1 Maji ose historia e harruar e shkollës së parë shqipe në Kosovë - NACIONALE

1 Maji ose historia e harruar e shkollës së parë shqipe në Kosovë

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Arsimi në gjuhën shqipe mezi gjeti farë e arë për të mbirë në vitet e vështira të Perandorisë Osmane. Duke i pasur punët vaj me pushtetin perandorak, shkolla e parë serbe filloi më 1836 në Prizren. Jo vetëm kaq, por deri në fund të shekullit të 19-të numëroheshin qindra shkolla të tilla në krejt Kosovën, përfshirë edhe ‘universitetin’ serb, siç ishte Seminari Ortodoks ‘Bogoslovija’. Sidoqoftë, atdhetarë katolikë nga Shkodra e Prizreni guxuan ta sfidonin këtë gjendje, dhe më 1889 hapën të parën shkollë shqipe në Kosovë.

Col Mehmeti

Kalendari ynë 1 Majin nuk e ka shënjuar për një ngjarje që e ka hak të përkujtohet e vlerësohet.

Rrum para 136 vjete, në një ditë si kjo, më 1889 u hap e para shkollë shqipe në Prizren dhe Kosovë.

Fryt i përpjekjeve të pedagogut e publicistit shkodran Mati Logoreci (1867-1941), shkolla e parë private që jepte mësime në shqip veproi në një mjedis tejet të pagjasë.

Prej gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, Prizreni gëzonte namin e një nga të paktave qytete shqiptare ku gjallëronte ndonjë impuls arsimi e kulture.

Duke përfituar nga leja bujare e autoriteteve osmane, shkollat e para laike ishin ato në serbisht.

Më 1836 e bëri sefte shkolla e parë serbe në Prizren, dhe pas një dekade ato u pasuan edhe me të tjera që u hapën në Gjakovë, Graçanicë, Pejë dhe Vushtrri.

Në kushtet e mungesës së shkollave laike ku mësimet do të jepeshin në shqip, shkollat e tilla serbe, sipas albanologut Robert Elsie, “ia dhanë komuitetit serb një epërsi të dallueshme arsimore dhe kulturore kundrejt fqinjëve të tyre shqiptarë.”

Arritja më e madhe e pakicës serbe në Shqipërinë katërvilajetëshe ishte më 1870, pra tetë vite para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur autoritetet osmane pranuan të hapej i ashtuquajturi Seminari Ortodoks i Prizrenit nga Sima Andrejeviq-Igumanov.

Ironikisht, mu në vitin 1878 kur shqiptarët ndërmorën organizimin e tyre të parë politik kundër kalimit të tokave shqiptare nën Serbinë, Malin e Zi e Greqinë, ekzistonin 101 shkolla serbe vetëm në Vilajetin e Kosovës.

Krejt legalisht, në Graçanicë ekzistonte një shtypshkronjë, ku më 1884 u shtyp libri i parë i leximit për nxënësit serbë e një vit më vonë edhe abetarja e parë.

Sipas ndonjë studiuesi, si fjala vjen Denisa Kostovicova, “shkollat serbe në Kosovë, me arsimimin në ‘shpirtin kombëtar’, forcuan ndjenjat kombëtare mes serbëve të Kosovës.”

Megjithatë, arsimi në shqip, si gjuha e popullatës shumicë në vilajetin e Kosovës, por edhe në atë të Shkodrës, Janinës dhe Manastirit, nuk e pati këtë fat.

Prej të ashtuquajturave Reforma të Tanzimatit, Perandoria Osmane e kishte rregulluar çështjen e arsimit ashtu që shtetasve të saj të krishterë (serbë, bullgarë, grekë e arumunë) iu lejonte shkolla në gjuhët përkatëse, porse kjo nuk vlente edhe për shtetasit myslimanë.

Sipas reformës arsimore të 1844-s, duke e ruajtur parimin teokratik islamik, Porta e Lartë krijoi një kategori të re shkollash shtetërore fillore (ibtidaie), qytetëse (ruzhdije), si dhe gjimnaze (idadije).

Me gjuhën osmane në kurrikula, sipas statistikave në vitet e fundit të shekullit 19-të, në katër vilajetet me shumicë shqiptare ekzistonin gjithsej 1187 shkolla të tilla (prej të cilave 1 125 fillore, 57 shkolla qytetëse dhe 5 të mesme).

