Askush s’e do Agamemnonin: Drama e Nezirajt edhe në New York Times
Drama “Ballkan Bordelo” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, u shfaq, veç plot vendeve tjera, edhe në skenën e teatrit La MaMa në Nju Jork. Me një ton lavdërues e në shqyrtim mjaft domethënës edhe për vetë autorin, edhe për artin shqiptar, për shfaqjen shkroi edhe prestigjiozja The New York Times.
Por, çka e bën këtë dramë ta ketë një impakt të tillë? Pse ajo i flet kaq thellë publikut të sotëm i cili, i tronditur nga debatet e shumta për luftërat, heronjtë dhe barbarët, e kërkon “catharsisin” në art, nëse një gjë e tillë është e mundshme të kërkohet ende në art? Për këto çështje, raportin e Agamemnonit me këtë dramë dhe me publikun e saj, z.Neziraj shkruan këtë përgjigje për Gazetën Nacionale.
Një Agamemnon i huaj
“Balkan Bordello” është shkruar në vitin 2015 dhe ka qenë e komisionuar nga Teatri Kombëtar në Podgoricë, të cilin, asokohe e drejtonte Janko Ljumovic, një njeri fantastik dhe intelektual të cilin e çmoj pa masë. Dhe titulli origjinal i dramës ishte “o.REST.es IN PEACE”, një titull dykptimësh, të cilin pastaj e ndërrova, kur drama u vu për herë të dytë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në vitin 2017.
Ky tani në teatrin La MaMa në Nju Jork është inskenimi i tretë i kësaj drame, tani në një konstalacion krejt tjetër, në rrethana krejt tjera...
Kur drama u inskenua në Podgoricë, njëra nga çështjet që u ngrit nga aktorët gjatë provave ishte se kush është Agamemnoni? Sipas tyre, ai s’mund të ishte malazez, se malazezët s’kishin qenë në luftë dhe s’kishin shkuar ndonjëherë të pushtonin ndonjë vend të huaj (paj, së fundi e kanë bombarduar lehtazi Dubrovnikun, asgjë më shumë, do të thoshte ndonjë cinik). Diçka e ngjajshme u tha edhe në Prishtinë pas shfaqjes, se Agamemnonin duhej kërkuar në Beograd dhe se Kosova ishte ajo Troja e pushtuar. E ndoshta edhe në Beograd e kanë thënë të njëjtën gjë, se Agamemnoni është ndonjë gjeneral amerikan i NATO-s dhe se Serbia është Troja. Madje, ndoshta edhe në Nju Jork, do të gjendet ndokush që do të thotë: Çfarë? Po Agamemnonët i keni në Ballkan, e gjetiu, në zona lufte, jo këtu në Amerikë…!
Duket se askush nuk e do Agamemnonin për vete. Atë e shohin si të huaj, si ‘tjetri i huaj’. Të gjithë ndihen trojanë. Dhe unë mendoj që, synimi i dramës, e edhe i kësaj shfaqjeje, është të shohim agamemnonët tanë, para se ata t’i projektojmë gjetiu, te tjetri. “Balkan Bordello” është dramë për agamemnonët e Prishtinës, Beogradit, Podgoricës, Tiranës, Nju Jorkut, Tel-Avivit, Moskës… Prandaj ky është një produksion teatror kaq i veçantë, i realizuar për agamemnonët e rinj që pritet të vijnë…