Marshimi i grave drejt Drenicës – 24 vjet më parë
Vrasjet e represioni i policisë serbe ishte rritur edhe më shumë me fillimin e vitit 1998 në Kosovë. Masakrat në Qirez, Likoshan e Prekaz veçse tregonin se rajoni i Drenicës ishte shënjestruar nga forcat e armatosura serbe dhe aty s’po kursehej askush.
Me të realizuar masakrën në Prekaz, kundrejt familjes Jashari (5, 6 dhe 7 mars), forcat e armatosura policore e ushtarake serbe kishin vendosur rrethim të hekurt përreth rajonit të Drenicës; gati askush nuk mund të dilte e të hynte. Vrasjeve masive të civilëve iu shtua edhe kriza humanitare, ku mungesat e furnizimeve me ujë, ushqime e ilaqe ishin të tmerrshme.
Në këtë gjendje represioni dhe krize humanitare me 16 mars 1998 më shumë se 12 mijë gra u mblodhën në Prishtinë para Zyrës Amerikane, dhe nisën marshimin drejt Drenicës; përgjatë marshimit ato mbanin bukë në dorë. Kordoni i policisë serbe ndaloi marshimin e 12 mijë grave me të arritur në Fushë Kosovë.
Përkundër mosarritjes së qëllimit final për të arritur në fshatrat e Drenicës, marshi arriti të përcjellë mesazhin për vrasjet, përndjekjet, shpërngulljet masive si dhe krizës humanitare që po nodhnin në Kosovë.
Marshimi gjeti mbulim të madh medial ndërkombëtar dhe përcillte mesazhin se gjendja në Kosovës ishte tmerruese.