“Jom i bindur që Albin Kurti e ka hongër barin”: A duhet të legalizohet kanabisi? - NACIONALE

“Jom i bindur që Albin Kurti e ka hongër barin”: A duhet të legalizohet kanabisi?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëse vazhdojmë të shohim kah Perëndimi, nëse vazhdojmë të shohim me vëmendje kah Perëndimi, atëherë do të shohim që shumë e shumë shtete kanë legalizuar apo po mendojnë ta legalizojnë kanabisin.

Holanda, Kanadaja, Uruguaji, 18 shtete të SHBA-ve, Çekia, Kolumbia, Spanja, Afrika e Jugut, Xhamajka, Kosta Rika, e të tjera. A do t’i bashkohet edhe Kosova këtyre shteteve?

Në krye të Kosovës është një kryeministër interesant si Albin Kurti që udhëheq një parti politike të majtë, madje progresive të majtë. Partitë e majta progresive janë më mendjehapura kudo në botë, dhe shumica prej tyre e mbështesin legalizimin e barit.

Për më tepër, Albin Kurti ka një imazh urban në sytë e shumicës prej njerëzve. Dëgjon muzikë rok alternativ dhe i njeh debatet më interesante kontemporane.

Nëse do t’ju duhej të zgjedhnit mes Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Avdullah Hotit dhe Albin Kurtit për të gjetur se cili ka konsumuar bari ndonjëherë gjatë jetës, cilin do të zgjidhnit?

"Unë jom i bindur që e ka hongër (barin). Krejt roker u konë, metal, hipster flokët", më tha dikush në diskutim e sipër nga një bisedë e rëndomtë, në të cilën natyrshëm më erdhi ta pyesja "a menon që najherë ka pi Albini bari?"

Por, cili është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje aktualisht në lidhje me çështjen e dekriminalizimit apo legalizmit të barit?

Epo, duket se asnjëherë askush nga kjo parti politike nuk ka marrë guximin, apo thjesht nuk ka pasur interesim të japë qëndrim të qartë.

Sidoqoftë, nëse kërkojmë ndonjë element që mund të na ndihmojë paksa të hamendësojmë për qëndrimin e Kurtit dhe të vetëve për temën në fjalë, atëherë e kemi një të tillë dhe ai është PRO.

Yll Rugova, figurë jo e parëndësishme brenda VV-së, në vitin 2015 shkruante në Facebook (pa ndërhyrje):

"Kandidati për president të SHBA, Bernie Sanders si pjesë e kampanjës së tij ka premtuar de-kriminalizimin e marihuanës në nivel federal. Nëse për diçka të tillë po flitet haptaz në nivelin politik atje, edhe Kosova si shteti i 51-të i SHBA, ish dashtë po ashtu me rimendu pozicionin e saj për marihuanën. #legalizeit"

Rugovën sot e kontaktuam për të marrë një qëndrim të VV-së rreth tematikës në fjalë, pra nëse bari duhet të legalizohet në Kosovë dhe cili është disponimi partiak?

"Pyetje e rondë. Po pritoj me u përgjigjë, se mandej duhet me bo followup, e sene vene. E qysh e ke vërejtë kohëve të fundit kom qëndru larg prej paraqitjeve publike", ishte përgjigja e tij (pa ndërhyrje).

E vështirë ta fajësojmë atë që refuzoi të merrte përgjegjësinë mbi supe për të diskutuar një çështje kaq delikate, sidomos kur marrim parasysh qëndrimet populliste të partisë që përfaqëson. Dhe është e vështirë t'i fajësojmë edhe akterë tjerë të VV-së që nuk e hapën fare telefonin. Ndër tjerë, telefonuam edhe Jahja Kokajn, jo për tjetër por sepse duket goxha mendjehapur për çështjen e barërave.

Mendimet ishin të ndara edhe brenda redaksisë së Nacionales rreth çështjes. Në fakt, nga 15 gazetarë sa ishin prezentë në zyrë kur parashtrova pyetjen, 8 votuan pro, 7 kundër.

Berat Buzhala ishte i sigurt nëse duhet apo jo të dekriminalizohet / legalizohet bari.

"Jam pro. Shkencërisht, alkooli dhe cigarja janë më të këqija, më të dëmshme, më të rrezikshme."

