Meme-t: Humori i rinisë kosovare me luftën në Ukrainë - NACIONALE

Meme-t: Humori i rinisë kosovare me luftën në Ukrainë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pushtimi i Ukrainës nga Federata Ruse mbërtheu rrjetet sociale. Krahas informacioneve, reagimeve e imazheve të luftës, shpërndarje të madhe kishin edhe postimet me humor të zi e satirë – ato që njihen si memes. Nga greqishtja, kësaj here e palashtë (1970), “meme” rrjedh nga fjala “mimēma” e që përkthehet në “ajo e cila është imituar”. Kosova e kishte përjetuar luftën jo më larg se para 22 vjetësh, por, meme-t u bënë të stërpërhapura në Kosovë edhe për luftën në Ukrainë.

Përmes llogarive personale apo faqeve satirike, qindra ‘memes’ të tilla u shpërndanë nga kosovarët duke vazhduar trendin global edhe këndej. Grupi “Breaking Bad Kosova News” (BBK News) është grup privat në Facebook me mbi 23 mijë anëtarë. Që me nisjen e luftimeve, më 24 shkurt, postime rreth luftës në Ukrainës kapluan faqen e grupit që për përshkrim të aktivitetit të shkruar “Në këtë grup ka vetëm humor. Nëse nuk e kupton humorin, ndalohet hyrja”.

”Zara ka zbritje” shkruhej në një tjetër postim me të nisur sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, përderisa shfaqej fotografia me kolonat e gjata të veturave me ukrainas duke u larguar nga Kievi. Këtu bëhej ndërlidhja e asaj që po ndodhte në Ukrainë me atë që ndodh në Kosovë kur një dyqan rrobash ka zbritje çmimesh.

Përskaj fotografisë që shfaqte një shpërthim të madh në një qytet të Ukrainës, shkruhej ‘‘përsëri zjarr në njërën prej Viva Fresh Store në Ukrainë’’, duke e lidhur këtë me zjarrin që ndodhi para disa ditësh në një super-market në Kosovë.

Ndërsa pamjet kur tanku rus shtyp një veturë civile, u përkthye me meme-n e famshme të një qytetari nga Kosova që godet me veturë një qen përderisa po fliste live në Facebook për preferencat e tij politike.

Fotografia e famshme mes kryeministrit Albin Kurti dhe ish-presidentit Hashim Thaçi përcillej me mbishkrimin ‘‘Shqiptarët kur i kap tuta’’, në një postim tjetër. Kurti e Thaçi ishin ndër figurat më të përdorura nëpër meme që ndërlidheshin me luftën në Ukrainë. Rehat nga memet nuk u lanë as presidentët Vlladimir Putin, Joe Biden e Vlodomir Zelenski; meme të cilat morën mijëra pëlqime, komentime e shpërndarje.

Por, pse ndodh kjo në një vend që plagët e luftës i ka goxha të freskëta? Ajo që mësuam duke shqyrtuar humorin e zi për luftën nuk është një, por dy të vërteta.

“Memet janë mënyrë e re e sarkazmit të skajshëm politik”, thotë Abit Hoxha, hulumtues në Universitetin e Agder që ka bërë së fundi një hulumtim me gjetje interesante për të cilin do të flasim në fund të këtij teksti.

“Memet kanë dalë në sipërfaqe si zhvillim kreativ i komunikimit, së bashku me emotikonët dhe shenjat e tjera reprezentuese të një mendimi prapa shenjës. Në komentimin politik, memet reflektojnë thjeshtimin e mendimit politik dhe relacionit që media ka me politikën dhe demokracinë në përgjithësi,” - vazhdon ai.

Për Hoxhën, ky komunikim është thumbues dhe politikisht jokorrekt.

Shkodran Hoti, që edhe vetë shpërndan meme-s, i tha Nacionales se postimet në lidhje me luftën në Ukrainë nuk i sheh të ndara nga aktiviteti i mëhershëm i këtyre faqeve.

Kjo luftë nuk është ndër ngjarjet e para tragjike që ka shërbyer si brum për memes tek këto faqe. Të njëjtat kanë pasur një qasje të tillë edhe në rastin e ndonjë vrasjejr të rëndë në Kosovë”, - thotë ai.

Një nga administratorët e grupit “BBK News” që është shumë aktiv në faqen e grupit, thotë se këto meme i bëjnë për të thyer monotoninë, për t’i bërë njerëzit të qeshin, apo të ironizojnë me dukuri që ndodhin. Për luftën në Ukrainë, thotë se është si çdo ngjarje tjetër, por se “memexhinjtë [siç] mezi presin me ndodhë ngjarje të tilla e me pasë material.”

Shkodran Hoti nuk i sheh me ndonjë shqetësim memet karshi luftës. Për të karshi satirës nuk ka imunitet asnjë ngjarje e asnjë person. Mirëpo, ajo me çka nuk pajtohet Hoti, është se shumica e postimeve nuk janë satirë, por veçse “vazhdë e një humori që e kemi parë tradicionalisht në vendin tonë, i cili më shumë është tallës se sa thumbues” dhe ky komunikim përfundon duke qenë vetëm argëtues dhe zhvishet nga roli ndërgjegjësues apo emancipues.

Sidoqoftë, ajo që vërehet në meme-t e shpërndara së fundi është ndërlidhja e figurave kosovare me imazhet e luftës në Ukrainë, apo edhe përdorimi i deklaratave të famshme të politikanëve kosovarë me zhvillimet e atjeshme. Po ashtu, edhe figurat e ish-komandantëve të UÇK-së ishin të prekura nga memet.

