Inaugurohet në Prishtinë biblioteka e Ipeshkvisë “Ernest Koliqi”
Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar Ernest Koliqi, është bërë inaugurimi i bibliotekës së Ipeshkvisë “Ernest Koliqi”, e cila gjendet në Qendrën “BogdaniPolis” në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Titujt e kësaj biblioteke nuk kanë të bëjnë vetëm me teologjinë, por me të gjitha fushat tjera.
Brenda Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë të premten kishte shumë njerëz dhe figura publike. Kjo sepse në ditëlindjen e 119 të shkrimtarit Ernest Koliqit është përuruar biblioteka e Ipeshkvisë, e cila do ta bartë emrin e shkrimtarit të madh shqiptar.

Të pranishmit në këtë ceremoni janë shprehur të kënaqur me inaugurimin e këtij institucioni.
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka deklaruar se në këtë mënyrë kanë dashur ta krijojnë një bibliotekë për studentët dhe gjithë ata që e dëshirojnë leximin.
Sipas tij, me këtë bibliotekë katedralja dëshiron t’i jep domethënie shpirtërore gjithë qytetit.
I pranishmen në ceremoni ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Me tërheqjen e pandemisë Prishtinës, po i vinë të mirat me bollëk”, ka deklaruar ai.
Duke vlerësuar jetën dhe veprën e Ernest Koliqit, ai ka thënë se përurimi i kësaj biblioteke ka nderuar gjithë Kosovën.
Ai uroi që kjo bibliotekë të forconte sa më shumë lidhjet me Biblotekën e Françeskanve të Shkodrës, që me përkushtim të madh po e ribotojnë veprën e kolosve të ndaluar katolik në librat shqipe të Gjergj Fishtës, Anton Horrapit e figura të tjera.
“Edhe unë do të kaloj shumë kohë këtu”, ka deklaruar i pari i Prishtinës në fund të fjalimit të tij.
Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka deklaruar se Koliqi me veprën e tij i ka treguar botës se pavarësisht sistemeve, arti, kultura, e drejta që i shërbenin popullit nuk shuhet kurrë.
Një kumtesë me temë “Ernest Koliqi – nismëtari i prozës moderne shqipe” e ka mbajtur edhe profesor Xhavit Beqiri.
Biblioteka e Ipeshkvisë “Ernest Koliqi”, ishte themeluar në 2020 me iniciativën e imzot Dodë Gjergji dhe kjo udhëhiqet nga ai.
Në sallat e kësaj kanë ekzistuar mbi 20 mijë tituj, ndërsa pritet të sistemohen edhe rreth 50 mijë tituj të tjerë. Titujt që barte biblioteka nuk kanë bëjnë vetëm me teologjinë, por nga gjitha fushat e shkencës dhe krijimtarisë si nga gjuha shqip, latine, italiane, angleze, gjermane, franceze e kroate.
Kush ishte Ernest Koliqi?
Ernest Koliqi ka qenë njëri ndër personalitetet e njohura të letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Një kontribut të veçantë i ka dhënë arsimimit në Kosovë, në vitin 1941, kur forcat italo-shqiptare kishin depërtuar në vendin tonë dhe kishin dëbuar forcat ushtarake e policore të Mbretërinë famëkeqe jugosllave, e cila gjatë tërë kohës së sundimit nga vitit 1913 e deri në vitin 1941 nuk kishte lejuar asnjë shkollë shqipe, por as edhe një libër në gjuhën shqipe. Ata shqiptarë që mësonin ilegalisht gjuhën e tyre ndiqeshin e dënoheshin nga regjimi deri më 20 vjet burg.
Dërgimi në Kosovë i më shumë se 200 mësuesve, hapja për herë të parë e qindra shkollave shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ishte dhurata më e madhe që mund t i jepej një kombi të ndarë padrejtësisht dhe të persekutuar mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare e fetare. Ernest Koliqi ishte atdhetari që hapi 200 shkolla shqipe në Kosovën e robëruar.
Koliqi kishte lindur në Shkodër më 20 maj të vitit 1903, në një familje të respektuar.
Kontribuuesit e bibliotekës
Në fund të ceremonisë së inaugurimit, ka folur edhe përgjegjësi i bibliotekës, Don Fatmir Koliqi.
Ai ka treguar se ata që kanë sjell gjithë ato libra në këtë bibliotekë.
Fillimisht, ai ka falënderuar Don Gjon Koliqi, i cili kishte ardhur me familje dhe miqtë e tij nga Shkodra.
Kontribuuesit më i mëdhenj të kësaj biblioteke janë ipeshkvët Dodë Gjergji, Don Lushi, Donë, Koliqi, Akademia e shkencave dhe Arteve të Kosovës, Instituti Historik i Kosovës, Instituti Albalanlogjik i Kosovës, Bibloteka e qytetit “Hyvzi Sylejmani” Prishtinë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të shqiptarëve në Maqedoni, Kolegji AAB, Botimet Fishta, Botimet Koliqi, Botimet Alfabet, Botimet Tenda, Justina Shiroka Pula, Ermira Leka Polaska (deputete në Parlamentin e Kroacisë), Motrat bijat e dashurisë hyjnore në New York, Dr. Gjon Berisha, Prof. Dr. Vehbi Miftari, Prenk Buzhala (shkrimtar), Lule Ukaj, Don Majran Dema, Donik Ungjini, Mark Ndreca, Luiq Gjergji (Gjermani), Driton Shala (New York), Ridvan Emini, Jusif Osmani, Melihate Trenkolli shumë të tjerë.
Interesante ishte ndarja në seksionet e fushave përkatëse të atyre që dëshiron të lexonin. Ajo çka bie në sy ishin gabime drejtshkrimore. Aty shkruhej “HISTORIA E KISHES SHQIPTARE”, “HISTORIA E SHQIPERISE”, “HISTORIA BOTERORE”, në vend se të shkruhej “HISTORIA E KISHËS SHQIPTARE”, “HISTORIA E SHQIPERISË”, “HISTORIA BOTËRORE”.