Kryeredaktori Jetlir Buja po ashtu shprehu qëndrim pozitiv ndaj legalizimit.

"Unë mendoj që ky është debat i tejkaluar. Shumë shtete perëndimore tashmë e kanë legalizuar kanabisin, dhe edhe Kosova duhet ta ndjekë këtë rrugë. Sa më herët, aq më mirë!"

Në krejt narrativën nëse duhet të legalizohet bari apo jo, është e natyrshme të thuhej se çfarë do qëndrimi që do të kishte Kryeministri i Kosovës, do të ishte mirë që ai qëndrim të vinte nga një eksperiencë personale. Nuk do të ishte etike dhe serioze që një vendim me kaq peshë për kulturën e gjërë përdoruese në Kosovë, nëse duhet legalizuar/dekriminalizuar apo jo marihuana, të vinte nga dikush që kurrë nuk ka pasur eksperiencë personale me përdorimin e saj, sidomos në kohën kur figura si Elon Musk paraqiten në platforma shumë të shikuara si podkasti i Joe Rogan, duke tymosur në sy të botës, e emra të njohur si Kamala Harris, zëvendës-presidente e ShBA-ve, e cila kishte thënë se pinte bari në kolegj, duke dëgjuar Snoop Doggun.

Të paktën komunitetit të ‘gipserëve’, të cilët kanë përfaqësim masiv në shoqëri dhe një pjesë e konsiderueshme votues të VV, Kurti ua ka borxh një qëndrim.

Përndryshe, kur flasim për barin dhe konsumin e tij në Kosovë, është e pamundur të mos përmendim eventin e famshëm të 4 prillit, 2015, që u organizua në Parkun e Gërmisë.

Në eventin që ishte organizuar përmes Facebook, e ku shkruhej - ndër të tjerash - që më 4 prill (dita ndërkombëtare e konsumit të barit, sipas 'gipserëve') në ora 16:20 "ia qesim tymin", por duke u injoruar komplet përmendja e barit.

Policia e Kosovës u mobilizua për të shkatërruar atë që dukej të ishte 'organizim kriminal' për përdorim masiv të barit, për t'u njoftuar në Gërmi me një kthesë eventesh drastike.

Policia gjeti në Parkun e famshëm një grup të rinjësh duke tymosur duhan në letër, për befasinë e të gjithëve.

E organizator i atij eventi po del të jetë Vullnet Krasniqi, redaktor podkasti në Nacionale.

"Ka qenë poshtërimi më i madh i Policisë së Kosovës", tha ai dhe është shumë e vështirë të mos pajtohemi me të.

Përditësim i artikullit: Para se të publikohej ky shkrim, kisha telefonuar profesor Jahja Kokajn, të merrja një prononcim në lidhje me çështjen.

Gjatë ditës nuk u lajmërua, por më telefonoi disa orë më vonë, derisa isha i shtrirë në shtëpi.

Unë u përgjigja me "allo", zoti Kokaj ma ktheu me "allo, po..." i thashë, "më falni me kë po flas", ma ktheu me "më ke telefonu në këtë numër më herët".

I hutuar pasi kisha telefonuar rreth 4-5 persona sot për temën, nuk e kisha të qartë se kush ishte. "Jam profesor Jahja Kokaj", më tha.

U prezantova dhe iu drejtova me "zoti Jahja". E ky epitet nuk i pëlqeu fare Kokajt, i cili ma ktheu me: "A ke shku në fakulltet najherë, ti djalë", qartazi në ironi pasi nuk iu drejtova me "profesor Kokaj" por me "zoti Jahja".

"Unë jam kundër legalizimit të marihuanës, nuk flas për këso çështje", tha. Ia ktheva me "po ju përfaqësoni një subjekt politik, e keni obligim të keni një qëndrim edhe për çështje të tilla". Duke nënvizuar përsëri se është kundër legalizimit të barit, ai shtoi se nuk ka pasur diskutime partiake në lidhje me këtë temë dhe se ky ishte qëndrim i tij personal.

Pra, jo... VV duket se ende nuk është përcaktuar për qëndrimin që do të marrë në raport me legalizimin/dekriminalizimin e barit por, nëse Kokaj do të ishte ai që do të vendoste, duket i qartë verdikti. Shpresojmë që zoti Albin të marrë një qëndrim së shpejti.

Lajme të ngjashme