Letërsia për Drenusha Zajmin: “Formë e shprehjes së mendimit kreativ dhe çlirimit tim shpirtëror" - NACIONALE

Letërsia për Drenusha Zajmin: “Formë e shprehjes së mendimit kreativ dhe çlirimit tim shpirtëror"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Çfarë është letërsia për një shkrimtare?

Cila është ana më e fortë e një shkrimtarjeje?

Çfarë mundësie jep libri?

Rreth këtyre dhe shumë përgjigjeve tjera është përgjigjur shkrimtarja, poetja dhe prozatorja, Drenusha Zajmi. Përveç profesionit të saj si juriste, ajo ka qenë gjithmonë e apasionuar pas letërsisë, ndërsa më vonë edhe publicistikës. E cilësuar si një nga zërat më bashkëkohor dhe të guximshëm, ajo ka kolumnën e saj në gazetën Koha Ditore, ku prek problemet shoqërore me humorin e saj të hollë.

Çfarë është për ju letërsia? Çfarë prisni ju nga ajo?

Letërsia për mua është një formë e shprehjes së mendimit kreativ dhe çlirimit tim shpirtëror nga skllavëria e përditshmërisë dhe mentaliteti i turmës. Është një formë e arratisjes sime nga kufijtë e caktuar të të vepruarit dhe sjelljes, si dhe një lloj rebelimi që ndiej karshi situatave, mentalitetit, shoqërisë ose vetë frikave të mia. E thënë më saktë, shkrimet janë liria ime.

Nga çka frymëzoheni?

Shkrimet e mia në letërsi, me përjashtim të atyre për fëmijë, janë kryesisht meditative. Kam prekur edhe tema sociale në dy romanet e mia të para, por tani jam drejtuar nga rigjetja e vetvetes, nga mbledhja e atyre copave të jetës, që na rrëzohen rrugës, derisa kemi vrapuar drejt disa qëllimeve, të cilat dikur i kishim prioritete. Nuk jam nga ata autorë që shkruajnë sapo inspirohen nga një ndjenjë ose situatë, por zakonisht i grumbulloj idetë, ndjesitë, reaksionet dhe ndoshta edhe tronditjet që i përjetoj gjatë ditëve të mia. Pas krejt kësaj, vjen një moment dhe ulem e i shkruaj.

A mund të na tregoni anën tuaj më të fortë në shkrimet tuaja?

Në fillim anën time të fortë e kam parë te origjinaliteti, qoftë në letërsinë për të rritur, qoftë në atë për fëmijë, por edhe në kolumnet e mia që botoheshin në gazetën ditore. Por, me kohë, me kalimin e viteve, krijimin e përvojës dhe moshës, kam filluar më shumë ta çmoj lirinë time të të menduarit dhe shkruarit, pavarësinë time dhe humbjen e dëshirës për t’u dëshmuar ose për t’u përshtatur rregullave të turmës letrare. Mundohem të punoj shumë, aq sa puna ime serioze të duket spontane, por edhe nuk dal asnjëherë prej zonës së lirisë sime, të cilën po tentoj ta shtrij çdo herë e më tepër.

Na tregoni më shumë znj. Drenusha, çfarë mundësie ju dha libri juve?

Botimi i librave të mij, më ka dhënë një dimension tjetër jete, një mundësi për ta gjetur dhe parë veten nga një këndvështrim më i mirë. Më ka dhënë mundësinë të marr shumë nga bota që na rrethon, por edhe të jap krejt çfarë mundem, sidomos për më të vegjlit. Takimet e shumta letrare nëpër shkolla, të qenit pjesë e teksteve shkollore, dalja e librave të mij si lektyra dhe dashuria me të cilën jam rrethuar nga qindra fëmijë, janë gjëja më hyjnore që kam përjetuar prej librave të mij. Natyrisht, janë edhe mbështetja e shumë lexuesve të mij, qoftë dikur nga gazeta e qoftë nga librat për të rritur, shpërblimet e mirënjohjet për të cilat jam shumë falënderuese, njësoj sikurse edhe për fatin e mirë dhe mundësinë që t’u ofroj të tjerëve një anë timen, një copë të jetës sime, në mënyrë që të bashkëjetojmë përmes letërsisë.

Çfarë mendoni, a paguhet letërsia? A jeni e detyruar të gjeni punë dytësore, që të mbijetoni?

