E bukur: Ministria e Kulturës tregon se nobelisti Orhan Pamuk po vjen në Kosovë për ligjerata
Orhan Pamuk, shkrimtar i njohur nga Turqia, është fituesi i çmimit Nobel për letërsi në vitin 2006. Lexuesit kosovarë do të kenë mundësi ta takojnë e me shumë gjasë edhe të dëgjojnë disa ligjerata drejtpërdrejtë nga ana e Pamukut.
Një gjë e tillë pritet të ndodh shpejt, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që udhëhiqet nga ministri Hajrulla Çeku, ka njoftuar se Pamuk do të qëndrojë në Kosovë.
Në njoftimin e MRKS-së, tregohet se Pamuk do të qëndrojë 3 ditë në Kosovë.
“Laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Orhan Pamuk, po vjen në Kosovë. Për rrëfimet e tij postmoderniste, kulturën dhe artin e të shkruarit që nxjerr në pah gjërat e mira në jetë, do të flasim me të në Prishtinë.
Shumë aktivitete tjera të organizuara nga MKRS na presin përgjatë 3 ditëve të vizitës së tij.” – shkruhet në njoftimin e MRKS-së.
Kujtojmë që Pamuk është një nga emrat më të njohur të letërsisë turke, por njëherit edhe aktivist politik. Pamuk ka një kohë të gjatë që është kundërshtar i Rexhep Tajip Erdoganit, presidentit aktual të Turqisë, i cili ka 20 vite që është në pushtet.