Arabia Saudite pret 1 milion pelegrinë në haxhin më të madh nga viti 2019
Rreth një milion pelegrinë myslimanë po grumbullohen të mërkurën në qytetin e shenjtë të Arabisë Saudite, Mekë, për haxhillëkun më të madh që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, që kishte ndikuar në kufizimin e qasjes për besimtarët.
Vendimi i autoriteteve saudite për të lejuar 850.000 pelegrinë nga vendet e huaja për haxhillëkun që nis të enjten, shënon një hap të madh drejt normalitetit pas dy vjetëve me pelegrinazh të kufizuar.
Megjithatë, shifra prej një milion pelegrinëve për këtë vit është ende shumë më e vogël se 2.5 milionë myslimanët që e kishin kryer haxhillëkun në vitin 2019, që zakonisht është njëra ndër grumbullimet më të mëdha në botë.
Ata që marrin pjesë në haxhillëk këtë vit duhet të jenë nën moshën 65-vjeçare, të vaksinuar kundër koronavirusit dhe të kenë test me rezultat negativ për Covid-19 të paktën 72 orë para udhëtimit. Pelegrinët zgjidhen nga miliona aplikues përmes një sistemi automatik.
Zyrtarët sauditë e vizituan vendin e shenjtë të mërkurën dhe e theksuan gatishmërinë e tyre për të pranuar pelegrinë me qëllimin që të mbrohet shëndeti publik.
Pas përhapjes së koronavirusit më 2020, autoritetet lejuan vetëm 1.000 pelegrinë që ta kryenin haxhillëkun, duke i nxitur historianët që këtë situatë ta krahasonin me mbylljen e vitit 1979.
Vitin e kaluar, për haxhillëk u lejuan 60.000 myslimanë të vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 dhe që ishin duke jetuar në Arabinë Saudite./Nacionale