Çka do të ndodhte nëse një njeri me plis do të futej në një kafiq në Prishtinë? Nacionalja e merr vesh - NACIONALE

Çka do të ndodhte nëse një njeri me plis do të futej në një kafiq në Prishtinë? Nacionalja e merr vesh

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në vitet 2000, kahdo që silleshit do të vërenit njerëz me plisa që e bënin pamjen e zymtë të Prishtinës të dukej pak më e bardhë. Por, tashmë shumë prej të moshuarve me plis kanë vdekur ose thjesht kanë vendosur t’i nënshtrohen kohës. Aktualisht, vetëm Rifat Jashari në Prekaz dhe një protestues i moshuar që del në të gjitha protestat në shesh na kujtohen si plis-mbajtës. Çka në të vërtetë ka ndodhur?

Nëse do t'i hidhnit me vëmendje një sy kioskës brenda, do të nënvizohej qartazi rënia drastike e interesimit të kosovarëve për atë që dikur konsiderohej 'krenari' kombëtare. Nëse do t’i hidhnit edhe pa vëmendje të madhe një sy sheshit të kryeqytetit, po ashtu do të vërenit mungesën e tyre.

E kemi fjalën për plisin që gjerësisht konsiderohet të jetë si simbol i identitetit kombëtar kosovar. Por, shqiptarët nuk mund të thuhet se e kanë ruajtur me aq krenari... dhe e gjithë kjo të jep përshtypjen e tregimeve “na ishte një herë e një kohë” ani pse nuk ka kaluar në fakt shumë kohë prej që qytetarët me plis ishin shumë të përhapur mes nesh.

Për shkak të këtij artikulli, provova të gjeja ndonjë qytetar me plis por nuk ia dola.

Është diçka të cilën vështirë se do ta mendonit, nëse nuk do ta kishit temë ditore si unë - natyrisht, kush ka kohë të mendojë për gjëra të tilla, kur kemi me dhjetëra fatura mbi kokë për t'i paguar - por njëmend, është sfidë në vete të gjeni ndonjë person me plis në kokë, derisa ecni rëndom rrugës.

Andaj, nuk ishte fare befasi kur shitësi i kioskës në shesh kishte zero vullnet për të diskutuar rreth plisit, marrë parasysh interesimin tejet të ulët për të dhe - futni në ekuacion edhe pyetjet e mia kur u prezantova si gazetar, duke ia përforcuar dukshëm intuitën fillestare, të cilën ia vërejta qartazi nga gjuha e trupit, se nuk kisha fare për qëllim të blija ndonjë gjë - humbjen e kohës që po ia shkaktoja me pyetje që, normalisht, për të nuk ishin fare interesante.

Sidoqoftë, në kioskën ku kishte vënë lloj-lloj gjësendesh kombëtare për shitje, plisat gjenin përfaqësim pakicë.

"Prej Kinës vijnë këto. Kah dy euro kushtojnë. Nuk ka më interesim për zejen e tyre", u përgjigj ai kur e pyeta kush merrej me prodhimin, apo krijimin e tyre.

Me ngulmimin tim për të kuptuar më shumë rreth atyre që janë marrë me kultivimin e plisave në të kaluarën, ai shtoi.

"Është një familje në Gjakovë, nuk ia di emrin se po ia harroj, ata janë marrë me farefis me plisa."

Kjo erdhi si "muzikë" për veshët e mi. Një gjë që e dua për Gjakovën është se çfarëdo panjohurie apo informate që ju duhet nga ky vend, e që nuk e dini, është shumë e thjeshtë ta kuptoni, nëse njihni qoftë edhe një person që vjen nga ky qytet. Thjesht e kontaktoni atë dhe ia shpjegoni, ai pastaj menjëherë ofron detaje rreth kontaktit që po e kërkoni. Ose, edhe nëse nuk e dini, personi në fjalë mund të kontaktojë dikë që e di, sinqerisht, në secilën situatë ndodh kështu.

Dhe as kjo nuk ishte përjashtim. Një telefonatë një miku nga Gjakova dhe kaq mjaftoi për të siguruar profilin e një subjekti që vinte pikërisht nga familja për të cilën më foli shitësi.

Nga shumë diskutime, më shumë për çështje organizimesh të intervistës, e pastaj shtyrjeve, Shqipja nga familja Mula, më tha - ndër të tjerash - se "nuk merremi më me zejën e plisit".

