueshme ndërtimet jo të betonta.

Madje bash ndërtimet e drunjta janë njëfarë anestezioni psiqik për shpërfytyrimin e pakthyeshëm të natyrës.

Nga ana e fshatit Vllasali, faqe të tëra mali janë kafshuar e shëmtuar nga buldozerët për t’iu bërë vend villave rekreacionale.

Llokma të tëra të kodrinave përkarshi janë shpyllëzuar në pritje të villave e resorteve të ardhme.

Qyteti u përbi nga historia...edhe pyjet njësoj

Ja që sapo ndodhesh afër kalasë përnjëherë shkëputesh nga shëmtia në krahun veriperëndimor.

Sanimet e herëpashershme të kalasë nuk është se e kanë mpakur ndjesinë rrokakrejtëse të braktisjes disashekullore.

Nga ana juglindore e kalasë, sytë të hanë një hapësirë me fare pak ndërtime e që mezi shquhen në jeshillëkun e thellë. Duket se ajo është e vetmja reminishencë e asaj xhungle të dikurshme pyjore.

Si qyteti më i rëndësishëm xehtar e tregtar i shekullit të 15-të, Novobërda ka përftuar interesim të nduarnduartë mes medievistësh.

Ajo është udhëkryq ku takohen studiues zanati nga fushat e bizantinistikës, sllavistikës e osmanistikës.

Mali i Ri ose ëndrra e xehtarëve që krijoi metropol mesjetar

Kësodore, tekstet e zakonshme që shërbejnë si guida për Novobërdën janë të prirura të privojnë lexuesin nga visaret e vërteta qytetërimore të para gati gjashtë shekujsh.

Fillet e ekzistencës së saj mbërrijnë në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë si një tjetër rrëfim për ato qytete që u farëzuan nga veprimtaritë e gjalla xehtare.

Mes viteve 1304 dhe 1319, një grumbull urban kishte marrë trajtë e quhej Nyeberghe prej minatorëve sasë (saksonë), të cilët prej dekadash po vendoseshin në Ballkanin jugor për shkak të dijeve të tyre xehtare.

Mali i Ri, ose Novomonte siç quhej në harta e korrespodenca tregtare, u imponua fare shpejt si qytet me nam duke u bërë rezidencë për tregtarë venedikas e raguzanë.

Lidhjet e qytetit mbërrinin gjer në Selanik, Sofie, Kostandinopojë, Edrene e tutje edhe në Perëndim.

Bereqeti xehtar ishte marramendës sa në messhekullin e 14-të aty ndodhej miniera më e madhe për prerjen e monedhave të argjendta.

Xehënxjerrja e argjendit glama (një aliazh argjendi e ari) prodhonte pasuri të tilla sa nga Novobërda bëheshin dhurata vjetore edhe për manastire ortodokse si ai i Hilandarit në Atos.

Sipas një dekreti të vitit 1348 të Car Dushanit, çdo vit këtij manastiri do t’i dhurohehej argjend Novobërde në vlerë prej katër mijë perperësh (“у Новомь Брьдѣ сребра за четири тисѹштѹ кѹсталтѹхъ перпери").

Mbretër, zotër e familje

Për aq sa shkon historia e kronikuar dokumentarisht, qyteti ndërroi zotër mjaft shpesh.

Nga Përlepnica e afërt dolën Hrebeljanoviqët, më i njohuri prej të cilëve ishte Llazari (1329 –1389).

Një dokument raguzan i vjetit 1388 vë në dukje se qyteti drejtohej prej një mëkëmbësi të knjaz Llazarit (“Gojslavu kefalii kneza Lazara i purgarom Novobrdscěm”).

Pas betejës së Kosovës më 1389, qyteti në tri dekadat e mëpastajme do të sundohej prej të birit të Llazarit, Stefan Llazareviqit, e pas tij prej Gjuragj Brankoviqit.

Rëndësia e qytetit ishte tanimë e njohur për këdo në Ballkan, ndaj jo rrallë rastiste që para mureve të shfaqeshin kërcënueshëm ushtritë e Muratit II.

Një qytetar raguzan me emrin Piercho de Baso, në testamentin e tij që e shkroi më 25 shkurt 1427, përmendte se aty pranë ishte ngritur kampi osman (“in hoste de Murathbegh sotto de Nouomonte”).