Gjithsesi ju shpërblehet shpirtërisht. Të qenit shkrimtar i mirëfilltë, i çmuar nga shoqëria e gjerë, është një fat dhe krenari e madhe. Por financiarisht, letërsia, te ne nuk paguhet, fatkeqësisht.. Perkundrazi, autori duhet të vetëfinancojë veprat e veta, shpërndarjen e tyre, promovimet dhe reklamën. Shitja pothuajse nuk ekziston dhe asnjëherë nuk ia shpërblen autorit mundin dhe paratë e investuara. Rrallë ndonjë autor/e e ka fatin të mbështetet nga Shtëpitë Botuese, por edhe kjo ndodh deri në botimin e veprës. Shpërblim ose pasurim nga shitja nuk ka, ndaj siç po e shihni, edhe jetesë nga shkrimet nuk bëhet. Sidoqoftë, unë asnjëherë nuk kam pasur nevojë të “mbijetoj” nga shkrimet, sepse jam juriste me profesion dhe stabiliteti financiar në këtë anë, më ka dhënë njëfarë lirie që të shkruaj pa presion, qoftë në letërsi e qoftë në publicistikë.

A mund të ndani ndonjë pasazh të cituar nga libri yt i preferuar (që është shkruar nga ju)?

Nuk kam libër timin të preferuar, sepse të gjithë janë si fëmijët e mi. Por ja një fragment nga romani ‘Krrokamat’:

“Ky qytet i lodhur, thuajse donte që me pjesët e tij të dëmtuara pamëshirshëm, t’u tregonte banorëve të vet një rrugë që çonte drejt të mirës, se jeta ishte më e mirë se vdekja, se humbjet ishin më të dhimbshme e zgjasnin më shumë se gëzimet e çastit. Se vetëm vdekjet glorifikoheshin dhe të qenurit brutal, injorant e i vrazhdë, ishte baraz me një vdekje të parakohshme...”

A e kanë zbehur mjetet e komunikimit elektronik letrën?

Mjetet e komunikimit elektronik jo vetëm që e kanë zbehur letrën, por ka rrezik ta zhdukin në tërësi. Gazetat e shkruara veç nuk i kemi më, ndërsa libri nuk blihet e as nuk lexohet si dikur. Sidoqoftë, ne nuk mund t’i ndryshojmë disa rrjedha të kohës, por duhet ta gjejmë mënyrën e duhur, se si t’ia ofrojmë lexuesit letërsinë. Dikush mund ta preferojë në letër e dikush mund ta lexojë si libër elektronik. E rëndësishme është të lexohet.

A mendoni se sot më shumë lexohen dhe njihen “statusat”, “memet”e figurave publike nëpër rrjete sociale, sesa librat dhe shkrimtarët?

Ky është një fenomen global dhe fatkeqësisht e ka pushtuar botën. Lajmet me tituj sensacionalë, statuset me mendime personale dhe shpesh ofenduese, telenovelat e dashurisë së figurave publike, janë shumë herë më të “kapshme” për publikun e gjerë, sesa një libër a letërsi e mirëfilltë në përgjithësi. Por, unë po e shoh më shumë si fazë, si një lloj adoleshence kolektive e njerëzimit, nëpër të cilën ai mbase ka nevojë të kalojë derisa të piqet si vetëdije. Së paku ashtu po tentoj ta shoh.

Cilat lloj shkrime nuk duhet t’i lexonim asnjëri prej nesh?

Çdo shkrim dhe autor i ka lexuesit e vet. Unë nuk i përkas personave që thërrasin në moslexim të një libri ose ta përbuz ndonjë autor, sado i dobët që mund të jetë. Por, mund të them se shkrimet që ndjellin urrejtje ndaj njeriut, kafshës, botës në përgjithësi, i bëjnë dëm secilës qenie dhe secilës gjeneratë. Çdo autor, përveç se i ekspozohet rrezikut për të mos u pëlqyer, duke i shfaqur veprat, talentin apo rrëfimet e veta publikisht, ai njëkohësisht duhet ta ketë edhe një lloj obligimi për të transmetuar një mesazh te lexuesi. I fshehur ose jo.

A ka rrezik që shkrimtari/ja të dekurajohet, demotivohet nga mosshpërblimi financiar?

Rreziku ekziston vetëm nëse pritshmëritë e shkrimtarit në Kosovë, janë që të pasurohet me shkrime. Kjo, pra pasurimi, nuk ka për të ndodhur, së paku jo edhe një kohë të gjatë. Kur ju e pranoni këtë gjë në fillim dhe e kultivoni letërsinë si pasion dhe jo si profesion, atëherë edhe shkrimet dalin më të lirshme, por edhe vetë pavarësia e autorit e çliron nga një lloj mllefi ndaj shoqërisë dhe ndjenja se i ka borxh dikujt. Mbase edhe unë nuk jam fort tip i ankesave dhe preferoj që t’i pranoj gjërat si janë, duke i ulur pritshmëritë e mia prej të tjerëve, por jo edhe prej vetes.

A mendoni se lluksi e dëmton shkrimtarin?

Tani, unë nuk e di si e keni menduar ju punën e lluksit. Për mua “lluks” është koha e lirë. Por edhe atëherë kur e kam, e shfrytëzoj për pikturë. Faleminderit juve dhe lexuesve tuaj.

Lajme të ngjashme