Edi Rama akuzohet se po “vjedh” veprat e Galerisë për muret e kryeministrisë - NACIONALE

Edi Rama akuzohet se po “vjedh” veprat e Galerisë për muret e kryeministrisë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Artistja dhe kuratorja shqiptare që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Eriola Pira, ceremoninë e dhënies së pasaportës shqiptare për Dua Lipën nga kryeministri Edi Rama, e ka shfrytëzuar për të hetuar një “detaj” që është një akuzë e fortë. Sidomos një pikturë që është në prapaskenë të fotografisë së Ramës me yllin e muzikës botërore.

“Tani që të gjithë e kemi kapërcyer entuziazmin për marrjen e nënshtetësisë shqiptare nga Dua, a mund të flasim se si ka përfunduar kjo punë artistik e Edi Hilës në zyrën e Edi Ramës?”, pyet Pira. Sipas saj, kryeministri Edi Rama është duke e shfrytëzuar faktin se Galeria Kombëtare e Shqipërisë është duke u rinovuar dhe është e mbyllur, për të pasuruar ambientet e brendshme të Zyrës së Kryeministrit.

“Unë pash vetëm këtë pikturë dhe nuk e di se cili është fati i veprave të tjera. Por kam frikë se teksa Galeria është në rindërtim, koleksioni i Galerisë do të shpërndahet pa nam, pa nishan”, ka shkruar Pira.

Për të mos mjaftuar akuza e saj, të tjerë artistë, sikurse Artan Rama, ka shkruar se shumë vepra të Galerisë në Shqipëri kanë përfunduar në Zyrën e Kryeministrisë.

“Shumë nga pikturat më të mira të Galerisë Kombëtare të Arteve u përdorën për të dekoruar zyrat e qeverisë. Dhe disa dhjetëra prej tyre nuk u kthyen kurrë. Prokuroria ka nisur hetimet, por nuk ka rezultuar. Mund të humbasin përgjithmonë…”, ka shkruar ai.

Nacionale nuk ka mundur të verifikojë këto qëndrime dhe akuza të këtyre artistëve dhe ka kërkuar më shumë informacione nga Zyra e Kryeministrisë në Shqipëri dhe Galeria Kombëtare atje.

Megjithatë artistja Pira tha askush nuk din se çka po ndodhë me koleksionin e Galerisë.

“Kam frikë se po ndodh edhe më shumë tani kur galeria është mbyllur dhe ata duhej ta zhvendosnin koleksionin jashtë vendit”, ka shkruar ajo.

Ndërsa kryeredaktori i magazinës artistike “ARTMargins Online” Raino Isto ka shkruar gjithashtu se egzistojnë pikëpyetje të mëdha se çka po ndodhë me koleksionin.

“Një pikëpyetje e madhe është edhe fati i koleksionit në këtë periudhë të përkohshme të papërcaktuar”, ka shkruar ai duke iu referuar punimeve në rindërtimin e Galerisë Kombëtare.

Zyret e Kryeminsitrisë në Shqipëri, prej ardhjes së Edi Ramës aty, janë ndryshuar komplet. Fillimisht Rama përdori punët e tij artistike për të dekoruar zyren e tij personale, dhe kjo është një nga gjërat me të cilat Rama tenton të impresionoj të gjithë mysafirët aty. Por edhe muret e ndryshme të Kryeministrisë janë përplot me piktura. Por se ku i ka marrë, nuk dihet.

Lajme të ngjashme