Në cilën pjesë të trurit ruhen kujtimet?
Hulumtimet e reja sugjerojnë se kujtimet mund të ruhen në lidhjet ndërmjet qelizave të trurit tuaj.
Të gjitha pajisjet që shërbejnë për ruajtjen e informatave, filluar nga truri e deri RAM-i i kompjuterit tuaj, i ruajnë informacionin duke ndryshuar cilësitë e tyre fizike. Më shumë se 130 vjet më parë, neuroshkencëtari Santiago Ramón y Cajal sugjeroi për herë të parë idenë se truri ruan informacionin duke riorganizuar lidhjet, ose sinapset, ndërmjet neuroneve.
Që atëherë, neuroshkencëtarët janë përpjekur të kuptojnë ndryshimet fizike që lidhen me formimin e kujtesës. Por vizualizimi dhe hartëzimi i sinapseve është sfidues për t'u bërë. Kjo ngase sinapset janë shumë të vogla dhe të ‘paketuara’ fort ndërmjet vete. Ato janë afërsisht 10 miliardë herë më të vogla se objekti më i vogël që një MRI klinike standarde mund të vizualizojë. Për më tepër, ka afërsisht 1 miliard sinapse në trurin e një miu, të cilin studiuesit shpesh e përdorin për të studiuar funksionin e trurit, dhe ato të gjitha kanë të njëjtën ngjyrë të errët në të tejdukshme sikur indet që i rrethojnë.
Megjithatë, një teknikë e re imazherike, ka mundësuar ‘t’i ndjekim’ sinapset gjatë formimit të kujtesës. U zbulua se procesi i formimit të kujtimeve të reja ndryshon mënyrën se si qelizat e trurit lidhen me njëra-tjetrën. Derisa disa zona të trurit krijojnë më shumë lidhje, të tjerat i humbasin ato.
Harta e kujtimeve të reja te peshqit
Më parë studiuesit u fokusuan në regjistrimin e sinjaleve elektrike të prodhuara nga neuronet. Këto studime kanë konfirmuar se neuronet ndryshojnë ‘përgjigjen’ ndaj stimujve të veçantë pasi të formohet një kujtim, mirëpo ata nuk arrinin të përcaktonin se çfarë i shtyn ato ndryshime.
Për të studiuar se si truri ndryshon fizikisht kur formohet një kujtim i ri, hulumtuesit krijuan harta 3D të sinapseve, para dhe pas formimit të kujtesës. Si subjekt studimi u zgjodh peshku zebra, ngase ata janë mjaftueshëm të mëdhenj për të pasur tru që funksionon ngjashëm me atë të njerëzve, por edhe të vegjël dhe mjaft transparent për të ofruar një imazhim të trurit ‘të gjallë’.
Për të nxitur një kujtesë të re te peshku, u përdor një lloj i të mësuarit, i quajtur kushtëzimi klasik. Kjo përfshin ekspozimin e një kafshe ndaj dy llojeve të ndryshme stimujsh në të njëjtën kohë: njëri neutral – që nuk provokon ndonjë reagim dhe tjetri ‘i pakëndshëm’ – që kafsha përpiqet ta shmangë. Kur këta dy stimuj çiftohen, kafsha i përgjigjet stimulit neutral sikur të ishte stimuli i pakëndshëm, duke treguar se ka krijuar një kujtesë associative, pra i ka lidhur këta stimuj.

Peshqit zebra janë modele veçanërisht të përshtatshme për kërkime në neuroshkencë.
Si një stimul i pakëndshëm, u bë një ngrohje e lehtë e kokës së peshkut me një lazer me dritë infra të kuqe. Kur peshku lëvizi bishtin, kjo u mor si një tregues se ai donte të ikte. Kur peshku ekspozohet më pas ndaj një stimuli neutral, një dritë që ndizet, lëvizjet e bishtit do të thotë se po e kujton atë që ndodhi kur hasi më parë në stimulin e pakëndshëm.
Për të krijuar hartat, gjenetikisht u projektua një peshk zebra me neurone që prodhojnë proteina fluoreshente që lidhen me sinapset dhe i bëjnë ato të dukshme.
Më pas sinapset u fotografuan me një mikroskop të krijuar ashtu që të përdor një dozë shumë më të ulët të dritës lazerike sesa pajisjet standarde që përdorin fluoreshencë për të gjeneruar imazhe. Për shkak se mikroskopi që u përdor shkaktoi më pak dëmtime te neuronet, u bë i mundur imazhimi i sinapseve pa humbur strukturën dhe funksionin e tyre.
