Kur vozisni vetë, vozisni me Hitlerin: kampanja që i bëri amerikanët të ruajnë naftë për luftën - NACIONALE

Kur vozisni vetë, vozisni me Hitlerin: kampanja që i bëri amerikanët të ruajnë naftë për luftën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kriza e çmimeve, veçanërisht në çmimet e derivateve, që mori dhenë me fillimin e aksionit rus për pushtimin e Ukrainës, na kujton një moment mjaft interesant historik, për të cilin duhet të kthehemi në vitin e largët 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Lufta, siç na është bërë e qartë veçanërisht kohët e fundit me hyrjen e Rusisë në aventurën pushtuese të Ukrainës, veç tjerash, është edhe luftë e marketingut. Është e rëndomtë të flitet për kampanja milionëshe për të prezentuar një imazh apo një tjetër. Veçanërisht, për t'i bindur njerëzit që të ndërmarrin diçka.

Se lufta, në të vërtetë, si gjithçka tjetër, është edhe produkt që duhet shitur dhe që e kërkon blerësin e vet, edhe ideologjik, shihet shpesh edhe në këto kampanja që janë tepër të koncentruara në shitjen e një ideje. Natyrisht, nuk po flasim domosdo që një ide e tillë është në vetvete e gabuar. Por, që një ide e drejtë, pa investimin e duhur, e ka të vështirë ta gjejë përcjelljen që i duhet.

Këtë na e dëshmon edhe kampanja për të cilën po shkruajmë sot.

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, artisti Weimer Pursell, i ftonte amerikanët t'i bashkohen klubeve të ndarjes së veturës me dikë, në mënyrë që të kurseheshin derivatet për të cilat ishte në nevojë ushtria amerikane:



"Kur vozisni vetë, vozisni me Hitlerin", ishte slogani i kësaj thirrjeje e cila ishte ilustruar me personin në veturë, që e kishte fantazmën e Hitlerit në sediljen e pasagjerit. Propaganda i bindi amerikanët se nëse nuk racionojnë benzinën, do të ishin në anën e Hitlerit. Një rol të rëndësishëm e luajti "Jeep", që sot është kompani e njohur e prodhimit të veturave Suv. Ata prodhuan versionin e veturës familjare me konsum të zvogëluar të karburantit dhe hapësirë të mjaftueshme për të bartur më shumë pasagjerë.

Sipas John Wright, autor i "Lufta e Dytë Botërore dhe Amerikat 1933-45", “Programi i Racionimit të Ushqimit u prezantua në pranverën e vitit 1942. Duheshin kuponë për të blerë mallra si mish, djathë, gjalpë, sheqer, qumësht, kafe dhe mallra të konservuara,”[4] Racionimi çoi gjithashtu në tregun e zi. Kjo ishte mënyra se si njerëzit blinin fshehurazi mallra që nuk do të mund t'i bënin përmes programit.

Sidoqoftë, kjo kampanjë e mençur e artistit Weimer Pursell, sado që me natyrë polarizuese, i bëri amerikanët që jo vetëm të ndanin makinën e tyre me të tjerët, por edhe të vozisnin duke respektuar limitet e shpejtësisë për hir të konsumit më të ulët të karburanteve.

Lajme të ngjashme