"Ishte sikur më kishin bërë magji" - Këngëtari i njohur rrëfen sesi gati u çmend nga antkhi - NACIONALE

"Ishte sikur më kishin bërë magji" - Këngëtari i njohur rrëfen sesi gati u çmend nga antkhi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Krizën e parë e përjetova kur isha 15 vjeç. Ishte ora 23:00 në një nga mbrëmjet para fundjavës dhe ishte diçka krejtësisht surreale, sepse isha shtrirë në pritje për të më zënë gjumi. Jam i sigurt që nëna po më shikonte nga dera për t’u siguruar që dritat ishin fikur. Dëgjova një zhurmë kërcitëse që vinte nga tubat. Jetonim në një ndërtesë të vjetër shkolle dhe për shkak të vapës shpesh tubat bënin këtë zhurmë. Kështu që ishte e çuditshme, sepse ishte diçka që e kisha dëgjuar shumë herë, por këtë herë tubat lëshuan një tingull... sikur ishin të zëmëruar. Ishte një tingull i njohur që befas u dëgjua si i dhunshëm; dukej sikur një re ogurzezë ishte përhapur në të gjithë dhomën. U ngrita dhe mendova: “Çfarë dreqin po ndodh?”. Pati një tjetër zhurmë dhe, përsëri, nuk ishte e fortë, por më tepër si e dhunshme.

U ngrita dhe ndeza radion sepse doja ta largoja këtë ndjesi, çfarëdo që të ishte. Në radio dikush po jepte parashikimet e motit. Jam i sigurt që folësi thjesht po thoshte: “Nesër temperatura në qytet do të jetë 20 gradë...”, por më dukej sikur po më bërtiste mua, me tërbim dhe zemërim të madh. Më dukej sikur më kishin bërë magji.

Dola nga dhoma për të zgjuar mamanë. Kur je 15 vjeç nuk dëshiron të pranosh se të duhet ndihma e mamasë për të zgjidhur ndonjë problem, por, gjithsesi, shkova në dhomën e saj, e zgjova dhe, duke i folur ballë për ballë, magjia u prish.

Më ndodhi edhe dy-tri herë të tjera atë vit dhe më pas, në mënyrë misterioze, nuk ndodhi më kurrë. Nuk shkoja në terapi në atë kohë, megjithëse kisha qenë duke u trajtuar shkurtimisht pak para këtij episodi. Ne u shpërngulëm në Amerikë nga Britania e Madhe kur ishim rreth tetë vjeç dhe terapia ishte diçka më e zakonshme në Amerikë, sesa në Angli. Divorci i prindërve të mi ishte jashtëzakonisht i tmerrshëm dhe mjedisi familjar ku u rritëm nuk ishte aspak i qetë. Kështu që, mamaja ime mendoi se ishte e dobishme që unë dhe motrat e mia të fillonim terapinë kur ishim rreth 12-13 vjeç.

Kam qenë gjithmonë një person me mjaft ankth, por nuk kam përjetuar ndonjë krizë tjetër intensive paniku si ato në fëmijëri deri në moshën 27-vjeçare. Pikërisht atëherë filluan sërish. Ishte kjo ndjesi dërrmuese paniku, sikur më kishin bërë magji dhe prisja që dikush ta prishte atë. Një herë ndodhi teksa po ecja rrugëve të Nju Jorkut. Isha 28 vjeç dhe mendoj se albumi im i parë do të dilte javën e ardhshme; ndoshta isha nën presion për këtë. Ishte ora e pikut dhe më kujtohet që mendova: “Dua vetëm të shtrihem në trotuar”. Nuk mund të ecja më, të lëvizja ose të bëja asgjë dhe vazhdova të mendoja se e vetmja mundësi ishte të shtrihesha.

Ishte një moment shumë i ndryshëm në jetën time, në të cilin më ndodhnin dy gjëra diametralisht të kundërta. Nga njëra anë, argëtohesha çdo natë dhe konsumoja shumë drogë; nuk shkoja në terapi dhe nuk isha emocionalisht intuitiv ose kureshtar për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Nga ana tjetër, isha jashtëzakonisht efikas, i nxitur dhe ambicioz; kisha shumë krenari dhe ambicie sa për t’u dukur se gjithçka e kisha nën kontroll para se ta dreqosja fare... ndoshta edhe duke krijuar varësi. Plus, isha në gjendje për ta fshehur mirë këtë. Kështu e përballoja ankthin tim. E shtypja dhe e injoroja. Mënyra ime për t’u përballur me të ato ditë ishte të kaloja një fundjavë të çmendur dhe të egër, por disi arrita t’i mbaja gjërat pak a shumë nën kontroll. Nuk e kam menduar kurrë se isha një i varur aktiv, por ndoshta edhe isha në njëfarë mase. Kështu e përballoja ankthin tim, duke e kamufluar atë me drogë dhe alkool.