Kur krahasuam hartat 3D të sinapseve para dhe pas formimit të kujtesës, zbuluam se neuronet në një zonë të trurit, anterolateral dorsal pallium u zhvilluan sinapse të reja ndërsa neuronet kryesisht në një zonë të dytë, anteromedial dorsal pallium humbën sinapset. Kjo do të thoshte se neuronet e reja po çiftoheshin, ndërsa të tjerat prishen lidhjet e tyre. Eksperimentet e mëparshme kanë sugjeruar se paliumi dorsal i peshkut mund të jetë analog me amigdalën e gjitarëve, ku ruhen kujtimet e shkaktuara nga frika.

Ky imazh tregon neuronet në trurin e peshkut të gjallë, ato me ngjyrë të gjelbër janë sinapsat.
Çuditërisht, ndryshimet në fizikun e lidhjeve ekzistuese ndërmjet neuroneve që morën pjesë në formimin e kujtesës ishin të vogla dhe të padallueshme nga ndryshimet që pësuan peshqit mosër që nuk formuan kujtime të reja. Kjo do të thoshte se formimi i një kujtese shoqëruese përfshin formimin dhe humbjen e sinapseve, por jo domosdoshmërisht ndryshime në fizkun e sinapseve ekzistuese, siç mendohej më parë.
A mund të fshihen kujtimet nëse hiqen sinapsat?
Metoda e re e vëzhgimit të funksionit të qelizave të trurit mund të hapë derën jo vetëm për një kuptim më të thellë të asaj se si funksionon në të vërtetë kujtesa, por edhe për rrugët e mundshme për trajtimin e varësive.
Kujtimet asociative priren të jenë shumë më të forta se llojet e tjera të kujtimeve, të tilla si kujtimet e ndërgjegjshme për atë që keni ngrënë për drekë dje. Kujtimet asociative të shkaktuara nga kushtëzimi klasik, për më tepër, mendohet të jenë analoge me kujtimet traumatike që shkaktojnë PTSD. Përndryshe, stimujt e padëmshëm të ngjashëm me atë që dikush përjeton gjatë traumës, mund të nxisin rikujtimin e kujtimeve të dhimbshme. Për shembull, një dritë e ndritshme ose një zhurmë e madhe mund të sjellë kujtime të luftës. Ky studim zbulon rolin që mund të luajnë lidhjet sinaptike në kujtesë dhe mund të shpjegojë pse kujtimet asociative mund të zgjasin më shumë dhe të mbahen mend më gjatë se llojet e tjera të kujtimeve.
Aktualisht, trajtimi më i zakonshëm për PTSD, terapia e ekspozimit, përfshin ekspozimin e përsëritur të pacientit ndaj një stimuli të padëmshëm, por nxitës, në mënyrë që të shtypet rikujtimi i ngjarjes traumatike. Në teori, kjo në mënyrë indirekte rimodelon sinapset e trurit për ta bërë kujtesën më pak të dhimbshme. Edhe pse ka pasur njëfarë suksesi me terapinë e ekspozimit, pacientët janë të prirur për rikthim. Kjo sugjeron që kujtesa themelore që shkakton përgjigjen traumatike nuk është eliminuar.
Ende nuk dihet nëse gjenerimi dhe humbja e sinapseve në të vërtetë nxisin formimin e kujtesës. Laborantët kanë zhvilluar teknologji që mund të heqë shpejt dhe me saktësi sinapset pa dëmtuar neuronet. Planifikohet të përdoren metoda të ngjashme për të hequr sinapset në peshqit zebra ose në minj, për të parë nëse kjo ndikon në ndryshimin e kujtimeve asociative.
Mund të jetë e mundur të fshihen fizikisht kujtimet asociative që qëndrojnë në themel të varësive. Megjithatë, përpara se të mendohet një trajtim i tillë, ndryshimet sinaptike që kodojnë kujtimet asociative duhet të përcaktohen më me saktësi. Dhe padyshim që ka pengesa serioze etike dhe teknike që duhet të adresohen.
Sidoqoftë, është joshëse të imagjinohet se në një të ardhme të largët kirurgjia sinaptike mund të fshijë kujtimet e këqija.