Koncerti artistik në Gjenevë me këngë e valle shqiptare - NACIONALE

Koncerti artistik në Gjenevë me këngë e valle shqiptare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shoqata e komunitetit shqiptar në Gjenevë ka organizuar koncertin artistik të këngës dhe valles tradicionale shqipe, i cili u mbajt në sallën e “Theatre de la Madeleine”, më 29 mars.

Në sallë, mbizotëronin veshjet kombëtare si dhe simbolet e tjera, si; flamujt kuq e zi, plisat e shamikuqet.

Ndërsa koncerti u hap nga nikoqiri i mbrëmjes, grupi “Hareja”, grup ky që prej disa viteve ruan traditën shqiptare në diasporë përmes muzikës e vallëzimit, brenda “ombrellës” së shoqatës shqiptare.

Arsyeja e këtij organizimi nuk qe një festë kombëtare, por një performancë e vecantë nga grupi i folklorit “Bilbili” nga Vlora, të cilët i ofruan publikut një koncert të pasur me këngë të përmbledhura e të zgjedhura, kështu duke i dhënë sallës jehonë shqipe me vargjet e kënduara bukur përmes zërave të gërshetuar në mënyrë polifonike, raporton albinfo.ch.

Grupi “Bilbili” është një nga grupet më të njohura në fushën e muzikës tradicionale në Shqipëri dhe njihet për cilësinë e lartë të performancave të tyre e po ashtu për fitoren e shumë çmimeve ndërkombëtare, duke nënvizuar “çmimi i parë i folklorit” në Moldavi si dhe “grupi më i mirë” në Lituani.

Programi i prezentuar nga Afërdita Krasniqi dhe Blerim Bunjaku, zgjati përrreth dy orë, me gjithësej 20 këngë të interpretuara nga bilbilat e Vlorës. Muharrem Ramaj, Valbona Nora, Tajre Bozhani, Defrim Mustafaraj, Adriatik Cenko, Florika Kotska ishin zërat që pushtuan skënën në polifoni, e gjithashtu me tingujt e fyellit të M.Ramaj, këngëtarës Ludmilla Baballëku dhe rapsodit Viktor Paloka, të cilët kënduan disa nga këngët më të pëlqyera patriotike.

Ata kishin përgatitur posacërisht këngën “Në Gjenevë të Helvetisë, bilbilat e Labërisë” si shenjë mirënjohje dhe falënderimi për prezencën e tyre në Zvicër, para mërgatës shqipfolëse.

Para publikut për një fjalim rasti doli kryetari i grupit Lab, i cili u shpreh se kjo paraqitje ishte ndër më të veçantat nga të gjitha koncertet e tjera.

“Kemi fituar shumë çmime ndërkombetare, kemi qenë në shumë vende të botës, po asnjë nuk ka qenë më emocionues dhe i dëshiruar se ky sonte”, deklaroi Gjokolli.

Ëmbëlsia e këtij koncerti ishin edhe djemt e vajzat e reja të ansamblit “Gëzuar”, të cilët me një skenografi të realizuar bukur, vallëzuan para publikut i cili i mirëpriti dhe përcolli me duartrokitje.

Gjatë këtij koncerti, salla ishte e mbushur plot dashamirës së kulturës shqipe, të cilët me mallëngjim e shijonin cdo këngë e performancë./albinfo

Lajme të ngjashme