Qyteti i të ikurve, qytet i argjendit dhe arit


Tmerri osman ishte në njëfarë mënyre fat në fatkeqësi. Kjo sepse në Kosovë do të mësynin plot ikanakë nga Bullgaria e mundur, e madje edhe nga Selaniku e Kostandinopoja që rrezikoheshin përhershmërisht nga osmanët.

Në këto anë ia behën njerëz letrash si Grigorij Camblaku e Konstantin Kostenečki, i mbiquajtur ‘Filozofi’.

Mbresa që ky i fundit mori nga Novobërda e viteve 1420 duhet të ketë qenë e tillë që ia arsyetonte namin që kishte marrë dhénë. Në sytë e tij ky vërtet ishte qytet argjendi e ari (“naistina grad srebŭren i zlaten”).

Megjithatë, Novobërda duhet të shijohet përtej imazhit të një El Dorado mesjetare.

Atë e madhështoi fakti që në popullatën e saj prej 4-5 mijë banorësh rrnonin edhe njerëz me talente të mbizakonta që lanë pas vete trashëgimi të madhe me tekste të elaboruara laike e fetare.

Skënderbeu i njihte ato vende...


Le ta bëjmë një përfytyrim në caqet e së lejueshmes a thua sikur jemi në vitin 1440.

Në Novobërdën e atij viti, në qytet ose lagjet e tij, kishte shkelur vetë djali i vogël i Gjon Kastriotit, Gjergji. Ai ishte Skënderbeu i ardhshëm.

Ekziston një mundësi e mirë që Gjergj Kastrioti i ri në krye të reparteve ushtarake të Kastriotëve të ketë marë pjesë në rrethimin e parë të Novobërdës në gusht të 1439-s si vartës i Muratit II.

Fushata osmane që zgjati nga 1439 deri më 1441 kaloi me dy beteja si ajo në Graçanicë dhe Makresh, ku forcat mbrojtëse të Novobërdës pësuan humbje.

Marin Barleti do ta kreditonte suksesin osman mu për shkak të Skënderbeut dhe njohjes së tij të gjeografisë së Kosovës (“Scanderbeg, consilio operaque in ea expeditione potissimum usum fuisse Amurathem dicunt, quoniam pluribus antea bellis feliciter gestis, locorum et regionis peritior erat”).

Novobërdasi Martin – kulturë dhe humanizëm


Më 1440, në vitin tonë imagjinar, në Novobërdë jetonte edhe një fetar katolik me kulturë humaniste. E quanin Martin Segoni.

I arsimuar në Padovë për jurisprudencë dhe kanonizëm, Segoni shkroi në latinishte pedante e në italisht tekste që edhe sot janë kërkuese për nga vlerat.

Nga duart e tij doli i pari jetëshkrim për Skënderbeun i quajtur “Narrazioni di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scander beg, cioe Alesandro Magno” (Tregim nga Turqit për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën e tyre Skanderbeg, domethënë Aleksandër i Madh).

Pena e tij nxiu edhe një tekst gjeografie që kur u shkrua u mendua me qëllimin e vetëm për t’u lexuar para Papës Siksti IV.

Përshkrimet e novobërdasit katolik përqëndroheshin goxha shumë edhe për viset shqiptare, të cilat i quante me emra të moçëm klasikë si Dardani, Epir e Maqedoni.

Novobërdasi Gjergj – diplomaci e shkrim


Kësokohe në qytet duhet të ketë jetuar edhe novobërdasi tjetër me emrin Gjergj Pelini i lindur në një familje sojlike katolike.

I njohur kudo me emrin e vendlindjes (“de Novomonte”), ai bëri emër qysh në atë kohë si ndërmjetës i shkathët diplomatik në marrëdhëniet shpesh të vështira mes zotërve lokalë të Kosovës dhe Venedikut.

Kur mbaroi lufta mes Skënderbeut dhe Venedikut, Pelini qe njëri nga figurat kyçe në bisedimet diplomatike që u kurorëzuan me paqe.

Gjatë gjithë viteve ’50 të shekullit të 15-të, ky novobërdas kreu shërbime të vlefshme prej shkronjësi e diplomati në qarkun e afërt të Skënderbeut.

Novobërdasi Konstandin – luftë e kujtime


Më 1440, fare i ri në moshë, andejpari duhet të ketë qenë një djalosh me emrin Konstandin.

