Gladiator II – Regjia nga Ridley Scott - NACIONALE

Gladiator II – Regjia nga Ridley Scott

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Jon Krasniqi

Njëzet e katër vjet pas filmit të parë ikonik, Gladiator II më në fund është në kinema, sërish nën drejtimin legjendar të Ridley Scott. Me storien e vendosur 16 vjet pas ngjarjeve të filmit origjinal, historia ndjek Lucius (Paul Mescal), djalin tashmë të rritur të Lucillas, duke qenë në konflikt me trashëgiminë e familjes së tij dhe hijen e Maximus, veprimet e të cilit vazhdojnë të formësojnë dinamikën politike të Romës.

Ndërsa Lucius e gjen veten të ngatërruar në beteja për pushtet, udhëtimi i tij e çon atë përsëri në Koloseum.

Është e vështirë t'i qasesh këtij filmi pa e krahasuar me kryeveprën që i parapriu. Ashtu si filmi i parë, pasaktësitë historike janë të shumta - Maximus (Russell Crowe) ishte karakter i një kombinimi të figurave të ndryshme historike - por Gladiator II e shtyn atë në një nivel krejtësisht të ri. Rinocerontët që kalojnë nëpër Koloseum dhe peshkaqenët që qarkullojnë në një arenë të mbushur me ujë, anojnë fort në një spektakël më të madh, duke kaluar herë pas here kufirin, paksa në absurditet.

Ashtu edhe si e kisha parashikuar, Gladiator II jep sekuenca aksioni të mrekullueshme, por pengohet me një skenar që kalon nga të qenit tepër kompleks në ndonjëherë tepër i thjeshtëzuar. Në 140 minuta, ndihet rreth 20-30 minuta shumë i gjatë, me disa skena që zvarriten pa nevojë. Paul Mescal jep një interpretim të shkëlqyeshëm si aktor kryesor, por është kasti mbështetës – Denzel Washington, Pedro Pascal, Joseph Quinn dhe Fred Hechinger - ata që me të vërtetë shkëlqejnë dhe që I shtojnë vlerën filmit. Secili aktor sjell karizëm në çdo skenë.

Megjithatë, disa elemente moderne të hedhura në Romën e lashtë është e vështirë të injorohen. Kafenetë dhe gazetat e shtypura në një film të vendosur shekuj para shpikjes së tyre? Kjo është pak e tepërt edhe sipas standardeve të Hollivudit. Lufta finale, ndonëse vizualisht mahnitëse, ngrit pyetje në lidhje me vendndodhjen dhe logjikën e saj, duke shërbyer më shumë për të përmbushur pritshmëritë e filmit sesa për t'i shërbyer narrativës dhe stories në mënyrë organike.

A është më mirë se origjinali? Absolutisht jo. Gladiator II nuk arrin lartësitë mitike të paraardhësit të tij, por Ridley Scott vlen të komplimentohet për regjinë e një vazhdimësie ambicioze dhe vizualisht të mrekullueshme. Kasti i filmit siguron një përshtypje të qëndrueshme.

"What we do echoes in eternity" – thotë Maximus në filmin e parë. Ndërsa Gladiator II mund të mos jehojë aq fort, ia vlen barra qeranë.

Shikoni atë në kinema, prisni transmetimin, apo injorojeni? Ia vlen për ekranin e madh, por menaxhoni pritshmëritë tuaja rreth filmit.

Vlerësimi: ★★★ (3 nga 5)

Për më shumë sygjerime dhe shpjegime të filmave, ndiç @a.film.vault në Instagram.

Lajme të ngjashme