5 akomodimet ekologjike me buxhet të ulët - nëse keni mbi 1 mijë euro pagë - NACIONALE

5 akomodimet ekologjike me buxhet të ulët - nëse keni mbi 1 mijë euro pagë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Udhëtimet miqësore ndaj mjedisit shpeshherë konsiderohen si një luks ekskluziv për ata që mund t’i përballojnë, por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë. Nga kabinat malore e deri te tendat ekologjike të stilit safari, ja tek janë zgjedhjet tona për akomodimet më të mira dhe miqësore ndaj mjedisit të cilat nuk kushtojnë shumë…

Shatorret e Anana Krabit, Tailandë

Të gjendura në një qoshe të peizazhit dramatik të Krabit në jug të bregut perëndimor të Tailandës – imagjinoni shkëmbinj të lartë gëlqerorë dhe lugina mes pyjesh të qeta – Shatorret e Anana Krabit janë një resort miqësor me mjedisin i cili ju ofron komoditet që nuk duhet ta humbisni. Me ushqime bio, hedhja në pishinat natyrore vullkanike dhe marshimet miqësore ndaj mjedisit, përfshirë edhe një udhëtim në një strehimore vërtet etike për elefantët, do të rigjeni veten dhe natyrën. E gjitha kundrejt një çmimi më se të leverdishëm.

Duke filluar nga 43£/natë për një dhomë Thai Studio

Resorti në malin Aristi, Aristi, Greqi

Nëse ju pëlqen shtegu i pashkelur, resorti në malin Aristi, i vendosur mbi kodrat e fshatit Aristi në Greqinë veri-perëndimore, rrethohet nga natyra e egër dhe magjepsëse e Parkut Kombëtar të Pindit Verior. Një sërë shtëpizash të lidhura nga rrugicat me kalldrëm dhe kopshtet e gjelbëruara, ku stili modern nuk bie shumë në sy për t’i lënë vend peizazheve spektakolare malore, dhe ku sistemet e ngrohjes me pompë, ndriçimi LED dhe përdorimi i materialeve të zonës kanë bërë të mundur që ndikimi në mjedis të jetë sa më i vogël.

Duke filluar nga 125£/natë për një dhomë dyshe

Resorti Ekologjik Karijini, Parku Kombëtar Karijini, Australia Perëndimore, Australi

Dëshironi diçka paksa më ndryshe? I përafërt më shumë me një kamping, sesa një hotel tradicional, shatorret dhe kabinat ekologjike të stilit safari në Resortin Ekologjik Karijini në perëndim të territorit të brendshëm australian kanë të gjitha orenditë dhe pajisjet që ju nevojiten, si dushe, krevate të rehatshme dhe energji elektrike nga panelet diellore, duke ju dhënë mundësinë që të vështroni yjet me qetësi. Gjendur mes një peizazhi utopik prej shkëmbinjsh të kuq, grykash mahnitëse dhe ujëvarash gjigante, aty mund të eksploroni pafund. Dhe duke qenë se administrohet nga kompania më e madhe aborigjene australiane, resorti ndihmon në rritjen e zhvillimit të komuniteteve aborigjene.

Duke filluar nga 114£/natë për një shatorre ekologjike për katër persona

Botë Farms, Finiq, Shqipëri

E planifikuar për t’u hapur këtë verë, mund të jeni ndër të parët që pushoni në një nga gjashtë kabinat ekologjike të ndërtuara në kodër në këtë resort agro-turistik në jug të Shqipërisë. Ajo është një vepër mahnitëse e stilit modern, ku çdo kabinë është e veçantë dhe secila prej tyre, përmes murit prej xhami, ju ofron një nga peizazhet më epike të parkut arkeologjik të Finiqit dhe një fermë natyrale që ndodhet në zemër të këtij resorti ku kultivohen pothuajse të gjitha frutat dhe perimet që ofrohen. Dhe për më tepër, aty ka kafshë të strehuara me të cilat mund të kalosh kohën; ofrohen gatime tradicionale shqiptare dhe një pishinë natyrale (e filtruar nëpërmjet fotosintezës së pellgjeve të cekët të gjendur në brendësi të pishinës) ku mund të çlodheni. Pra, mund të largoheni nga çdo gjë e, në të njëjtën kohë, të jeni të dashur me natyrën.

Duke filluar nga 110£/natë për një kabinë për katër persona

Hotel Belmar, Monteverde, Kosta Rika

Në rregull, ky sugjerim është pak më i kushtueshëm, por hotel “Belmar” është një resort tjetër që duhet të jetë në listën e çdo pushuesi ekologjik – dhe ia vlen çdo qindarkë. Një dritare drejt mrekullisë për në Pyllin e Reve në Monteverde të Kosta Rikës, ky hotel 37-vjeçar i stilit zviceran i administruar si një biznes familjar ka qenë i vetëdijshëm në aspektin mjedisor dhe social qysh prej fillimit. Tani me një departament të dedikuar natyrës për të zbatuar programet e tij, nga pyllëzimi tek impianti biologjik i pastrimit të ujërave të zeza, ju mund të shijoni peizazhet e tij mahnitëse, ballkonin në diell pranë liqeneve të bukura me ujë burimi dhe kuzhinën e shijshme me një ndërgjegje edhe më të pastër.

Duke filluar nga 150£/natë për një dhomë dyshe

Samantha de Haas është Kryeredaktore e Përkohshme Ekzekutive dhe Kryeredaktore e Service95

Lajme të ngjashme