Bindi akademinë për çmimin “Nobel”, por jo edhe mbesën e saj që ta lexojë një libër
Shkrimtarja franceze Annie Ernaux ka arritur të bindë miliona njerëz që t’ia lexojnë librat dhe dhjetra akademikë e kritikë që t’ia ndanin çmimet kryesore në letërsi përfshirë edhe çmimi “Nobel” për vitin 2022, por vet ajo ka dështuar që ta bindë mbesën e saj që t’ia lexojë librat. Jo vetëm librat e shkruara nga ajo, por as një libër tjetër. Në një diskutim të vitit 2019 kur fitoi çmimin “Premio Strega Europeo”, ajo kishte treguar për tentimet e saja të dështuara që ta bindte mbesën e saj 18 vjeçare që të lexonte romane.
Në romanin e saj “Gruaja e ngrirë” ajo shkruan për librat e saj të fëmijërisë që ishin rekomanduar nga nëna e saj. Ajo tregon që përmes këtyre librave ka kuptuar dashurinë dhe lirinë. Por sa vlen kjo për vajzat e sotme?
"Me kalimin e viteve, qoftë edhe vitet prej kur shkrova “Gruaja e ngrirë” deri sot, kanë ndryshuar shumë gjëra: interneti për shembull, që ka inkurajuar shpërqëndrime të cilat më parë ishin të pamendueshme. Po ju tregoj për shembull sfidën time me mbesën time. Ajo është 18 vjeç dhe as nuk do që t’ia dijë për leximin, nuk i pëlqen. Kam bërë çmos në çdo mënyrë, por më kot”, kishte thënë Ernaux, teksa përgjigjej në pyetjen nëse “ letërsia përfaqëson ende kënaqësi paksa anarkiste për vajzat e sotme?”.
Për të treguar këtë paradoks, ajo megjithatë nuk paragjykon mbesën. Por tregon eksperiencën e saj personale me nënën e saj në atë kontekst.
“Kur mamaja ime ishte e re, një shekull më parë, leximi për gratë e klasës së saj shoqërore ishte mënyra e vetme e argëtimit, përveç kinemasë. Ajo nuk kishte gjë tjetër veçse revista, gazeta dhe sa herë mund t’ia lejonte vetes, edhe libra”, ka thënë ajo.
“Një gjë që nuk e them në libër është se mamaja ime për një farë kohë ndalej të pastronte zyrat e fabrikës ku punonte dhe në një sirtar të një tavoline kishte gjithmonë romane. Mamaja gjente romanin dhe çdo mbrëmje, duke bërë pak pushim nga pastrimi, lexonte. Për të ishte një pasion i vërtetë. Por nuk ishte e vetme”, ka shtuar Ernaux.
Sipas saj, letërsia në atë kohë, ka qenë shumë popullore dhe më e përhapur.
“Mbi të gjitha ishte shumë e gjallës si industri. Gratë shkëmbenin romane apo gazeta dhe i komentonin. Në një moment mamaja arriti të ishte në gjendje të blinte libra dhe lexonte, lexonte shumë. Mbaj mend se lexonte Steinbeck dhe më thoshte: kur të rritesh do të mund ta lexosh edhe ti. Në fakt pastaj ma bleu vetë ajo”, rrëfen shkrimtarja teksa kujton rëndësinë e leximit të librave në atë kohë.
Annie Ernaux mori çmimin “Nobel” për letërsi pasi sipas Akademisë suedeze librat e saj flasin me guxim dhe mprehtësi të rafinuar.
“Me shumë guxim dhe mprehtësi, ajo zbulon agoninë e përvojës së klasës, duke përshkruar turpin, poshtërimin, xhelozinë apo paaftësinë për të parë se kush jemi si njerëz", thuhet në vlerësimin e Akademisë suedeze që ndanë çmimet "Nobel".
