A janë algat e detit përbërësi revolucionar për të cilin bota ka pritur? - NACIONALE

A janë algat e detit përbërësi revolucionar për të cilin bota ka pritur?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Cili është padyshim burimi më i madh i pashfrytëzuar në këtë planet? Një burim që mund të ndihmojë në shpëtimin e klimës, të rikthejë biodiversitetin dhe të ushqejë botën pa pasur nevojë për tokë, ujë të freskët apo kimikate? Janë algat e detit të cilat tashmë përbëjnë 10% të dietës në Japoni dhe janë një burim i jashtëzakonshëm i lëndëve të pakta ushqyese, duke përfshirë vitaminën B12, si dhe proteinat dhe yndyrat bazë.

Megjithatë, sipas Vincent Doumeizel, konsulent i lartë mbi oqeanet, nga Pakti Global i Kombeve të Bashkuara, emri nuk është i përshtatshëm. “Ne duhet t’i quajmë ato perime të detit që njerëzit të kuptojnë se sa të shijshme janë; ne duhet t’i quajmë ato pyje detare që njerëzit të kuptojnë se duhet t’i mbrojmë ato”, thotë Doumeizel me pasion.

Oqeanet mbulojnë 70% të sipërfaqes së tokës, por kontributi i tyre është më pak se 2% të kalorive në zinxhirin ushqimor të njeriut. Bujqësia dhe kulturat e tokës janë shkaku kryesor i shkatërrimit të biodiversitetit në mbarë botën, për shkak të humbjes së habitatit të jetës së egër dhe janë përgjegjëse për një të katërtën e emetimeve globale të gazeve me efektin serrë. Nëse do të prodhonim më shumë ushqime në oqeane, algat e detit mund të ndihmojnë në reduktimin e ndotjes nga fertilizuesit, duke e pastruar tokën, si dhe në izolimin e karbonit dhe vepron si zonë kultivimi për peshqit.

Kultivimi i algave nuk është hipotezë, por tashmë është një realitet në 56 shtete në mbarë botën, edhe pse 99% e tyre kultivohet në Azi. Metodat mund të jenë disi të kufizuara, pasi algat rriten nëpër tela ose litarë të vendosur nëpër shtylla ose platforma të ankoruara në shtratin e detit dhe në kohën e vjeljes tërhiqen nga anijet. Është një praktikë miqësore me mjedisin, për aq kohë sa kultivuesit e algave të detit nuk e trazojnë së tepërmi shtratin e oqeanit dhe nuk i presin rizoforët përgjatë brigjeve.

Dhe përfitimet nga algat e detit nuk mbarojnë me ushqimin. Fibrat e tyre mund të zëvendësojnë pambukun, prodhimi i të cilit kërkon sasi të jashtëzakonshme të ujit të freskët dhe të kimikateve. Nga ana tjetër, celuloza tek algat shpërndahet nga materiali i mbledhur dhe më pas tirret për të nxjerrë fibrat që përdoren për prodhimin e pëlhurave. Ndërsa shumica e veshjeve tradicionale lëshojnë fibra mikroplastike që grumbullohen në lumenj, tokë dhe madje edhe në trupin tonë, fibrat e algave janë plotësisht të biodegradueshme. Kjo është një ide që ka filluar të zbatohet: stilistja italo-japoneze Liticia Credidio përdor algat e detit në koleksionin e saj të ri Ocean.

Algat aktualisht po gëzojnë sukses të madh. Dhe pjesërisht falë përpjekjeve të Doumeizel, algat kanë marrë vëmendjen e Kombeve të Bashkuara, të cilat tani po i promovojnë si një mënyrë për të ndihmuar në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Nëntë nga shtatëmbëdhjetë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, nga çrrënjosja e urisë deri te barazia gjinore (kryesisht janë gratë ato që përfitojnë nga kultivimi i algave në komunitetet bregdetare), besohet se favorizohen nga zhvillimi i algave.

Nëse menaxhohen siç duhet, algat mund të rigjenerojnë oqeanet, mund të jenë të dobishme për shëndetin tonë dhe të na ndihmojnë që të shkëputemi nga varësia ndaj plastikës. Prandaj, nuk është për t’u habitur që ata e quajnë revolucion.

Më poshtë po përmendim pesë fakte jashtëzakonisht interesante që duhet t’i merrni në konsideratë:

  1. Një sasi e vogël e algave të kuqe të përziera në ushqimin e kafshëve mund të zvogëlojë emetimet e metanit nga bagëtitë me 82%, duke ndihmuar në uljen e efekteve të ngrohjes globale.
  2. Algat e detit janë i vetmi burim bimor i vitaminës B12 dhe acideve yndyrore omega-3, të cilat janë thelbësore për një shëndet të mirë.
  3. Plastika e prodhuar nga algat nuk është vetëm e biodegradueshme, por edhe e ngrënshme.
  4. Algat mund të kenë përfitime të ndryshme mjekësore, falë vetive të tyre antibakteriale, anti-inflamatore dhe analgjezike, si të papërpunuara ashtu edhe të gatuara.
  5. Kultivimi i algave ka nevojë për shumë pak investime në teknologjinë e lartë dhe mund të realizohet lehtësisht në vendet në zhvillim me materiale që gjenden lehtë, siç janë litarët dhe shtyllat prej druri.

Mark Lynas është autor dhe aktivist që jeton në Uells. Ai është këshilltar për klimën i ish-presidentit të Maldiveve, Mohamed Nasheed, dhe libri i tij i fundit titullohet Our Final Warning: Six Degrees Of Climate Emergency (“Paralajmërimi ynë i Fundit: Gjashtë nivele të urgjencës klimatike”)

Lajme të ngjashme