Hiqet nga platformat kënga e bërë nga inteligjenca artificiale me zërat e Drake dhe Weeknd - NACIONALE

Hiqet nga platformat kënga e bërë nga inteligjenca artificiale me zërat e Drake dhe Weeknd

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një këngë me zë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale që duket se i paraqet zërat e Drake dhe Weeknd është tërhequr nga shërbimet e transmetimit nga “Universal Music Group”, pasi u përhap shumë gjatë fundjavës. Kompania e dënoi publikimin e këngës së quajtur “Heart on My Sleeve” për “përmbajtje shkelëse të krijuar me inteligjencë artificiale gjeneruese”.

Incizimi fillimisht u publikua në aplikacionin TikTok nga një përdorues i quajtur Ghostëriter977 dhe u shpërnda në shërbimet e transmetimit nën emrin artistik Ghostëriter. Në kohën kur u largua dje pasdite sipas zonës kohore në ShBA, incizimi ishte lëshuar 600 mijë herë në Spotify, kishte marrë 15 milionë shikime në TikTok dhe 275 mijë në YouTube, raporton gazeta “The Guardian”.

“Universal Music Group” tha se publikimet e përhapura shumë në internet “tregojnë pse platformat kanë përgjegjësi themelore legale e etike për ta parandaluar përdorimin e shërbimeve të tyre në mënyra që i dëmtojnë artistët”.

Megjithatë, kompania nuk shpjegoi nëse ka dërguar kërkesa formale për largimin e incizimit nga shërbimet e transmetimit dhe faqet e rrjeteve sociale.

Javën e kaluar, kjo kompani u bëri thirrje platformave që t’ua bllokonin qasjen në këngë kompanive të inteligjencës artificiale, duke thënë se është bërë e vetëdijshme se shërbime të caktuara janë trajnuar për muzikë me të drejta të rezervuara “po i siguruar pëlqimet e kërkuara”.

“Ne nuk do të ngurrojmë që të ndërmarrim hapa për t’i mbrojtur të drejtat tona dhe ato të artistëve tanë”- i paralajmëroi platformat kjo kompani.

Industria e muzikës ka filluar që të mobilizohet kundër rrezikut të perceptuar nga këngët e rreme. Në tetor, Shoqata e Industrisë së Incizuesve të Amerikës paralajmëroi se kompanitë e inteligjencës artificiale ishin duke i shkelur në mënyrë të përbashkët të drejtat e autorit duke përdorur muzikë për t’i trajnuar makinat e tyre.

Lajme të ngjashme