"Gjithçka është politike', pse 'mungon' arti i protestës në Kosovë?
Ka një ndërlidhje të thellë mes artit dhe protestës, gjë e cila mbahet si diçka e natyrshme, organike. Në një ndërlidhje të tillë beson edhe artistja amerikane, Sarah Sze, e cila sqaron se secila protestë e madhe është një vepër e shkëlqyer arti.
Por, në Kosovë protesta nëpërmjet artit nuk është një gjë shumë e përhapur, ndonëse shteti më i ri në Evropë është një ‘tokë pjellore’ për artin protestues.
Ngjan se artistët kosovarë janë të izoluar nga trendet botërore, ku shihet një ringjallje e artit politik në një epokë komplekse e të digjitalizuar.
Megjithatë në Prishtinë ekziston një artist i ri që performon një art të angazhuar me tema politike.
I njohur me nofkën artistike I Am I, me xhelozi e ruan emrin e tij, aq sa përkundër që njihemi që 3 vite, ende nuk e di identitetin e tij të vërtetë.
Kur për herë të fundit e takova në një kafiteri në Prishtinë, ai ma tha shkurt mendimin e tij se pse ka zgjedhur një formë të tillë arti.
“I gjithë arti është politik” – më tha paekuivoke I am I.
Nga përgjigje të tilla, gjithmonë ndihem disi i befasuar pasi që në Kosovë jam mësuar të dëgjoj frazën, tashmë të kthyer në klishe të mërzitshme, “mos e politizoni artin”.

Prandaj, I am I i ngjan një don kishoteski, një idealisti të pandreçshëm në një vendi që artin e ka reduktuar në komercializëm pashije.
Gjatë bisedës, u dakorduam që të më përgjigjet me shkrim në disa pyetje.
Në përgjigjet e tij, I Am I thekson se protesta nëpërmjet artit nuk është zgjedhje, por detyrim artistik.
“Është më shumë se sa zgjedhje. Është detyrë artistike për të reaguar dhe obligim qytetar për të protestuar. Mbi të gjitha, është përgjegjësi e artistit politik dhe qytetarit si qenie politike, përveç se nevojë për të krijuar dhe domosdoshmëri për t’u shprehur”, tha I Am I për Gazetën Nacionale.
I pyetur nëse e sheh Kosovën si platformë të duhur për protesta artistike, ai përgjigjet pak me cinizëm duke thënë se “në vende si Kosova, ‘’pjellin’’ artistë si “I Am I” që “kultivojnë” art politik si protesta artistike”.
Ai tashmë është i njohur për publikun, kryesisht në rrjetet sociale. Madje një fotografi e tij, në vitin 2019, ishte bërë virale.
Me moton “Ëndrrat na i keni vjedhë, shpresat na i keni vra”, I Am I performoi një protestë para Qeverisë së Kosovës, me duar e lidhura e me valixhe i gatshëm të ikë nga Kosova.
Ishte një protestë ndaj gjendjes së përgjithshme të zymtë, kundër izolimit, varfërisë dhe ndjenjës së ngulfatjes së rinisë kosovare.
Artin e tij protestues ai e shpërfaqi edhe para Zyrës së BE-së, para Kuvendit, tek Memoriali Heroinat e para Gjykatës Kushteuese.

Ndërsa vitin e kaluar, ai u vu në qendër të vëmendjes nga mediat me përformancën e titulluar “Varfëria ka mbiemër”, që ishte ironizim me slloganin “Liria ka emër”, të cilin I Am I e cilëson “sllogan popullist e patetik”.
“Kanë qenë zë kumbues në shprehje të revoltës dhe krtikës artistike ndaj zhvillimeve dhe ngjarjeve politike të asaj kohe, si mjet protestues kundrejt vendimeve të dëmshme të partive në pushtet, duke shërbyer edhe si promovim i mendimit kritik dhe avokimit për të drejtën e mendimit dhe lirisë së shprehjes”, shpjegon I Am I për Nacionale.

Performancat e tij i kanë ra në sy edhe një krtiku të artit. Ilir Muharremi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se I Am I është një artist i veçantë.
“Ky artist është i veçantë dhe përdorë performancën pra vetën në shërbim të artit për të mirën e të tjerëve. Në Kosovë mungojnë artistët që protestojnë përmes artit. Ky lloj arti është guxim, guxim i brendshëm, pastaj bëhet kolektiv. Arti duhet të jetë opozitë me politikën, e cila vepron padrejtësisht në Kosovë ndaj njerëzve”, deklaroi Muharremi.
Ndërsa, Azem Deliu, redaktor i kulturës në Nacionale, thekson se ‘arti i rrugës’ është një nga artikulimet më të fuqishme të njeriut.
"Arti i rrugës është një disiplinë e veçantë, e vjetër sa artikulimi publik i njeriut. Në fakt, në periudha të ndryshme, arti i rrugës ka qenë artikulimi më i fuqishëm kritik i njeriut. Si i tillë, nuk është befasi që ai ka mbijetuar edhe me njeriun modern, siç nuk është çudi që diktatorët, pothuajse pa përjashtim, e kanë ndjekur ashpërsisht këtë formë artikulimi”, tha Deliu.