Pas kësaj periudhe, episodet u rralluan edhe më shumë, por vetëm në katër ose pesë vitet e fundit, falë terapisë mjaft intensive me një terapist tepër të shkëlqyer dhe mendjemprehtë, fillova në mënyrë aktive të ballafaqohesha me të gjitha këto gjëra. Nuk më pëlqen të them se kam bërë shumë në këtë drejtim, sepse tingëllon kaq rëndomtë, por nuk ka mënyrë tjetër për ta përshkruar. Fillova terapi dy herë në javë; lexova çdo libër që ai më rekomandoi dhe më pas më dërgoi në një vend të quajtur Hoffman. Isha gati për të vepruar.

Ndalova së përdoruri drogë, por nuk hoqa dorë nga alkooli; jam ende i varur; nuk dua të mashtroj askënd për këtë – dhe identifikova mekanizmat me të cilët u përballa me ankthin tim që kisha zgjedhur të shpërfillja në periudha të hershme të jetës sime, duke menduar “Oh, por këtë e bëj vetëm sepse më pëlqen të argëtohem, nuk e kam problem, thjesht më pëlqen të dal dhe të qetësohem; Unë jam DJ dhe më pëlqen të argëtohem në orët e vona, asgjë më shumë!”.

Të qenit më në harmoni me atë që po ndodhte dhe se si po e luftoja ankthin më ndihmoi t’i kushtoja vëmendje. Kjo, e kombinuar me një dozë të shëndetshme të terapisë konjitive të sjelljes (CBT) dhe meditimit, është ajo që më mban me këmbë në tokë. Më pëlqen kjo terapi sepse ofron mjete specifike kur e gjejmë veten në ato spirale djallëzore të ankthit ku disa prej nesh mund të bien pre. Dhe, sigurisht, duhet të gjeni llojin e duhur të meditimit që ju përshtatet, por mua më pëlqen meditimi transcendental. Kam vënë re se nëse nuk e praktikoj për një kohë, ndiej rikthimin e këtij ankthi dhe mendimet fillojnë të uzurpojnë skutat e psikikës sime.

Të flasësh për shëndetin mendor është ende diçka e vështirë sepse nuk dëshiron të dukesh sikur po tregon më shumë seç duhet nga vetja dhe po përdor hapësirën publikë për terapi. Por në të njëjtën kohë është aq e dobishme sa njerëzit vazhdojnë të flasim për këtë. U rrita në një familje ku sigurisht që nuk flitej për ndjenjat, por mendoj se është shumë e rëndësishme, sepse këto janë gjërat që mposhtin stigmën. Njerëzit që kanë nevojë për ndihmë duhet të dinë se është në rregull dhe cilat rrugë të përdorin për të gjetur mbështetje.

Gjithmonë ndihem në konflikt me veten kur flas për shëndetin tim mendor, sepse nuk dua të jap përshtypjen sikur po mburrem, “E gjeta zgjidhjen”, sepse askush nuk e ka gjetur, pasi është gjithmonë një rrugëtim i vazhdueshëm. Por kur lexoj një libër që më pëlqen dhe që mendoj se mund të ndihmojë dikë tjetër, pa u ndjerë sikur po e gjykoj, i ofroj një kopje. Mendoj se është mirë që komunikojmë më hapur për këtë, sidomos në ditët tona.

Me të vërtetë besoj se terapia, leximi dhe reflektimi gjatë katër ose pesë viteve të fundit më kanë ndihmuar të futem prapë në shina. Më parë, ishte ankthi që më nxiste të punoja si i çmendur, kështu që ishte e vështirë ta shihja këtë si një gjë të keqe sepse mendoja: “Epo, ankthi më bën të punoj shumë, më motivon dhe kjo duket se është gjëja e duhur për karrierën time”. Por kjo nuk është një jetë e ekuilibruar dhe jam shumë më i lumtur në këtë mënyrë. Më pëlqen ende të krijoj dhe procesi krijues që zhvillohet në studio; më pëlqejnë ende gjërat që më kanë pëlqyer më parë, por kjo nuk është më e vetmja gjë që më nxit. Shkoj në studio sepse është diçka që më pëlqen të bëj, në vend që të mendoj: “Çfarë dreqin mund të ndodhë nëse nuk shkoj?A do të performojë dikush tjetër?”.

Përjetoj ende episode të shkurtra ankthi dhe të gjitha mendimet e mëparshme, por tani kam një sërë mjetesh më të efektshme për të përdorur kur përballem me to. Dhe kur i shoh të afrohen, përplasem kokë më kokë dhe në atë moment pyes veten: “A është kjo e vërtetë?”.Dhe shumicën e kohës nuk është. Është një varg i bukur në këngën “Paper Bag” të Fiona Apple ku ajo flet për një grindje me të dashurin e saj, që thotë: “Ai më tha ‘Gjithçka është imagjinatë e jotja’ dhe unë i thashë ‘Si çdo gjë tjetër’, por ai nuk e kuptoi”. Ankthi dhe të gjitha këto mendime janë pikërisht kështu, impulse elektromagnetike në tru, dhe gjithçka ka të bëjë me disponimin e mjeteve për të identifikuar atë që nuk është pjesë e realitetit dhe për ta korrigjuar atë. Nuk jam aspak i fiksuar, por sigurisht sot nxitem më shumë nga gëzimi sesa frika.

Lajme të ngjashme