Duke u munduar t'i jepja një konotacion pak më të zgjeruar çështjes, përveç atyre kërkimeve të thjeshta që mund t'i gjesh në "Google", që thonë "plisi është përdorur afër 2 mijë vjet p.e.s" dhe se "edhe Zeusi, zoti i Olimpit, paraqitet në figura me plis në kokë" blla blla... po ashtu, edhe ai shpjegimi klasik se "plisi e ka marrë emrin kështu se krijohet nga leshi i deleve të bardha", po qëndroja në një kafene, në kërkim të përgjigjeve si të vazhdohet tutje. E di, disa prej juve mund t'ju vijë në kokë ajo pyetja retorike 'a i ndërrojna gajlet?', e famshme kur dikush tregon shqetësim për diçka që në sipërfaqe mund të duket shumë e kotë. Por, unë isha i zhytur në komplet narrativën e plisit dhe po kërkoja diçka shtesë.

Në atë moment, sociologu i njohur Fadil Maloku po kalonte rrugën dhe unë po e shihja nga brenda mundësinë perfekte për të marrë një këndvështrim profesional.

Dola shpejt nga lokali ku isha dhe po i vrapoja nga prapa, "zoti Fadil, zoti Fadil", ishin thirrjet e mia, para se të fitoja vëmendjen e subjektit.

Pasi u prezantova dhe ia parashtrova pyetjen që kisha për plisa, reagimi i tij ishte po ashtu me zhgënjim e gjuhë trupore demotivuese... "a po e marr më seriozisht se që duhet këtë çështje", po e pysja veten, pas tri eksperiencave të ngjashme.

"S'osht pyetje për mu kjo... ndoshta për një student të sociologjisë", tha ai fillimisht, sikur reagimi i tij zhgënjyes pa folur asgjë të mos mjaftonte.

Sidoqoftë, me pak insistim nga unë dhe vullnet të mirë nga Maloku, ai pranoi të jepte një përgjigje profesionale. "Hajde e bojna qitu," më tha. U ktheva në lokal për të marrë telefonin, para se të rikthehesha dhe të vazhdoja intervistën, pa xhaketë, i ekspozuar ndaj frymës së ftohtë dhe 'diellit me dhëmbë'.

"Njerëz me plisa nuk sheh dhe nuk mund të shohësh, për shumë arsye", tha fillmisht ai, për ngazëllimin tim, pasi dukej që më në fund e binda dikë ta merrte seriozisht temën.

"Bartja e plisit, para luftës, në njëfarë mënyre, e kishte emblemën e identitetit kombëtar. Duke jetuar nën një ombrellë të ish-sistemit komunist, bartja e plisit në atë kohë identifikohej me shqiptarizmin, me gjuhën, me kulturën, me etnopsikologjinë, mentalitetin tonë.”

"Ju nuk mund të shihni (njerëz me plisa)... përveç futboll, shembull, plisat që jon’", koment ky që u përcoll me një ndërhyrje nga unë: "Për 28 nëntor, në Amerikë përdoren shumë," teksa citoja shitësin e kioskës, me të cilin kisha folur ditë më parë.

"Po, qashtu është", shtoi Maloku, për të ma ngritur paksa disponimin me pohim.

"Krejt ata që janë në emigracion, ende janë... mos të them, ka ndalë koha te ta. Domethënë, ata ende janë larg realitetit. Ata nuk e thithin, nuk e ndjejnë realizimin e identitetit tonë shtetnor, kombëtar e politik. Na jem të realizuar tash. Ti, si gjeneratë e re, mund të bësh pyetje nga më të ndryshmet, je i lirë, nuk e ki frikën që mos po të pengon dikush..."

"Ata (mërgimtarët) kanë mbetur në ato dinamikat që kanë qenë në Kosovë, kur janë nisë në mërgim. Kanë mbetë në qato dinamike, edhe gjykimet i kanë të asaj natyre, njashtu edhe plisin."

Do të doja të thoja se këtë artikull e shkrova me një plis në kokë, por fatkeqësisht nuk është aq interesante situata... pasi diçka e tillë sapo mu kujtua duke shkruar këtë paragraf përmbyllës.

Por, a shpreh mungesa e plisave një racizëm internal, domethënë një pikëpamje përçmuese për identitetin tonë, apo nuk vihet mbi kokë më vetëm për arsye funksionale?

Çka do të ndodhte sikur një njeri me plis të donte të pinte një kafe në ndonjë kafene të kryeqytetit? Për këtë çështje pyeta pronarin e një kafeneje të qytetit, i cili më tha se “do ta lejoja najnjo, sa për ‘fun’, po jo me ardhë e me m’u mbushë lokali me plisa.”

A s’është kjo përgjigja që na vyente?!

Lajme të ngjashme