‘A Quiet Place: Day One’ - NACIONALE

‘A Quiet Place: Day One’

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Jon Krasniqi

Disa mund të parashikojnë se dy filmat e tjerë në këtë sagë (A Quiet Place 1 dhe 2) vendosin një nivel të lartë me origjinalitetin e tyre, sekuencat e veprimit dhe historitë emocionuese. Megjithatë, ky film, i drejtuar nga Michael Sarnoski, i cili kaloi nga filmat indie si ‘Pig’ në një blockbuster si ky, dëshmon të jetë një film i veçantë në vetvete.

Pavarësisht nëse përfshin njerëzimin që lufton robotët, alienët, përbindëshat apo zombies, trilleri I mbijetesës post-apokaliptike është një kënd i dashur i zhanrit horror. Ndoshta sepse thellë në vetvete, ne do të donim të besojmë se mund të bëjmë të pamundurën për të mbizotëruar në situata të paimagjinueshme dhe se do të gjenim guximin tonë në kësilloj ngjarje.

A Quiet Place (2018) nga John Krasinski i eksploroi këto tema përmes një koncepti jashtëzakonisht interesant dhe freskues: ti lëshon një tingull apo zë dhe je një njeri i vdekur. Ajo që i bëri filmat e Krasinskit të rezononin me audiencën nuk ishte thjesht një ide e pastër dhe e re, por se ai i mbajti ata të fokusuar tek zhvillimi i karakterit. Ky film arrin të bëjë sërish pikërisht këtë, ndoshta në mënyra edhe më emocionale.

Ndonëse ka të njëjtën frikë rrëqethëse tek audienca si dy filmat e parë të John Krasinskit, Sarnoski e zhvendos fokusin në mirësitë e thjeshta që mund t’u tregojmë të tjerëve përballë rrezikut të madh.

A Quiet Place: Day One shërben si një ngjarje kronologjikisht e vendosur para filmave të kaluar, por gjithashtu funksionon mjaft mirë si një histori e pavarur, edhe në rast se nuk i keni parë kurrë dy filmat e parë (A Quiet Place 1 dhe 2) megjithëse ju rekomandoj shumë që ta bëni. Për habinë e askujt, Lupita Nyong’o mahnit me ndoshta aktrimin më të mirë të vitit. Ajo që ajo komunikon përmes syve të saj është shumë interesante, duke treguar butësi dhe tragjedi. Puna që ajo zhvillon me këtë karakter dhe që paraqitet në film është aq tërheqëse sa ndonjëherë harron se po shikon një film me përbindësha alien, e jo një dramë melankolike. E njëjta gjë vlen edhe për Joseph Quinn (Stranger Things).

Nëse Nyong’o është shtylla e filmit, atëherë Quinn është zemra e tij. Kontrasti i tyre krijon një dyshe bindëse pasi Sam i përshtatet stereotipit të fortë kryesor pa asgjë për të humbur, ndërsa Eriku rezonon me publikun që përpiqet të gjejë guximin e tij. Udhëtimi i tyre i përbashkët sjell një epilog emocionalisht shpërblyes. Joseph Quinn nuk është i vetmi person që do t’iu bëjë të mendoni për Stranger Things. Alienët në këtë film duken tamam si ‘Demogorgons’ nga Stranger Things. Kinematografi Patrick Scola i mban ata në errësirë ​​ashtu si në filmat e tjerë, ndonjëherë duke treguar vetëm siluetat e tyre përmes hijeve ose pluhurit. Është e bazuar për të vendosur audiencën në ‘POV’ të dikujt që e sheh alienin për herë të parë.

Historia vendoset rreth rolit (Sam) të aktores brilante Lupita Nyong’o, roli i së cilë është një grua e diagnostifikuar me një sëmundje të pashërueshme, e vendosur të shmangë alienët dhe ti thotë lamtumirë botës sipas kushteve të saj. A Quiet Place: Day One ka një sërë sekuencash që rrisin pulsin, por gjithashtu funksionon si një poezi për një grua të re që po vdes. Me ndihmën e një të huaji të quajtur Erik (Joseph Quinn) dhe macen e saj Frodo, Sam udhëton përmes rrënojave për të gjetur paqe me sëmundjen e saj para se të thotë lamtumirë përgjithmonë. Lupita Nyong’o është në një film horror, por ajo jep një performancë që tejkalon zhanrin.

Epilogu

A Quiet Place: Day One gjen një ekuilibër të mirë midis spektaklit dhe personazhit, me një histori shumë më personale sesa treguan reklamat e filmit. Ky triller i drejtuar nga heshtja shton shtresa realizmi, karakteri dhe emocioni gjersa e tërheq publikun më thellë në vështirësitë e personazheve të filmit. Nëse jeni në kërkim për një film këtë verë që do t’iu japë emocione, të qeshura dhe zemër, atëherë A Quiet Place: Day One mund të jetë filmi për ju.

⭐⭐⭐⭐☆ (katër nga pesë yje)

A Quiet Place: Day One në kinematë në Prishtinë nga 28 qershori!

Lajme të ngjashme