Qerthujt nacionalistë shqiptarë në kryeqytetin e Perandorisë, në Konstandinopojë, më 1885 arritën t’ia shkëpusnin sulltanit më në fund lejen për hapjen e një shkolle private shqipe për djem në Korçë.

Vetë historia për këtë leje ishte histori në vete, ku u desh të përdoreshin njohjet e njerëzve me ndikim në hierarkinë perandorake, ashtu sikurse edhe ndonjë ryshfetosje për zyrtarët e korruptuar osmanë.

Hapja e gjatëpritur e së parës shkollë shqipe u bë vetëm pas dy vitesh, derisa atdhetari Mandi Tërpo dhuroi shtëpinë e tij në Korçë që të shfrytëzohej si vend për mësonjëtorën e parë.

Me drejtor të parë Pandeli Sotirin, e më pas Petro Nini Luarasin e Thanas Sinën, shkolla e parë shqipe nuk financohej nga asnjë shtet apo shoqëri e huaj, por vetëm me kontributet e atdhetarëve me vullnet të mirë nga mërgata shqiptare.

Paçla se është thënë që shkolla e parë shqipe në Prizren gjeti shprehje në përkrahjen e tërthortë të Austro-Hungarisë, studiuesi gjerman Johannes Faensen thotë se nuk dihet nëse kjo shkollë mori subvencionime nga konsullata austro-hungareze.

Shkolla në fjalë ishte private dhe ndiqej vetëm prej një numri modest nxënësish prizrenas.

Në fakt, Prizreni i viteve 1890 përjetoi njëfarë ‘rivaliteti’ mes kësaj shkolle dhe një tjetre që ndonëse jepte mësime edhe në shqip ishte nën tutelën e konsullatës austro-hungareze.

Kësokohe, mësuesi Mati Logoreci ishte kthyer në tabelë qitje për smirën e disa përfaqësuesve të konsullatës austrohungareze, por edhe klerikëve sllavishtfolës.


Ndaj shkrodranit u lëshuan edhe mallkime ashtu sikurse edhe ndaj atyre familjeve katolike që ishin ithtare të shkollës shqipe.

Siç kujtonte shumë më vonë Logoreci, konsulli austro-hungarez në Prizren kishte ndërhyrë në qeveri që “katolikët e mallkuar” të mos varrosen në “qimeterin” (varrezën e përbashkët) të qytetit.

Sipas një shkrimi të Rrok Zojzit, shkolla e Logorecit në Prizren ishte “shkolla e popullit, t’atyne pa kishë.”

Nga dokumentacioni i mbijetuar arkivor krijohet edhe një përshtypje mbi kurikulën e kësaj shkolle fillore.

Aty shihet se ajo e kishte marrë formatin tamam të një shkolle laike, meqë vetëm një lëndë ishte fetare (Punë feje).

Pjesa dërmuese e lëndëve ishin: Gjuhë shqipe, Gjuhë italiane, Knimet (shkrim-leximi), Përmi senet (natyra), Përmi kafshët (zoologjia), Shkrojtore (gramatika), Dheshkrojë (gjeografia), Hesap (matematikë), Kaligrafi (bukurshkrim), etj,.

Megjithatë, dy shkollat ‘paralele’ shqipe deri në fillim të viteve 1900 u bashkuan në një.

Pos Logorecit, merita të mëdha patën edhe mësuesit Pashk Logoreci, Lazër Lumezi, Lukë Luka, Kolë Kadeli, Kolë Rrota e të tjerë.

Modeli i Prizrenit, sado në mënyrë modeste, shëmbëlleu edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Kështu, Mikel Tarabulluzi nga Prizreni (1868-1933), ishte një nga famullitarët që u bë mësues në shkollën shqipe që u hap në Stubëll të Vitisë në vitin 1905.

Mësimi shqip dhe shkollat katolike qysh në atë kohë tingëllonin si sinonime për njëra-tjetrën.

Kështu në një tekst me titull ‘Letër nga Kosova’, botuar më 13 mars 1910 në gazetën Bashkimi që dilte në Shkodër, jepte këtë përshkrim:

“Në vilajetin e Kosovës gjinden shkolla katolike, që tash sa vjet japin mësimet në gjuhën shqipe. Në Prizren është një shkollë, me tre mësues, e cila përparon bukur mirë. Ashtu Shkupi, Ferizaj, Gjakova e Peja kanë mësojtoret e veta, ndër të cilat mësohet thjesht shqip.” /NACIONALE/

Lajme të ngjashme