Zyrtari i lartë i Hamasit: Sikur ta dija rezultatin për Gazën, s’do ta përkrahja sulmin e 7 tetorit
Anëtari i lartë i byrosë politike të Hamasit, Moussa Abu Marzouk, ka thënë se nuk do ta përkrahte sulmin e këtij grupi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, nëse do të dinte se çfarë pasojash do të vinin për Rripin e Gazës.
“Nëse do të pritej se do të ndodhte ajo që ka ndodhur, nuk do të kishte 7 tetor” – tha Abu Marzouk-u në një intervistë të dhënë për gazetën “The New York Times”, edhe pse pretendoi se nuk i dinte hollësitë e sakta të sulmit të planifikuar, nuk do të mund ta bindte veten që ta miratonte atë, nëse do t’i dinte ato që i di tani, përcjell gazeta "The Times of Israel".
Kjo deklaratë pendimi shënon distancim nga deklaratat e mëparshme të zyrtarëve të Hamasit. Disa javë pas sulmit, për shembull, anëtari i byrosë politike të Hamasit, Ghazi Hamad, publikisht deklaroi se sulmi i 7 tetorit ishte “vetëm hera e parë dhe do të ketë herë të dytë, të tretë, të katërt”, duke thënë se “ne jemi të gatshëm” që ta paguajmë çmimin dhe duke u zotuar për vazhdimin e sulmeve deri në asgjësimin e Izraelit.
Komenteve të Marzouk-ut iu kundërvu shpejt zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, i cili tha: “Sjellja agresive dhe shkatërruese e pushtimit (Izraelit) është shkaktar i shkatërrimit në Gaza. Epika e 7 tetorit shënon një pikë kthese strategjike në përpjekjen kombëtare palestineze.”
Në një deklaratë të lëshuar pak më vonë nga vetë grupi, Hamasi pretendoi se komentet e Abu Marzouk-ut janë “të pasakta dhe të nxjerra nga konteksti”.
“Intervista u zhvillua para disa ditëve dhe deklaratat e publikuara nuk e pasqyruan përmbajtjen e plotë të përgjigjeve” – thuhet në deklaratën e Hamasit.
Në intervistë, Abu Marzouk-u tha se mbijetesa e Hamasit, pavarësisht nga fushata ushtarake e Izraelit në Gaza, përbën “një lloj fitoreje”. Ai e krahasoi grupin me një person të zakonshëm që i ka mbijetuar një ndeshjeje të boksit me kampionin e peshave të rënda, Mike Tyson. Sidoqoftë, anëtari i Hamasit tha se, në terma absolutë, do të ishte “e papranueshme” që lufta të quhej fitore për grupin e tij./Nacionale