Deadpool & Wolverine - NACIONALE

Deadpool & Wolverine

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Jon Krasniqi

MCU është rikthyer, dhe është rikthyer me një super hit. Kush më mirë për të gjallëruar Universin Kinematografik të Marvel (MCU) se ‘Deadpool’, i luajtur nga Ryan Reynolds, dhe Wolverine, i portretizuar nga i përjetshmi Hugh Jackman? Ky film arrin tamam në momentin e duhur për të sjellë frymë të re në MCU.

Deadpool kthehet pas një pauze gjashtëvjeçare, më parë pjesë e universit të filmave të Fox, para blerjes së kompanisë nga Disney. Ky bashkim përfundimisht lejon që Deadpool të bashkohet me universin e të gjithë personazheve të dashur të Marvel.

Deadpool & Wolverine është një film për fansat dhe nostalgjikët. Siç pritej, një film i vlerësuar me R (i kufizuar për moshat nën 17) në MCU duket i çmendur, me shumë sekuenca aksioni të gjakosura, ashtu si duhet të duket një film me karakteret e Deadpool dhe Wolverine. Filmi është i mbushur përplot me paraqitje të veçanta (cameos) dhe personazhe të filmave nga e kaluara, duke e bërë një kënaqësi për ata që janë të njohur me filmat X-Men dhe Marvel.

Ngjarja, që ndonjëherë duket se po i shërben vetëm një fundi, mund të jetë pak konfuze në disa raste, por i mbushur me komedi, funksionon aq sa duhet. Ngjarja përqendrohet rreth jetës së qetë të Deadpool, që ndërpritet kur Autoriteti i Kohës (Time Variance Authority) e rekruton për të ndihmuar në mbrojtjen e multiversit. Në këtë ndodhi, Deadpool duhet të gjejë Wolverine-in e tij për të përfunduar misionin dhe për të shpëtuar botën e tij nga një kërcënim ekzistencial.

Filmi është një komedi, me sekuenca të mahnitshme aksioni, personazhe të dashur, dhe një personazh negative pak të ç’rregullt, veprimet e së cilës nganjëherë shërbejnë vetëm për të avancuar ngjarjen e filmit. Pavarësisht kësaj të mete, Deadpool & Wolverine pa dyshim është filmi i verës së 2024-ës.

Një gjë që vlen të përmendet është konsistenca e aktorëve: Ndryshe nga personazhe të tjerë në franshizën e botës së superheronjve, si Magneto ose Charles Xavier, të cilët janë portretizuar nga aktorë të ndryshëm, Ryan Reynolds ka luajtur rolin e Deadpool-it për dekadën e fundit, dhe legjendari Hugh Jackman, në moshën 55-vjeçare, ende luan Wolverine për 20 vitet e fundit. Kjo vazhdimësi shton thellësi dhe tregon sa shumë këto personazhe kanë rëndësi për të dy aktorët. Ryan Reynolds si Deadpool ndihet aq natyral, dhe kimia mes tij dhe një Wolverine (Hugh Jackman) të dërrmuar, i cili thjesht nuk mund të durojë Deadpool dhe shakatë e tij, është fantastike. Pa zbuluar asgjë më shumë rreth filmit, paraqitjet speciale (cameos) do t'ju ngrisin nga vendi, dhe mund t'ju bëjnë të thërrisni "Flame on!" gjatë filmit.

Deadpool dhe Wolverine shënon një hap të madh në franshizën e superheronjve, me MCU-në më në fund duke u kthyer në rrugën e duhur dhe duke na lënë për të dëshiruar më shumë nga kjo duo e pavdekshme.

⭐️⭐️⭐️⭐️ ✫ (4 yje e gjysmë nga 5)

Lajme të ngjashme