Deri diku “komentim socio-politik” e quan Hoti këtë, i cili sipas tij megjithatë mbetet sipërfaqësor. “Në formën e përqeshjes së individëve shpesh me qëllim të demonizimit të tyre, se sa një thumbim që nxjerr të metat e tyre që do të mund të shërbenin si një kritikë thelbësore kundrejt një dukurie apo klase të caktuar,” - thotë ai.

Kësisoj, sipas tij kjo më shpesh përdoret si "armë" në betejat politike, sesa të shërbente si nxitje e ndonjë debati përmbajtësor shoqëror që problematizon të metat e shoqërisë..

“Ky është reflektim i një perceptimi të masës që është krijuar për figurat që kanë qenë pjesë e luftës. Flasim për një perceptim që është prodhim i betejave politike. Më pas i njëjti është i ripërtërirë në një formë të mbështjellur me doza humori,” - vazhdon Hoti.

*****

Aida Sopi – një njohëse e mirë e komunikimit në rrjete sociale në vendin tonë - rritjen e memeve e sheh të lidhur thjesht me platformën ku ato shpërndahen.

“Nëse në mediumet tjera të komunikimit, për shembull tek televizioni, mënyra më efikase është intervista, atëherë tek rrjetet sociale jane memet.”

Po ashtu, ajo përmend se realiteti i vrazhdë i luftës dhe traumat që shkaktohen prej saj, bëjnë që reagimet me memes të jetë edhe një lloj strategjie për të reduktuar stresin dhe traumat, “sidomos tek të rinjtë që frikën dhe traumat i shprehin në internet në forma të ndryshme, përfshirë edhe përmes humorit.”

Kjo na çon drejt humorit të zi boshnjak që u bë shumë popullor sidomos gjatë kohës së vuajtjes së rëndë që përjetuan në luftën e tyre [1992-1995].

Por a mund të jetë ky humor i zi edhe ikje nga realiteti? Apo edhe dorëzim karshi situatave e ngjarjeve që njerëzit nuk i kontrollojnë? Apo, mos është përnjëmend komentim politik?

Për Abit Hoxhën, meme-t mund të jenë një lloj distancimi por edhe përpjekjeje për të përqeshur realitetin “në kohën e mundësisë së «luftës nga kuzhina» me smartfonë”.

“Tekefundit, në kohën tonë post-faktike, kemi një bashkëdyzim të realitetit me reprezentimin e realitetit, dhe është e vështirë të themi nëse meme-t janë distancim apo përafrim me realitetin.” Sipas tij, memet mund të interpretohen edhe si mjet për kryengritje por edhe si dorëzim.

Për të, bota medoemos po konsumon më shumë komunikim si dhe lajme (edhe politike), por gjithashtu bota është bërë më pak sensitive ndaj zhvillimeve si dhe më slaktiviste, ku aktivizmi politik është simuluar në platforma digjitale ku mendohet se përfundon kauza.

“Megjithatë, në rastin e Ukrainës dëshmon edhe një lloj empatie,”- na tha Shkodran Hoti.

Hoti vëren më tej se po të ishte lufta më afër gadishullit tonë, “të paktën në kuptimin sasior”, meme të tilla do të kishte më pak.

“Kjo tregon edhe një mendësi pak a shumë provinciale, meqë tingëllon sikur ke shqetësim vetëm për gjërat që ndodhin në "oborrin" tënd,” - komenton ai.

Gazetari Hoti kërkon “zhvillim edhe në botën e humorit” në Kosovë, njëjtë siç është bërë në muzikë apo në film. Për të, meme-t mbeten në stadin e imitimit të trendeve globale dhe kësisoji jo-origjinale – ani pse pranon se kemi njëfarë kontekstualizimi të tyre.

“Ende jemi te forma, e jo të përmbajtja. Për stadin në të cilin jemi, këtë mund ta quajmë edhe të natyrshme. Është vështirë ta kemi një "Charlie Hebdo" në mesin tonë, kur ende në shumë dimensione dominon pjesa e shoqërisë që gjithë jetën i ka përcjellë humori i "Treshi Përsheshi"”, - argumenton Hoti.

Përkundër talljeve të rënda që bëri rinia kosovare –meqë shumica dërrmuese e postuesve në këto faqe janë të rinj - me Luftën në Ukrainë dhe fatin e popullit ukrainas, në një hulumtim të kryer nga Abit Hoxha dhe Kenneth Andersen hidhej një ide krejt tjetër që thoshte se ata të cilët nuk e kanë përjetuar luftën në Kosovë, në fakt e ‘përjetonin’ më rëndë se ata që kishin qenë vet prezentë në të.

“Njerëzit që kanë përjetuar konflikte, pajtohen me historinë. Ata janë shumë më të hapur për dialog se sa njerëzit që vetëm kanë dëgjuar për konfliktin. Njerëzit të cilëve vetëm u është thënë diçka për ngjarjet historike, mbajnë më shumë hidhërim, janë më kritikë dhe më pak të prirur të pajtohen me to”, – thoshte Andersen.

Nga e gjithë kjo sa u tha më lart na del se rinia kosovare ka replikuar e madje edhe thelluar përçarjen shoqërore sa i përket përjetimit të luftës.




Lajme të ngjashme