Depp-Heard: Nuk ka verdikt as pas gjashtë javëve gjykim, çka është duke ndodhur?
Pas plot gjashtë javëve gjykim, një juri diskutoi për orë të tëra më 31 maj, pa arritur të marrë një vendim për rastin e shpifjes multi-milionëshe mes Johnny Depp dhe Amber Heard.
Juria pritet të rifillojë diskutimin së shpejti në Ferfaks të Virgjinias. Gjykimi ka ngërthyer dëshmi të shumta me detaje eksplicite rreth martesës eksplozive dhe toksike të dyshes.
Ja për çka duhet të vendosë juria...
Çka duhet të konsiderojë juria?
Në qendër të rastit është një op/ed (opinion/editorial) i publikuar në dhjetor të vitit 2018 nga Heard në 'Washington Post', ku ajo dha komente rreth abuzimit në familje që ka përjetuar.
Artikulli nuk përmendi Depp me emër, por avokati i tij i tha jurisë se ishte e qartë se Heard po i referohej atij.
Depp pastaj ngriti padi 50 milionëshe për prishje të imazhit kundër Heard, duke thënë se op/edi i ish-gruas ia dëmtoi reputacionin dhe karrierën.
Në përgjigje, Heard e kundërpaditi Depp për 100 milionë.
Çka duhet të vendosin?
Një juri shtatë-anëtarëshe duhet të vendosin nëse dy pasazhe dhe kryetitulli i artikullit prishin imazhin.
Forma e verdiktit të jurisë u jep pjesëtarëve instruksione si të vendosin nëse komentet e Depp ishin në fakt për Depp dhe nëse ishin të vërteta, dhe nëse kishin implikime që prishin imazhin e tij.
Për shkak se Depp është figurë publike, Heard mund të shpallet fajtore vetëm nëse juria vendos se ajo kishte "dashakeqësi të njëmendtë", që nënkupton:
- Ajo e dinte se ajo çka shkroi ishte gënjeshtër, ose,
- ajo veproi me mospërfillje të pamatur për të vërtetën.
Avokatët e Heard i thanë jurisë se pretendimi i Depp për shpifje duhet të dështojë nëse Heard ka pësuar qoftë edhe një incident të vetëm abuzimi.
Kryetitulli i op/edit të Heard përmbante fjalët: "Fola kundër dhunës seksuale - dhe u përballa me mërinë e kulturës. Kjo duhet të ndryshojë."
Avokatët e Heard potencuan se ajo kishte treguar të vërtetën dhe se komentet e saj ishin nën amandamentin e parë kushtetues së SHBA-ve për lirinë e fjalës.
Avokatët e Depp ngritën rastin në Ferfaks të Virgjinias, sepse 'Washington Post' printohet aty. Gazeta nuk është e përfshirë.
Depp befason me paraqitjen në seknë me Jeff Beck, derisa pret verdiktin
Derisa po priste një verdikt nga gjykimi, Depp bëri një paraqitje të papritur në skenën e 'Royal Albert Hall' të Londrës, më 30 maj.
Duke ndarë skenën me kitaristin Jeff Beck, Depp ishte në skenë për një total prej 20 minutave.
Beck e prezantoi atë si "dikush i cili erdhi dhe trokiti në zhveshtoren time para pesë viteve dhe nuk jemi ndalur së qeshuri që atëherë".
Akuzat për abuzim
Përgjatë gjykimit, juria dëgjoi audio të zënkave të çiftit dhe pa foto grafike të lëndimeve të Depp.
Depp tha se maja e gishtit të tij u dëmtua kur Heard e gjuajti me një shishe Vodka, në vitin 2015.
Heard mohoi ta ketë lënduar gishtin e Depp. Ajo përshkroi disa raste kur Depp abuzoi me të, përfshirë akuzat se ai në mënyrë seksuale e sulmoi atë me një shishe liker derisa i frustruar dhe i dehur.
Depp ka mohuar çfarëdo abuzimi fizik e seksual, duke thënë se Heard i dha ato komente për ta shkatërruar reputacionin e tij.
Ai gjithashtu thotë se ajo fizikisht e sulmoi në disa raste.