Dua Lipa flet sinqerisht për ‘Corriere della Sera’: Kur isha fëmijë nuk më pëlqente nga vija, doja të isha krejtësisht angleze
Dua Lipa në një intervistë së fundmi të dhënë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, është hapur rreth pasigurive rreth prejardhjes dhe frikës nga paragjykimet në Britani.
Lipa ka qenë zë i fuqishëm në diplomacinë kosovare sa i përket liberalizimit të vizave, përveç kontributit të saj mirë të dokumentuar në skenën kulturore kosovare përmes festivalit e fondacionit “Sunny Hill”.
Në intervistën për “Della Sera”, Lipa tregon për sfidat gjatë rrugës drejt piedestalit global muzikor – më së shumti që vinin në formën e pasigurive të prejardhjes kosovare.
Më poshtë, pjesë nga intervista për gazetën italiane:
A ju kanë inkurajuar prindërit?
"Unë vija nga Kosova dhe të shndërrohesha në një artiste më dukej një fat që nuk u takonte njerëzve si unë. Mirëpo, kur e kanë parë që isha vërtet e bindur, që njëmend po punoja, prindërit më kanë ndihmuar, pa më sforcuar ose ndalur."
Si ia keni dalë që të viheshit re?
"Kam lindur në Londër, por kam jetuar në Prishtinë sa isha 11 deri në 15-vjeçe. Në atë moshë jam rikthyer në Londër, sepse mendoja se askush nuk do të më zbulonte në Kosovë. Për mua si 15-vjeçe ishte vërtet e rëndësishme të qëndroja në një vend ku kisha ndjesinë që gjithçka ishte duke ngjarë mu aty, në atë moment. Për këtë arsye jam rikthyer në Londër. Kam qenë shumë me fat për këtë mundësi."
Nga çfarë është varë kjo lidhje familjare mes Prishtinës dhe Londrës?
"Kam lindur në Londër, sepse prindërit e mi kishin lënë Kosovën për shkak të luftës. Për ata ka qenë dhimbje të lihej qyteti i lindjes. Nuk do ta kishin bërë kurrë nëse nuk do të ishte një arsye kaq e fortë. Pastaj, janë kthyer në Kosovë me mbarimin e luftës dhe shpalljen e pavarësisë. Më ka ardhë keq për ta. Kjo më ka mundësuar mua që të bëja atë që njëmend e dua. Me t'u kthyer në Londër si 15-vjeçe, kam pasur kontratat e para dhe nga ai moment karriera ime më nuk është ndalur."
Duhet të jetosh në Londër për të shpërthyer?
"Nuk mendoj se është kështu më. Më duket që tani jetojmë në një botë, ku është e mundur që të kesh mundësinë që zëri yt të dëgjohet kudo që ndodhesh. Sot, është e lehtë të kesh prejardhje të ndryshme, por edhe të këndosh në një gjuhë tjetër që nuk është anglishtja, kur për një kohë të gjatë mendohej se të përdorej anglishtja ishte e detyrueshme ose gati e atillë. Tani po dalin në sipërfaqe shumë artistë me gjuhë e kulturë të ndryshme. Ky është njëri nga aspektet më ngazëlluese të botës ku po jetojmë. Pra, përzierja e kulturave është gjëja që më pëlqen më së shumti."
Po ju si e përjetoni kulturën e dyfishtë, shqiptare dhe angleze?
"Jam rritur në Londër në një familje kosovare, por kur isha e vogël krejt ajo që më interesonte ishte të isha krejtësisht angleze. Si fëmijë dëshiron të jesh si të gjithë të tjerët. Dëshiron të integrohesh. Nuk e pëlqen diversitetin tënd. As emri im nuk më pëlqente, sepse shfaqte prejardhjen time që nuk ishte ajo angleze. Kur më pyesnin se si quhesha, mendoja 'oh Zot. Tani them Dua Lipa dhe do të më duhet t'ua shpjegoj se nga vij dhe t'ua rrëfej të gjithë historinë e familjes sime'."
Çfarë ndryshoi duke u rritur?
"Kam mësuar që ta pëlqej këtë kënd timin, ta vlerësoj si pasuri. Gjëja që e admiroj në jetën time është të pasurit këtë anë të dyfishtë, që t'u përkas dy vendeve në të njëjtën kohë. Flas rrjedhshëm anglisht dhe shqip. Ndihem në shtëpi si në Londër, ashtu edhe në Prishtinë. E dua historinë e paraardhësve të mi dhe rrënjët e mia. Si fëmijë nuk ia dimë vlerën, por tani e konsideroj vërtet shumë të bukur të qenët me dy kultura në të njëjtën kohë. Tekefundit, është kjo ajo çfarë jam."