I lindur në fshatin Hostricë (Medeci i sotëm), familja e tij mund të ketë qenë greke ose së paku e tillë që e zotëronte mjaft mirë gjuhën dhe kulturën bizantine.

I zënë rob në një nga rrethimet e Novobërdës, me shumë gjasë në atë të 1455-s, ai ishte në mesin e qindra djemve të ri që u morën nga osmanët për t’u bërë jeniçerët e ardhshëm.

Diku në vitin 1499, ai shkroi kujtimet e tij prej rrëmbimit në duart e armiqve të tij e deri te fushatat ushtarake në të cilat mori pjesë vetë.

Në dhjetëra edicione të botuara në çekisht e polonisht, Kostandini i bëri jeh edhe luftës së Skënderbeut. Njësoj siç bëri bashkëvendësi i tij Martin Segoni që e popullarizoi heroin shqiptar në Itali, edhe ky novobërdas e përjetësoi rezistencën e madhe antiosmane të shqiptarëve duke e bërë të njohur për publikun në Evropën e Mesme.

Novobërdasi Vladislav – tekste, fetarësi e përkthime

Në vitin 1440 duhet të ketë qenë si nja 20 vjeç ose edhe më shumë një murg e teolog i quajtur Vladislav.

I njohur përgjithësisht si Vladislav Gramatiku, ai bëri emër me tekstet e tij, plot prej të cilave ishin përkthime.

Si njohës i thekur i greqishtes bizantine, Vladislavi si fetar i rysur në vitet 1460 përvoli mëngët që ta përkthente në sllavishten kishtare veprën e Euthymius Zigabenusit “Panoplia Dogmatika” (Mburoja e besimit). Pjesë të këtij përkthimi ruhen si pjesë e dorëshkrimeve të tij në Zagreb.

Me sa duket ortodoksia e tij ishte aq e fortë dhe e palëkundur sa të zgjidhte përkthimin e një teksti të tillë bizantin që shprehte kritika të pamëshirshme ndaj lëvizjeve heretike fetare, veçmas bogomilizmit.

Si përkthyes i Zigabenusit, Vladislavi novobërdas shprehte shqetësimin e tij që edhe ‘mbretëria greke’ qe prekur në shumë pjesë nga heretikët.

Novobërdasi Dhimitër – përkthyesi nga greqishtja


Edhe më i ri në moshë, mbase 5 vjeçar, duhet të ketë qenë Dhimitër Kantakuzeni.

Si pjesë e familjes bizantine Kantakuzeni që ishte vendosur në Kosovën e shekullit të 15-të, babai i tij shërbeu si zyrtar në doganën e Novobërdës.

Duke qenë pjesë e rretheve sunduese të Novobërdës që e kushtëzonte edhe përvetësimin e sllavishtes kishtare, Dhimitri u bë i pari që përktheu pjesë nga tekste të letërsisë klasike greke si Eskili e Pindari.

Novobërdasi Mahmud – komandant dhe poet divanesh


Në këtë kohë mund të ketë qenë rreth 20 e ca vjeç edhe një i ri emrin e të cilit nuk e dimë fare.

Dimë vetëm se ishte i familjes bizantine të Engjullorve (Angeloi), të cilët nga Epiri e Thesalia u vendosën edhe në Kosovë.

Ndonjë studiues thotë se ai e kishte njëfarë lidhje të largët edhe me derën feudale të Spanajve shqiptarë që prej kohësh kishte fituar pozita në Novobërdë.

Edhe ai njësoj si bashkëvendësi i tij Kostandin ra në duart e osmanëve dhe u arsimua si içoğlan në pallatin e sulltanit.

Duke përparuar shpejt e bindshëm në hierarkinë e asokohshme ushtarake përmjet aftësive të tij ushtarake, ky novobërdas, tashmë me emrin Mahmud, më 1467 mori pjesë në fushatën e sulltanit Mehmeti II kundër Skënderbeut.

Ndryshe prej bashkëatdhetarëve të tij novobërdas që shkruajtën në latinisht, italisht, sllavisht e greqisht, Mahmudi e sprovoi veten edhe në letërsi.

Autorësinë e tij, së paku më llagapin Adni, e mbajnë plot divane që i shkroi në persisht. /Nacionale/


Lajme të ngjashme