Çmimi Ndërkombëtar “International Booker Prize” 2022: Shpallet lista e të nominuarve
Është shpallur lista e gjatë e të nominuarve për Çmimin Ndërkombëtar “International Booker Prize” për vitin 2022, përcjell Gazeta Nacionale.
“Tomb of Sand” e shkrimtares indiane Geetanjali Shree është libri i parë i përkthyer nga hindu që nominohet për këtë çmim. Sipas jurisë, rrëfenja për një grua të moshuar e cila rimerr veten pas vdekjes së bashkëshortit është e parezistueshme.
Ky roman është njëri nga 13 titujt që janë në garë, duke përfshirë edhe fituesen paraprake dhe laureaten e Çmimit “Nobel”, Olga Tokarczuk me romanin “The Book of Jacobs”. Për ta përkthyer këtë roman, përkthyeses Jennifer Croft, i janë dashur shtatë vjet.
Një tjetër fitues parparak, David Grossman, është pjesë e kësaj liste me librin “More Than I Love My Life”, shoqëruar nga “Paradais” e Fernanda Melchor, “Heaven” e Mieko Kawakami, “Love in the Big City” e Sang Young Park, “Happy Stories, Mostly” nga Norman Erikson Pasaribu, “Elena Knows” nga Claudia Pinerio, “The Book of Mother” nga Violaine Huisman, “Phenotypes” nga Paulo Scott, “A new Name: Septology VI-VII” nga Jan Fosse, “After the Sun” nga Jonas Eika, dhe “Cursed Bunny” nga Bora Chung.
Kryetari i jurisë, Frank Wynne, beson që librat e përzgjedhur “eksplorojnë gjerësinë dhe thellësinë e përvojës njerëzore dhe janë një testament ndaj fuqisë së gjuhës dhe literaturës”.
Çmimi Ndërkombëtar “International Booker Prize” ka lindur nga çmimi kombëtar britanik që është aktiv prej vitit 1962, mirëpo që nga viti 2005 është prezentuar edhe çmimi ndërkombëtar në mënyrë që të përfshihen autorët kudo në botë (ata që janë të përkthyer në gjuhën angleze).
Fituesi i vitit të kaluar është romani “At Night All Blood is Black” i shkrimtarit francez David Diop, përkthyer nga Anna Moschovakis. Ndërkohë, vlen të ceket se fituesi i parë i variantin ndërkombëtar të tij është shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, në vitin 2005.
Lista e shkrimtarëve të njohur që e kanë fituar këtë çmim përfshin autorë si Ismail Kadare, Philip Roth, J.M.Coetzee, Kazuo Ishiguro, Olga Tokarczuk, David Grossman, Salman Rushdie, etj.
Lista e shkurtër me gjashtë tituj do të publikohet më 7 prill, gjersa fituesi më 26 maj.