Kingdom of the Planet of the Apes
Shkruan: Jon Krasniqi
Në një muaj të mbushur me filma të rinj, “Kingdom of the Planet of the Apes” dallon nga të tjerët. Ky film është i fundit në franshizën e njohur, i bazuar fillimisht në romanin fantastiko- shkencor të Pierre Boulle të vitit 1963, i cili ka parë shumë riiterime të vijnë në ekranin e madh bazuar në veprën e tij, duke filluar që nga viti 1968. Një nga më të paharrueshmet është trilogjia e Matt Reeves, storia e të cilit fillon ku një virus i krijuar gjenetikisht për të kuruar Alzhaimerin, rrit pa dashje aftësitë kognitive të majmunëve.
Të udhëhequr nga Cezari, këta majmunë inteligjentë fillojnë të kaplojnë botën, ndërsa virusi shkatërron popullatën njerëzore, duke çuar në një luftë të mbërthyer për dominim dhe mbijetesë. Udhëtimi dhe storia e Cezarit karakterizohet me vendime komplekse morale, ndërsa ai përpiqet të mbrojë llojin e tij nga kërcënimet njerëzore dhe konfliktet e brendshme.
“Kingdom of the Planet of the Apes” vazhdon këtë sagë (histori) shumë breza më vonë, duke u fokusuar te karakteri i Noa-s, një majmun i ri inteligjent që kërkon vendin e tij në klan. Historia e tij, e mbushur me rifitimin e vendit, lirisë dhe respektin nga klani i tij, e shndërron filmin në një klasik modern dhe një deklaratë të fuqishme kundër tiranisë. Karakteri kryesor (Noa), megjithë papërvojën e tij dhe sfidat me të cilat përballet i vetëm, besnikëria dhe vendosmëria e tij e shtyjnë atë të krijojë i vetëm rrugën e tij. Rrëfimi i filmit eksploron sesi historia e njerëzimit, ashtu siç dijë të ofroj mësime të vlefshme, gjithmonë do të ketë karaktere që do ta përdorin për përfitime të veta, siç është rasti i rolit negative të këtij filmi.
Me një kohëzgjatje prej 145 minutash, akti i dytë i filmit mund të duket pak i gjatë, por me aktin e fundit epik dhe konkludues e bën pritjen dhe durimin e vlefshëm. Teknologjia e kapjes së lëvizjes (motion capture technology) është e jashtëzakonshme, me ndërveprimet e majmunëve që duken jashtëzakonisht realist. Performanca e Owen Teague si Noa është veçanërisht e mahnitshme, duke treguar përparimet e teknologjisë dhe shfaqjes së emocionit të aktorit në këtë lloj të filmit ku pjesa më e madhe e filmit përpunohet me costume të veçanta gjatë xhirimit dhe me përpunim të kompjuterit (green screen).
Edhe pse fansat mund të shpresojnë për një paraqitje të Andy Serkis, i njohur për rolet e tij në filmat e mëparshëm të kësaj sage, ai moment nuk vjen, dhe ky film funksionon bukur edhe pa të. Regjisori Wes Ball, i njohur për trilogjinë Maze Runner, jep një element të veçantë në debutimin e tij në serinë e ‘Planet of the Apes’, edhe nëse nuk e kalon paraardhësin e tij (Mat Reeves).
Filmi gjithashtu kap fuqishëm ngarkesën emocionale të personazheve të tij, duke eksploruar temat e thella të familjes, humbjes, mëshirës dhe bashkësisë. Këto elemente I bëjnë betejat dhe triumfet e personazheve të lidhura ndërmjet vete dhe thellësisht emocionuese. Kombinuar me efektet speciale të jashtëzakonshme që sjellin në jetë majmunët dhe botën e tyre me realizëm, “Kingdom of the Planet of the Apes” ofron një përvojë vizualisht mahnitëse dhe të pasur emocionalisht që rezonon me audiencën.
4 nga 5 yje
★★★★☆
*Artikulli është vlerësim personal i autorit.