Në majat e botës: dizajnerja kosovare që po jeton ëndrrën e saj
Dizajnerja e modës nga Gjakova, Fjolla Qela, së fundi ka pasur dy fustane të saj të paraqitura në vende të ndryshme të botës - njërin në tapetin e kuq të SAG Awards në Los Angeles muajin e kaluar, dhe tjetrin në magazinën prestigjioze të modës Harper's Bazaar Vietnam para pesë dite. Në një intervistë ekskluzive për Nacionale, ajo shpalos detaje nga sukseset e saj të fundit në njërën prej industrive më konkurruese në botë.

Nga atelieja juaj e modës në Gjakovë, në tapetin e kuq të SAG Awards në Los Angeles. Si ndodhi bashkëpunimi me aktoren Naz Perez?
Bashkëpunimi ishte shumë spontan. Koleksioni ynë i fundit tashmë ndodhet në një showroom në Los Angeles, nga ku ka filluar edhe bashkëpunimi me Naz Perez për eventin e SAG Awards. Nga shumë veshje të dizajnerëve të ndryshëm që gjenden ne atë showroom, stilisti i Naz Perez bashkë me artisten përzgjodhën fustanin tonë.
Çfarë ndjenje patët kur fustani i dizajnuar nga ju u pa nga 1.8 milionë njerëz që po ndiqnin SAG Awards live në TV?
Ishte definitivisht një ndjenjë e papërshkruar. Fakti që një fustan u pa nga emrat më të njohur dhe më me ndikim në botën e kinematografisë atë natë, dhe u fotografua nga qindra fotografë të ndryshëm të magazinave botërore, ishte një ndër arritjet e mia më të mëdha që u bë realitet.

Nuk kaluan as dy javë dhe një kreacion tjetër i juaji u shfaq në magazinën madhështore të modës Harper’s Bazaar Vietnam. Si do ta përshkruanit këtë përvojë?
Një sukses tjetër ky, të cilin do ta kujtoj gjithmonë, duke marrë parasysh rëndësinë e magazinës Harper’s Bazaar në botën e modës. Ishte thjesht plotësim i rrugëtimit të parë, duke e përmbushur edhe veten si dizajnere, por edhe brendin duke e ngritur në një nivel ndërkombëtar.

Cila është ëndrra e juaj për të ardhmen e afërt si dizajnere e modës?
Ëndrra ime është vazhdimi i këtij rrugëtimi, bashkëpunimi me figura të njohura publike botërore, e pse jo edhe transformimi në një brend botëror një ditë. Kjo do të ishte avantazh edhe për vendin tonë Kosovën, që të kemi sa më shumë përfaqësime internacionale në fusha të ndryshme.