Historianët e UP-së kremtojnë me aktivitete shigjetarie në kampus
Një aktivitet i pazakontë u paralajmërua sot nga komuniteti i historianëve të rinj.
Në kuadër të “Ditëve të Historisë”, si ngjarje e organizuar nga Departamenti i Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, është paraparë edhe një aktivitet për shigjetari.
“Aktiviteti ‘Shigjetaria Tradicionale’, kampusi i Fakultetit Filozofik, ora 12;00”, është paralajmëruar në afishin e Departamentit të Historisë të shpërndarë në ‘Facebook’.
Sipas njoftimit zyrtar të këtij departamenti, “kjo ngjarje synon të promovojë vlerat akademike dhe kulturore përmes një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim.”

Nuk janë bërë të njohura arsyet se përse ‘shigjetaria’ duhet konsideruar si aktivitet në një department që thirret në studim profesional të historisë.
Legjendat evropiane kanë plot heronj që bënin nam me shigjeta e me harqe si Robin Hoodi nga folklori anglez apo William Telli i rrëfenjave zvicerane.
Një aktivitet i tillë me shigjeta e me harqe duket se është i pari në historinë e Universitetit të Prishtinës – madje i tillë që nuk iu ka shkuar ndërmend as drejtuesve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.
Ndryshe, Universiteti i Prishtinës shquan si një nga më të dobëtit në krejt Evropën.
Ndonëse është i pari universitet në botën shqipfolëse, “Universitas Studiorum Prishtiniensis”, sipas përditësimit të bërë më janar 2025, është radhitur në vendin e 2540-të në Webometrics.
Krahasuar me janarin e 2024-s, UP-ja nga vendi i 2284-të ishte ngjitur për 344 pozita.
Njësoj i pashpresë është edhe Universiteti tjetër i madh i botës shqipfolëse, Universiteti i Tiranës.
Ndonëse është i pari në Shqipëri, ai është renditur në vendin e 3102-të globalisht dhe i 921-i në Evropë.
Qindra vende me lart e më mirë është Universiteti Shën Çirili e Metodi në Shkup, i cili në renditjen e sivjetme të EduRank është në vendin e 1363-të, kurse i 495-ti në Evropë./Nacionale/